April 24, 2024

maturante

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Rregullat dhe afatet që duhet të zbatojnë të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në universitetet e vendit. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit ministria e arsimit ka lënë më shumë kohë maturantëve për të thelluar njohuritë e tyre në degët ku do të marrin drejtimin, ndërkohë që këtë vit do të jetë vetëm një provim me zgjedhje, nga dy që kanë qenë gjatë viteve të kaluara

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka firmosur vendimin për miratimin e rregullores së Maturës Shtetërore. Ky dokument përcakton afatet dhe procedurat që duhet të ndiqen për miratimin, publikimin e formularëve si dhe mënyrën e administrim të testeve dhe kryerjes së provimeve të maturës shtetërore. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur maturantët duhet të jepnin 5 provime, këtë vit kanë 4, tre prej të cilave me detyrim dhe një me zgjedhje. Sipas rregullores së miratuar së fundmi, por edhe Programeve Orientuese të publikuara një muaj më parë, rezulton se këtë vit maturantët kanë më shumë kohë për t’u përgatitur për dhënien e provimeve.

Rregulloren e plotë e gjeni në linkun më poshtë – https://maturashteterore.com/matura-shteterore-2019/

Formulari A1

Rregullorja e maturës që gjendet në urdhrin nr 780 të datës 23 nëntor 2018, parashikon edhe afatet për kryerjen e aplikimit dhe plotësimit të formularit, pranë shkollave ku çdo maturant vazhdon shkollën e mesme. Formularët A1 dhe A1Z do të miratohen brenda datës 20 dhjetor 2018, kurse publikimi i tyre do të jetë në datën 24 dhjetor në portalin e MASR-së dhe të QSHA-së. Udhëzuesi për plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z nga maturantët do të jetë në portalin qeveritar E-Albania. Maturantët duhet ta bëjnë aplikimin online, fillimisht në portalin E-Albania nga 07-15 janar 2019 dhe më pas në portalin Matura Shtetërore, në datat 16 janar deri në 06 shkurt 2019, sipas kalendarit që do të përcaktohet nga QSHA. Brenda muajit shkurt 2019 do të përfundojnë të gjitha aplikimet, si dhe do të kryhen korrigjimet përkatëse në sistem.

Maturantët e vjetër

Rregullorja e këtij viti, duket se i ka të përcaktuara mirë edhe procedurat se si do të procedohet me individët që kanë mbaruar shkollën e mesme para 2019-ës dhe duan të aplikojnë në universitete. Kandidatët të cilët, në maturat shtetërore të viteve 2011-2018 rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje dhe nuk janë pajisur me diplomën e maturës, duhet të pajisjen me to. Kurse për kandidatët të cilët kanë marrë një dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje, të njehsuara nga IAVOAP. Këta kandidatë në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme, për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë. Sa i takon kandidatëve të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë të pajisur me diplomë, nuk e japin provimin e gjuhës së huaj si provim të detyruar.

Rregullat e provimit

Maturanti paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Në momentin e paraqitjes në mjediset e provimit, duhet të ketë dokumentin e identifikimit dhe mjetet e nevojshme si: laps e stilolaps, vizore, kompas, makinë të thjeshtë llogaritëse.

Kandidati plotëson testin me stilolaps me një ngjyre blu/të zezë. Në pyetjet me alternativa, maturanti/kandidat rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë. Maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore vendosen në një mjedis nga QSHA, për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe.

Për maturantët me aftësi të kufizuara, me miratimin e prindërve, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo shkruajnë, PAP-i autorizon një person jo të profilit, për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti. Ndërkohë për maturantët e paraburgosur, u krijohen kushte të posaçme për dhënien e provimit, të shoqëruar nga forcat e policisë, të cilët duhet të jenë pa armë dhe uniformë.

Maturantët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon AP-ja. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Kur maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë AP-në, PAP-in dhe përfaqësuesit e MAS-it. Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve. Kërkesa me shkrim për fotokopjen e testit paraqitet në KSHMSH, e cila do t’i kthejë përgjigjen.

Përjashtimi

Maturanti përjashtohet nga provimi kur: Ndryshon vendin që i është caktuar; Merr, jep informacion apo kopje ose komunikon me maturantët e tjerë; Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit; Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimi; Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.

Maturantit nuk i njihet rezultati:

  1. a) Nëse përdor laps apo stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuara ose përdor më shume se sa një ngjyrë në plotësimin e testit.
  2. b) Nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (bar-kodin).
  3. c) Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
  4. d) Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-i.
  5. e) Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

Mjediset e provimit

Mjediset ku do të zhvillohen provimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre. Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta. Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet. Maturantët/kandidatët duhet të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim.

Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40×30 cm. Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

Vlerësimi i testeve

AKP-ja shpall skemën e vlerësimit të testit, jo më vonë se tri orë pas përfundimit të çdo provimi të Maturës. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. Sa i takon personave të cilët do të kryejnë vlerësimin e testeve, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh. Sipas rregullores kërkohet që këta persona të kenë arsimin përkatës në fushën ku do të kryejnë korrigjimet, të kenë më shumë se 5 vite punë në mësimdhënie në shkollë të mesme, në lëndën që do të korrigjojnë. Të jenë korrektë me punën dhe në vlerësimet e mëparshme të maturës shtetërore, të jenë vlerësuar me “mirë” ose “shumë mirë”, e po ashtu dhe në kualifikimin e fundit të mësuesve, si dhe të jenë të certifikuar si vlerësues dhe të mos kenë konflikt interesi.

Rregulloren e plotë e gjeni në linkun më poshtë – https://maturashteterore.com/matura-shteterore-2019/

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

Discover more from Matura Shtetërore 2024

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading