Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Universitetet/ Rritet numri i kërkesave për të studiuar në fakultetin e Ekonomisë, mbetet e balancuar në fakultetet e tjerët të UT-së. Përcaktimi i tarifave në dorë të qeverisë. Më 2 shtator nis regjistrimet për fituesit

Enida Vërça

“Ulja e tarifave për studentët është në dorë të qeverisë”, kështu u shpreh dekani i fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule në një konferencë për me mediat. Nga ambientet e këtij fakulteti, së bashku me dekanin e fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, dekanin e Shkencave Sociale, Edmond Rapti dhe atë të Gjuhëve të Huaja, Artur Sula, dekanët e Universitetit të Tiranës, sqaruan ditën e djeshme vendimin e Senateve Akademike, për tarifa të plota studimi si dhe fazën mbi të cilën ndodhen aplikantët që kanë kandiduar pranë këtyre fakulteteve. “Qeveria ka deklaruar që të vazhdojë të njëjtën politikë me tarifat. Do të subvencionojnë gjysmat e tarifave, praktikë dhe politikë që e ka ndjekur vitin e kaluar. Senati Akademik ka bërë detyrën që i takon, pjesën tjetër është përgjegjësi e qeverisë, e cila e ka konfirmuar që do ta vazhdojë”, saktësoi ai. Më tej ata bënë të ditur se aplikantët e këtij vit kanë një nivel mjaft të lartë të mesatares dhe se disa programe studimi në degët përkatëse do të kenë ndryshime.

Numri i aplikimeve

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, në fjalën e tij po ashtu bëri me dije se numri i aplikimeve në degët e këtij fakulteti shënon një rritje me 1200 aplikime më shumë se një vit më parë. “Janë mbi 21,523 aplikime në Fakultetin e Ekonomisë dhe shpejt do të bëhen publike listat e fituesve të raundit të parë. Deri në 30 gusht do ti shohin rezultatet. Nëse konfirmohen pasaktësi kanë të drejtë ankimimi deri në 30 gusht. Në datat 31 gusht- 1 shtator shpallen rezultatet e ankimimeve. Raundi i parë fillon më 2 shtator-15 shtator. Ka 7 faza 48 orëshe, të mos shqetësohen që fazën e parë apo të dytën nuk e shohin veten fitues. Shpërndarje e më të mirëve do të bëjë që të vijë radha në fazat e tjera. Në katër degët e veta aplikimet fillojnë mesataren 9.9. Ata që janë me mesataren poshtë kësaj të fundit nuk duhet te jenë pesimistë, sikur të regjistrohen të gjithë mbeten 360 vende”, sqaroi ai për mediat. Në këtë konferencë e cila zgjati më shumë se 30 minuta, Kule u shpreh se kërkesa për tu regjistruar në fakultetin e Ekonomisë vjen çdo vit duke u rritur. “Mund të ketë shumë polemika, por ka një të vërtet të madhe që ky fakultet ka cilësi në çdo drejtim, ndaj ka një kërkesë të lartë për të qenë pjesë e tij”, tha ai.

Gjuha angleze

Në fjalën e tij, Kule tha se këtë vit kurrikulat e studimit në fakultetin e Ekonomikut do të pësojnë ndryshme. Në këtë mënyrë, të gjitha lëndët e këtyre degëve do të kenë leksione edhe në gjuhën angleze. E gjithë kjo për të përvetësuar studentët dhe për t’i përgatitur ata për tregun ndërkombëtar. Më tej shtoi se do të ketë binjakëzime me fakultet evropiane. “Ashtu si çdo vit, do të kemi shkëmbime të përvojave mes fakultetin tonë dhe atyre në Evropë, për të ndihmuar sa më shumë studentët të cilët e rinj që nisin fakultetin tani, por edhe për ata që aktualisht vazhdojnë studimet pranë këtij fakulteti”, përfundoi ai.

Fakulteti i Drejtësisë

Dekani i fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha tha se ky fakultet vazhdon të ruajë të njëjtën kërkesë për të regjistrime nga maturantët, si një vit më parë. Ashtu si te Ekonomiku edhe në këtë fakultet, aplikantët janë me një mesatare të lartë. “188 maturantë janë me mesatare absolute, i fundit është me 9.71”, bëri me dije ai. Më tej shtoi se këtë vit do të ketë ndryshme në studimet e ciklit të dytë, master, ku për herë të parë do të nisë masteri i integruar 5-vjeçar. “Sot kemi një sfidë që do të ecim me dy programe paralele,  me programin e vjetër bachelor, master. Po ashtu dhe me programin e ri, që studentët që hynë për herë të parë këtë vit do të kenë të drejtë të fillojnë masterin e integruar 5-vjeçar. Sa i takon aplikimeve, tashmë e dimë që janë me tre raunde. Maturantët duhet të tregohen të vëmendshëm dhe të ndjekin sipas rregullit hap pas hapi çdo procedurë”, tha ai. Një tjetër pikë në të cilën u ndal dekani, ishte edhe ankimimi i rezultateve, për çdo maturantë të pakënaqur. “Raundi i parë i regjistrimeve do të nisë më 2 shtator. Maturantët që mendojnë se nuk janë vlerësuar siç duhet, kanë të drejtë të bëjnë ankimimin deri në fund të muajit gusht”, saktësoi ai.

Shkencat dhe Gjuhët e Huaja

Teksa dekani i Ekonomikut dhe Drejtësisë, në këtë konferencë foli për prurje të larta të të rinjve, me rezultatet mbi mesataren, në fakultetin e Shkencave Sociale dhe atë të Gjuhëve të Huaja nuk paraqitet e njëjta situatë. Kështu, dekanët pohuan se në këto dy fakultete, maturantët janë me mesatare mbi 7.5. Sa i takon interesit për t’u regjistruar në këto dy fakultete, në vija të përgjithshme aplikimet mbeten thuajse të njëjta me vitin që lamë pas.

Subvencionimi

Kërkesës së vazhdueshme nëse tarifat do të jenë të plota apo jo për vitin e ri akademik, Ministria e Arsimit iu përgjigjes se qeveria shqiptare do të vazhdojë të subvencionojë tarifat dhe bursat. “Tarifat mbesin, por subvencionimi nga ana jonë nuk do të ndalet në mënyrë që t’u vihet në ndihmë studentëve shqiptarë, ashtu sikurse është zotuar në kuadër të “Paktit për Universitetin”. Kujtojmë se që në fillim të tij, “Pakti për Universitetin” solli mbi 2.3 miliard lekë subvencionim pako financiare nga ana a qeverisë shqiptare duke i sjellë përfitim direkt mbi 99 mijë studentëve nga të cilët: 75 mijë studentë kanë përfituar reduktim tarife me 50%;  5,500 studentë janë përjashtuar nga tarifa e studimit (mesatarja 9-10);  mbi 10 mijë studentë janë përjashtuar nga tarifa e shkollimit (kategoritë në nevojë); rreth 11 mijë studentë kanë përfituar bursa prej 10 mijë lekësh në muaj (studentë nga kategoritë në nevojë dhe ato me mesataren 9-10)”, u shpreh dikasteri i ministrisë. Po ashtu nënvizojë se shumë shpejt do të ketë edhe ndryshime të tjera në VKM për të përfshirë edhe kategori të tjera që nuk kanë qenë më përpara.

Ankimimi i rezultateve për aplikantët

Qendra e Shërbimeve Arsimore, nëpërmjet një urdhri, sqaron maturantët se pas fazës së aplikimit në tre raunde, ata kanë të drejtën të ankimojnë përzgjedhjen e tyre. Në këtë mënyrë mësohet se aplikantët, për raundin e parë, pavarësisht paraqitjes së ankesës, nëse janë shpallur fitues në një ose disa programe të tjera studimi, mund të vijojnë procedurat e regjistrimit. Nëse ankesa e tyre është pranuar, ata duhet të çregjistrohen nga programi i studimit (nëse janë regjistruar) dhe të regjistrohen në programin e studimit, në të cilin është pranuar ankimimi, në datën 16 shtator 2019. Në raundin e dytë, bëhet me dije se në datat 23- 26 shtator 2019 çdo aplikant duhet të shikojë në faqen e internetit të IAL-ve ose të paraqitet në sekretaritë mësimore të fakulteteve për të parë renditjen e listës së fituesve. Bazuar në urdhrin e nxjerrë, aplikantët kanë të drejtën e ankimimit në IAL, në datën 27 shtator 2019.

IAL, pas përfundimit të afatit të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, përcjellin zyrtarisht në RASH, në datat 28 – 29 shtator 2019, vendimet lidhur me ankimimet e aplikantëve, si dhe 1 pasqyrojnë këto vendime, në format elektronik, brenda po kësaj date, në portalin U-Albania. “Për arsimin e lartë dhe shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë’”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 295, datë 10.05.2019, “Për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020” dhe të udhëzimit nr.5, datë 15.05.2019, “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë të studimeve, në institucionet e arsimit të lartë’’,urdhëroj:1. Miratimin e kalendarit “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2019-2020” Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri Qendra e Shërbimeve Arsimore, Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar, Drejtoritë Rajonale dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe IAL publike dhe jopublike”.

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: