
Bëjeni Share që të informoni shokët:
Dorina Rapti, përgjegjëse pranë IZHA, tregon ndryshimet që do ketë në vitin e ardhshëm arsimor. Kurrikula e një lëndë të vetme zgjidhet nga nxënësi për të thelluar njohuritë në funksion të ndjekjes së studimeve në universitet
Dorina Rapti, përgjegjëse e Sektorit të Kualifikimit, pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA) tregon për “Shekulli”-n ndryshimet që do ketë në tekstet e lëndëve për Maturën Shtetërore 2018-2019, të cilat do të jenë në përputhje me ndryshimet që parashikohen të bëhen për gjithë sistemin e organizmit të maturës 2019. Konkretisht, do të hartohet udhëzimi për lëndët me zgjedhje dhe trajnimi i mësuesve për klasat e 12-ta që orientojnë maturantët me programet e maturës 2019. Gjithashtu, Rapti tha se një ndryshim tjetër që do ndërmerret nga IZHA ka të bëjë me planin mësimor, ku klasat e 12-ta do të zhvillojnë vetëm 6 lëndë të detyruara dhe pjesën tjetër do ta plotësojnë me lëndët me zgjedhje, që dëshirojnë të studiojnë sipas preferencave të tyre. Ndërsa në lidhje me një shqetësim që kanë ngritur mësuesit dhe nxënësit për zbehjen e teksteve të matematikës, institucioni i IZHA-s, tha për “Shekulli”-n, se do të ndryshojë programi i kësaj lënde dhe për këtë do të angazhohet një grup pune, ku përfshihen edhe pedagogët e institucioneve të arsimit të lartë, që të jetë sa më i përshtatshëm për studentët në universitet.
Znj.Rapti, duke qenë se do bëhen ndryshime për Maturën Shtetërore të vitit të ardhshëm, si do të reflektohet ndryshimi edhe në programet e zhvillimit?
Për maturën e vitit shkollor 2018-2019 është duke u përgatitur e gjithë paketa e dokumentacionit nga Ministria e Arsimit dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit, e cila lidhet me: hartimin e udhëzuesit për mënyrën se si nxënësit do të zgjedhin lëndët me zgjedhje, hartimin e udhëzuesit në ndihmë të shkollave për organizimin e klasave për nxënësit e klasave të 12-ta, sipas lëndëve që ata kanë zgjedhur. Informacionin që nxënësit duhet të kenë në kohën e duhur për kriteret e ofruara nga institucionet e arsimit të lartë, hartimin e programeve orientuese të lëndëve të detyruara dhe provimit me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019, si dhe me materiale të tjera që sigurojnë informacion të mjaftueshëm për nxënësit. Përgatitja e trajnimeve nga IZHA të mësuesve që do të japin mësim në klasat e 12-ta për zbatimin e programeve të lëndëve, si dhe për programet orientuese të provimeve të Maturës Shtetërore 2019.
Pse është menduar vetëm një lëndë me zgjedhje për maturën 2019?
Sipas planit mësimor nxënësit e klasave të 12-ta në vitin shkollor 2018-2019 do të zhvillojnë vetëm 6 lëndë të detyruara njësoj për të gjithë nxënësit, ndërkohë që pjesën tjetër të planit mësimor ata e plotësojnë me lëndët me zgjedhje që dëshirojnë të zhvillojnë sipas interesave të tyre. Në planin mësimor kurrikula me zgjedhje fokusohet në zgjedhjen e lëndëve që nuk zhvillohen në bërthamë. Niveli i një lënde me zgjedhje nënkupton njëherësh; trajtim të lëndës në nivel më të lartë vështirësie, zgjerim të përmbajtjes në krahasim me lëndën bërthamë, por përsëri me nivel më të lartë vështirësie se ai i lëndës bërthamë. Lëndë e re në një fushë të caktuar kurrikulare. Kurrikula me zgjedhje zgjidhet nga nxënësi për të plotësuar formimin e tij të përgjithshëm, të përmbyllë studimet ne arsimin e mesëm të lartë dhe në funksion të ndjekjes së studimeve në institucionet e arsimit të lartë.
Si do të jenë tekstet e provimeve për gjithë sistemin e Maturës Shtetërore për vitin e ardhshëm akademik?
Tekstet për çdo lëndë sipas planit mësimor, do të jenë në përputhje me programet e reja të klasës së 12 të miratuara nga Ministria e Arsimit. Lidhur me testet në maturën e vitit 2019 do të kemi 3 provime të detyruara që janë: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi (të dyja lëndët në një provim) Matematikë (niveli bazë) Gjuhë e huaj e parë, si dhe do të ketë një provim me zgjedhje të cilën nxënësit e zgjedhin nga lista e lëndëve të përcaktuara e Udhëzimin e Maturës Shtetërore 2019.
Konkretisht cilat janë tekstet që do ndryshojnë dhe më çfarë arsyetimi do ta ndërmerrni një nisme të tillë?
Tekstet e klasës 12-të do të ndryshojnë për të gjitha lëndët, për shkak të programeve të reja dhe të ndryshuara që janë hartuar me kurrikulën bazuar në kompetenca. Siç besoj jeni në dijeni, që prej 4 vitesh në sistemin e arsimit para universitar po zbatohet kurrikula bazuar në kompetenca, e cila sjell si domosdoshmëri hartimin e teksteve të reja që ndihmojnë nxënësin për zhvillimin e këtyre kompetencave.
Ka pasur shumë ankesa nga mësuesit dhe nxënësit për tekstet e matematikës, të cilat janë zbehur dhe nuk janë në përputhshmëri me nivelin e nxënësve. Keni menduar të bëni ndryshime në tekstet e kësaj lëndë?
Sipas planit mësimor të gjimnazit me të cilën janë njohur të gjithë mësuesit edhe nxënësit, që në fillim të zbatimit të kësaj kurrikule, në klasën e 12-të nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin për të zhvilluar programin e lëndës së matematikës në nivelin bazë apo të zhvillojnë programin e lëndës së matematikës, e cila përveç nivelit bazë përmban edhe nivelin e avancuar. Ky program është hartuar nga grup pune, ku janë përfshirë edhe pedagogë te institucioneve te arsimit te larte dhe është i përshtatshëm për nxënësit që të vazhdojnë më tej studimet në arsimin e lartë. Sigurisht edhe tekstet në lëndën e matematikës do t’i referohen zbatimit të këtyre programeve. Përpos kësaj për nxënësit që kërkojnë të studiojnë edhe më shumë lëndën e matematikës, IZHA ka përgatitur modul kurrikular e cila përmban zgjerim edhe më shumë të tematikave të tjera në lëndën e matematikës. Nxënësit mund ta zgjedhin këtë modul kurrikular në kuadër të lëndëve me zgjedhje për të zgjeruar më tej dijet e tyre në këtë lëndë.
Nisma “3 në 6 orë”, i detyron nxënësit të keq ushqehen pranë pikave ambulante të shitjes
Ambulantët pranë shkollave janë një zgjidhje e detyruar për një pjesë të nxënësve të Elbasanit për të ngrënë gjatë kohës që qëndrojnë në Shkollë. Shpesh herë, kjo i ekspozon ata përballë rreziqeve shëndetësore, pasi produktet e shpejta që konsumojnë janë të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Rastet e helmimeve kanë qenë të shumta. Qyteti është përzgjedhur për zbatimin e projektit bëjmë detyrat në klasë ku përfshihet edhe ushqimi i kontrolluar, por zbatimi nuk ka nisur ndaj, nxënësit kanë dy alternativa: Buke me vete ose t’i drejtohen ambulantëve që qëndrojë pranë kangjellave.
Në lidhje me fenomen, i cili kërcënon shëndetin e fëmijëve ka reaguar kryeinspektori Aurel Kaja, i cili pasi ka konstatuar 30 raste aktivitetesh të paligjshme, paralajmëron një aksion për t’i dhënë fund abuzivitetit. “Janë konstatuar mbi 30 raste ku janë hapur objekte brenda shkollave që kryejnë aktivitet të paligjshëm”, shprehet Kaja. Ndërsa garantimi i cilësisë së ushqimit për nxënësit është një qëllim i shpallur tashmë i shumë institucione, por në shumë qytete duket se ende ka shumë punë për të bërë.
Udhëzimi, si ndryshon Matura Shtetërore 2018-2019
Sipas nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të neneve 26 dhe 51 të Ligjit Nr. 69 datë 21.06.2012 “për sistemin arsimor para universitar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar: Lëndët e Provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë të jenë; Provime të detyruara: Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e huaj dhe një provim me zgjedhje. Testi i gjuhës së huaj (D3) të hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj e parë.
Testi i provimit të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm të lartë. Gjuha e huaj si provim i detyruar, përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1/A1Z. Kandidatët e viteve të kaluara( të maturave shtetërore 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018), që kanë rezultuar jo kalues në provimin D3, duhet ta rihapin këtë provim. Kandidatët e tjerë, (të maturave shtetërore para vitit 2014) që aplikojnë me A1Z, nuk do japin provimin e detyruar D3.
Provimi me zgjedhje
Lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e arsimit të mesëm dhe të lartë, do të jetë: Kimi, fizikë, biologji, histori, gjeografi, qytetari dhe psikologji, Ekonomi. Provimet e detyruara të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara(gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj e parë) për të gjithë maturantët/kandidatët të jenë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë.
Programet orientuese
Programet orientuese të lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët/kandidatët që plotësojnë formularin A1/A1Z.Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje. Maturanti/kandidati zgjedh një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse e ka zhvilluar ose jo, apo i është ofruar ose jo ajo lëndë nga shkolla. Kandidati që ka dhënë dy ose më shumë provime me zgjedhje dhe është vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.50(nota 5), i njihen ato provime dhe nuk mund t’i japë më. Kandidati, i cili rezulton mbetës në të paktën njërin prej provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, duhet ta ri japë atë që të pajiset me diplomë. Kandidatët, që në maturat shtetërore 2013-18 kanë zgjedhur për të dhënë dy provime me zgjedhje dhe; kanë mbetur në të dy provimet, të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi; rezultojnë kalues në një prej tyre, të pajisen me diplomën e maturës.
Kandidatët që në Maturën Shtetërore 2012 kanë zgjedhur për të dhënë tre provime me zgjedhje dhe; kanë mbetur në dy ose tri provime, të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij udhëzimi; rezultojnë kalues në dy prej tyre, të pajisen me diplomën e maturës. Kandidatët të cilët kanë marrë dëftese pjekurie 2011 dhe dëshirojë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje ose provimet e njëvlershme me to, të njësuara nga njësitë arsimore vendore. Këta kandidatë, në rastet kur kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.
Mehmeti: Në listë mungojnë shumë lëndë të rëndësishme
Ndryshimet që janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit për Maturën Shtetërore 2018-19, kanë nxitur reagime te ekspertët e arsimit, të cilët konkludojnë në uljen e cilësisë për pranimet në universitet. Ndriçim Mehemeti, ekspert për arsimin para universitar tha për gazetën “Shekulli”, se në listën e lëndëve me zgjedhje mungojnë shumë lëndë të rëndësishme, si gjuha e huaj apo Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (TIK), të cilat kërkohen në treg. Ndërsa zgjedhja e një lëndë të vetme nga maturantët ul peshën e provimeve të Maturës Shtetërore, tha Mehmeti.
“Fakti që do të jepet vetëm një lëndë me zgjedhje, ul peshën dhe rëndësinë e provimeve te MSH. Po nxënësit që kanë dhënë dy provime me zgjedhje, çfarë përparësie do të kenë në krahasim me ata që do të japin vetëm 1 provim; Pika 6/a e udhëzimit ka një kundërshtim brenda saj: Në këtë pikë, udhëzimi shprehet se “kandidatët që kanë mbetur në dy ose tri provime të japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje. Po nëse një kandidat është kalues në një provim nga tre provime që ka dhënë, përse duhet të japë edhe një tjetër, pasi në ketë mënyrë atij i bëhen dy provimeve me zgjedhje, kur ne të njëjtin udhëzim pika 2/1, flitet për një provim me zgjedhje. Lisat e lëndëve me zgjedhje është shumë e ngushte dhe kombinime të çuditshme lëndësh.
Lista e lëndëve me zgjedhje, çuditërisht nuk përfshin lëndë të tilla, si gjuhë të huaja apo TIK. Kjo e fundit është një nga kërkesat e tregut dhe maturanti nuk ka të drejtë ta zgjedh. Atëherë shtrohet pyetja se kriter për të shkuar në Inxhinieri elektronike, Informatike, TIK, do të jenë vetëm lëndët e Kimisë, Biologjisë dhe Fizikës? Më duket se edhe në këtë rast ka një kontradikte të madhe. Po me nxënësit e Koreografisë dhe shkollave të muzikës si do të bëhet. Përse ata të mos kenë mundësi të japin provim si lëndë me zgjedhe lëndët e profesionit të tyre si: Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti. Ajo çka përben një skandal në gjykimin tim, është fakti se provimet e MSH 2018 bëhen në një hark kohor mjaft të shkurtër nga data 4 deri në 20 qershor. Pra, maturantët do të kenë jo më shumë se 4 ditë për përgatitjen e provimeve, çka i fut në ankth dhe stres maturantët”, shprehet eksperti.
Bëjeni Share që të informoni shokët:
