
Përpunimi i drurit por edhe profesionet që prekin akuakulturën mbeten zanatet më të kërkuara në Bashkimin Evropian. Pavarësisht kësaj, të rinjtë shqiptar nuk i preferojnë ndaj dhe shumë degë në Universitetin Bujqësor të Tiranës rrezikojnë të mbyllen. Përkundrazi, ekonomi- financa vazhdon të ketë më shumë studentë.
Specialistët e pyjeve i mungojnë tregut të punës, por pavarësisht kësaj të rinjtë duket se nuk kanë interes për të studiuar në programe të tilla.
Në Universitetin Bujqësor, degët e Fakultetit të Shkencave Pyjore si “Përpunim druri” dhe “Mbarështrim Pyjesh” këtë vit kanë një numër shumë të ulët të regjistruarish, përkatësisht 7 dhe 6 studentë.
Bahri Musabelliu: Mbase dhe nuk është informacioni i duhur sepse kohë më parë studentët mendonin se funksionin me këto Ndërmarrjet e Shërbimit Pyjor por sot kërkesa e tregut punës për këto profesione është goxha e madhe. Për inxhinierë pyjesh dhe inxhinierë të përpunimit të drurit sot ka nevojë pylltaria, industria e drurit, mjedisi.
Rektori, Bahri Musabelliu, thotë se edhe programi “Biologji Marine dhe Akuakulturë” rrezikon mbylljen pasi për të kanë shfaqur interes vetëm 3 studentë.
Bahri Musabelliu: Është një numër relativisht i ulët, besoj se mund të rritet numri sepse janë 37 aplikantë që presin.
Por ka disa programe që për raundin e dytë të regjistrimeve kanë një numër të kufizuar kuotash.
Bahri Musabelliu: Janë 8 kuota në menaxhim agro-biznesi,1 kuotë në ekonomi dhe politika zhvillimi rural, 4 kuota në financë-kontabiltet, 15 kuota në menaxhim turizmi rural,8 kuota në informatikë biznesi, 3 kuota në ekonomiksin e aplikuar. Këto janë degët më të kërkuara.
Në Universitetin Bujqësor janë regjistruar 1135 studentë, ndërsa mbeten të lira ende rreth 660 kuota.