April 27, 2024

Studentët që ndjekin programet e ciklit të parë dhe të integruar në fakultetet e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës do të mund të përfitojnë edhe gjatë këtij viti akademik nga përjashtimi apo reduktimi i tarifës vjetore të shkollimit. Aplikimet për të gjitha kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë nga reduktimi i tarifës së studimeve kanë nisur tashmë. Bashke me procedurat që duhet të ndjekin studentët e të gjitha degëve, Universiteti i Mjekësisë ka konfirmuar edhe afatet se deri kur studentët do të mund të aplikojnë për të përfituar përjashtimin dhe reduktimin e tarifës vjetore të shkollimit që mbulon vitin akademik 2022-2023.

Sipas afateve të vendosura, pranimi i aplikimeve nga kandidatët që plotësojnë kushtet për të përfituar, do të jetë deri në datën 21 nëntor. Çdo student do të duhet që brenda këtij afati të vendosur, të dorëzojë dokumentacionin dhe formularin përkatës, pranë zyrës së informacionit në godinën kryesore të fakultetit ku ndodhet programi i studimit që janë duke ndjekur. Edhe për këtë vit akademik janë 12 kategori, kryesisht të studentëve në nevojë, që do të mund të sigurojnë përjashtimin dhe reduktimin e kostos vjetore të ndjekjes së studimeve në programet e këtij institucioni publik të arsimit të lartë.

Lidhur me kriteret për përfitimin e përjashtimit apo reduktimit të tarifës, bëhet e ditur se të drejtë për aplikim kanë të gjithë kandidatët që i përkasin këtyre shtresave: janë pjesë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, janë studentët bashkëshortë, të cilët kanë fëmijë dhe janë të dy student, studentët me aftësi të kufizuara, ata që janë me statusin e jetimit, studentët që kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët nga familjet me shumë fëmijë, studentët që  kanë humbur kujdestarinë prindërore, ata që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, studentët të cilët janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat, të shërbimit te mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Po ashtu do të përfitojnë edhe studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit, studentët që janë fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politik me heqje lirie me vendim gjykate të formës së prerë, deri 25 vjeç. Për secilën prej këtyre kategorive do të gjeni të detajuar në vijim të shkrimit edhe dosjen konkrete të dokumenteve që do të duhet të dorëzoni brenda datës 21 nëntor, kur është edhe afati i fundit i aplikimit.

Sipas kushteve të përcaktuara në vendimin e posaçëm të Këshillit të Ministrave mbi kategoritë përfituese, saktësohet se nuk do të mund të përfitojnë përjashtim nga tarifa e shkollimit: të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet në një program studimi dhe vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi, (ku nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer), si dhe studentët përsëritës me përjashtim të rasteve të forcave madhore.

Statusi i studentit fitohet me regjistrimin e tij në një institucion të arsimit të lartë. Ky status humbet me marrjen e diplomës ose certifikatës përkatëse, si dhe në rastin e çregjistrimit të studentit nga ai institucion. Referuar kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë,  studenti mund t’i pezullojë studimet dhe t’i rifillojë ato, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Studenti nuk mund të regjistrohet, njëkohësisht, në më shumë se një program studimi. Bëjnë përjashtim nga ky nen nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.

Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.

DOSJA E APLIKIMIT QË DUHET PËR SECILËN KATEGORI PËRFITUESE

Studentët , familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Vërtetim nga organet e qeverisjes vendore që familja e studentit trajtohet me ndihmë ekonomike, ku të specifikohet numri i dosjes,duhet shuma e ndihmës ekonomike (me shifër e fjalë) dhe masa e saj(e plotë ose e pjesshme), dokument origjinal lëshuar nga njësitë e qeverisjes vendore.

Studentët bashkëshortë, të cilët kanë fëmijë dhe janë të dy student.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Vërtetim studenti për bashkëshorten dhe bashkëshortin si student në institucionet publike të arsimit të lartë, duhet të jetë dokument origjinal.

Studentë me aftësi të kufizuar, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë së Kufizuar për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Vërtetim lëshuar nga KMCAP (dokument fotokopje e noterizuar).
  • Vërtetim për pagesën e aftësisë së kufizuar nga zyrat përkatëse, dokument origjinal lëshuar nga Sigurimet Shoqërore, apo organet e qeverisjes vendore.

Studentë që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuar, të vërtetuar nga KMACP:

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Vërtetim lëshuar nga KMCAP (dokument fotokopje e noterizuar), për të dy prindërit.
  • Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore, apo organet e qeverisjes vendore për përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar, duhet të jetë dokument origjinal lëshuar nga këto organe për të dy prindërit.

Studentë që kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Vërtetim nga sigurimet shoqërore për pension pleqërie për dy prindërit, duhet dokument origjinal.
  • Certifikate vdekje e prindit (në rast se njëri nga prindërit pensionist nuk jeton).

Studentët të cilët janë të tretët e lart në radhën e fëmijëve, në familje me tre fëmijë a me shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Vërtetim studenti në strukturat publike të arsimit të lartë për të dy fëmijët e lindur (vëllezërit dhe motrat) para studentit aplikues.

Studentë, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Fotokopje e noterizuar e dokumentit për statusin e jetimit.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Certifikatë e humbjes së dy prindërve.

Studentë të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri 25 vjeç.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Fotokopje e noterizuar e vendimit të Gjykatës i formës së prerë.

Studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si të tillë deri në moshën 25 vjeç.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Dokumentit vërtetues lëshuar nga organet përkatëse, për studentët që kanë përfituar statusin ligjor si viktima të trafikut. Dokument origjinal/fotokopje e noterizuar.

Studentët të cilët janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat, të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpetimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë familjare e tre muajve të fundit.
  • Certifikatë e humbjes së jetës së prindit (njërit).
  • Vërtetim të lëshuar nga institucioni përkatës i humbjes së jetës së prindit në krye të detyrës dokument origjinal.

Studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Vetëdeklarim noterial.
  • Vërtetim anëtarësie në shoqatë.

Studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politik me heqje lirie.

  • Fotokopje të kartës së ID.
  • Certifikatë Familjare që vërteton lidhjen e studentit me prindin të ish- të dënuarve dhe të përndjekurve politike nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.
  • Vërtetim i statusit të prindit ish të përndjekur/dënuar politik, dokument origjinal.
  • Dëshmi penaliteti për prindin ish të përndjekur politik ose vërtetim për kohën e dënimit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, dokument origjinal.

Burimi: Gazeta Dita

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

Discover more from Matura Shtetërore 2024

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading