Shpërndaje tek shokët që të informohen

(Drejtuar studentëve të vitit të parë dhe jo vetëm)

Universiteti do të jetë një nga periudhat më të bukura në jetën tuaj. Është fillimi i përvojave të reja, emocionuese, rritjes personale dhe lirisë. Por nuk është pa sfida dhe pa dhimbje sidomos në rritjen emocionale.
Disa nga problemet e zakonshme me të cilat mund të përballeni janë:

1. Malli për shtëpinë
Edhe pse do të takoni shumë njerëz të rinj dhe do të provoni eksperienca të reja, do t’ju mungojnë miqtë dhe familja (madje edhe shtrati juaj). Kjo është krejtësisht normale dhe shumë studentë e përjetojnë këtë. Për fat të mirë, jetojmë në një epokë dixhitale, kështu që telefonatat me video mund të ndihmojnë në kapërcimin e këtij hendeku dhe t’ju mbajnë të lidhur me familjarët dhe miqtë tuaj.

2. Përshtatja me jetën universitare
Një tjetër pengesë e zakonshme është të përshtatesh me dallimet mes universitetit dhe shkollës së mesme. Ju mund të keni lëndë të vështira, më shumë për të studiuar dhe tani jeni përgjegjës për menaxhimin e kohës tuaj. Zyra e Shërbimit Psikologjik ju ofron ndihmë për t’u përshtatur në jetën universitare dhe për të kuptuar potencialin tuaj. Një këshillë tjetër është të kërkoni ndihmën e profesorëve tuaj, ata janë burime të shkëlqyera nëse jeni duke u përballur me vështirësi akademike.

3. Shokët e dhomës/banesës
Ne të gjithë e dimë se njerëzit nuk janë perfekt dhe mund të vijë një moment kur të përballeni me ndonjë konflikt me shokët e dhomës/banesës. Një mënyrë e shkëlqyer për t’u marrë me problemet e mundshme përpara se ato të lindin është të bëni një marrëveshje me shokun e dhomës/banesës për të ndarë angazhimet si pastrimi, rregullat e jetesës dhe detyrime të tjera.

4. Menaxhimi i kohës
Menaxhimi i kohës është aftësia që do ju nevojitet për pothuajse çdo gjë që do të bëni në jetën tuaj personale dhe profesionale. Bërja e një kalendari të detajuar iCalendar ose Google, apo edhe një planifikues është shumë e dobishme për t’ju mbajtur të oreintuar.

5. Studimi efektiv
Kjo varion nga stili juaj i studimit (d.m.th., marrja e shënimeve, etj.) deri te gjetja e vendit tuaj të preferuar për të studiuar. Gjithçka ka të bëjë me atë që funksionon më mirë për ju. Gjithashtu duhet të mësoni se si të menaxhoni në mënyrë efektive kohën tuaj. Është e dobishme të vendosni një orar për kohën kur keni nevojë të studioni, në mënyrë që të mos përfundoni duke u stërmunduar.

6. Dështimi në provim
Mund të ndodh që për një ose disa arsye të mos kaloni në një provim (ose disa). Mos u shqetësoni, kjo nuk përcakton personalitetin tuaj por mund t’ju sjell vështirësi në kalimin nga një vit studimi në tjetrin. Rishikoni prioritetet tuaja dhe me një plan të mirë studimi mund ta kapërceni edhe këtë sfidë.

7. Buxhetimi
Në këtë aspekt nuk keni nevojë të buxhetoni gjithçka për të cilën do të shpenzoni, por është e dobishme të keni shuma të ndara për qira, ushqim dhe shpenzime të tjera. Kjo ju ndihmon të gjurmoni paratë tuaja dhe të mos shkoni në blerje të panevojshme por që mund t’ju vendosin në vështirësi.

8. Marrëdhëniet
Nga miqësitë e reja te marrëdhëniet romantike, universiteti është një kohë për të takuar njerëz të rinj dhe për të pasur përvoja të reja. Është e rëndësishme të mbani mend gjithmonë të doni veten së pari dhe të mos ndryshoni për askënd tjetër. Sigurohuni që të rrethoheni me njerëz që ju mbështesin dhe që e bëjnë përvojën tuaj në universitet një përvojë pozitive.

9. Festat
Nuk ju themi të mos festoni, por ju lutemi sigurohuni që po festoni me përgjegjësi. Mund të jetë e lehtë të biesh në një rutinë të festave dhe pijeve, por sigurohuni që kjo të mos ndikojë negativisht në studimet ose marrëdhëniet tuaja. Ju jeni të vetmit që mund ta kontrolloni këtë, ndaj njihni kufirin tuaj dhe festoni në mënyrë të sigurt.

10. Shëndeti fizik dhe mendor
Shëndeti juaj duhet të jetë gjithmonë një prioritet, ndaj jini proaktiv për këtë. Nëse ndiheni të përmalluar, të shqetësuar, të lodhur ose sikur keni nevojë të flisni me dikë, mos nguroni të shkoni te Zyra e Shërbimit Psikologjik. Mos harroni të merrni kohë për veten tuaj kur keni nevojë dhe të kërkoni ndihmë.

Shpresojmë që këto këshilla të jenë të dobishme dhe mbani mend se çdo sfidë me të cilën përballeni ndihmon vetëm në përgatitjen tuaj për të ardhmen dhe në nxitjen për t’u bërë versioni më i mirë i vetes tuaj.

Duke ju uruar suksese!

Zyra e Shërbimit Psikologjik, FE

Burimi: feut.edu.al

Leave a Reply