
Bëjeni Share që të informoni shokët:
Sot nisi raundi i dytë i aplikimit në universitete për të gjithë maturantët që nuk arritën të fitonin apo nuk ishin të kënaqur me degën që përzgjodhën në raundin e parë. Burime nga universiteti i Tiranës zbardhin për “Gazeta Shqiptare” numrin e kuotave të lira në 6-të fakultetet e këtij institucioni arsimor si dhe në filialin e tij në Sarandë. Ndërkohë rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata bën me dije për GSH se në këtë universitet nuk ka më kuota të lira pasi janë plotësuar të gjitha në raundin e parë. “Në Universitetin e Mjekësisë nuk ka më kuota të lira, janë plotësuar gjatë aplikimeve në raundin e parë”,-thotë Gjata. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot edhe numrin e kuotave të lira për Universitetin Bujqësor të Tiranës për të 5-ta fakultetet. Përkatësisht studentët në raundin e dytë do të kenë mundësinë të aplikojnë për 1763 vende të lira ndërsa në universitetin Bujqësor për 822 kuota boshe. Ndërkohë 3 ditë më parë, ishte faza e fundit e raundit të parë për procesin e regjistrimeve në universitete për vitin e ri akademik 2019-2020.
Në fund të përfundimit të fazës 14 ditore të regjistrimeve të fituesve të raundit të parë, do të bëhen edhe verifikimet përkatëse në lidhje me numrin e kandidatëve të regjistruar në secilin program studimi të universiteteve publike, duke identifikuar kështu edhe vendet e mbetura bosh, kuota të cilat do të jenë pjesë e raundit të dytë të pranimeve që do të zhvillohet në mes të muajit shtator. Aplikimet për raundin e dytë do të zhvillohen sërish online me plotësimin e një tjetër formulari preferencash duke nisur nga data 19 shtator dhe për të përfunduar në 21 shtator. Në këtë raund do të aplikohet për vendet mbetura bosh nga mbyllja e regjistrimeve të listës së fituesve të fazës së pare, çka do të thotë se maturantët në këtë raund do të jenë më të kufizuar në përzgjedhjen e degëve më të preferuara. Në raundin e dytë kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë ata maturantë që nuk kanë mundur të aplikojnë në raundin e parë dhe të gjithë ata që kanë aplikuar, por nuk janë shpallur fitues. Gjithashtu, në këtë raund mund të aplikojnë sërish të gjithë kandidatët që kanë kryer aplikimin, por nuk kanë arritur të regjistrohen si dhe ata që janë çregjistruar nga një program studimi. Kandidatët kanë të drejtë që të përzgjedhin deri në 10 preferenca me të cilat do të konkurrojnë për të fituar studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik, qofshin këto degë të universiteteve publike, apo private. Vetëm kandidatët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor, që fakton përfundimin e shkollës së mesme, që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6,5, si dhe që plotësojnë kriteret e tjera shtesë që mund të kenë vendosur vetë universitetet për programet që ofrojnë.
Bëjeni Share që të informoni shokët:
