Maturantët dhe kandidatët e tjerë që janë shpallur si fitues në listat e pranimeve të Raundit 3, duke nisur nga dita e sotme duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të fakulteteve për të bërë regjistrimin që konfirmon marrjen e statusit si student. Me shpalljen e listave finale të fituesve për raundin e fundit të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik 2020-2021, drejtuesit e universiteteve bëjnë thirrje që të bëhet kujdes me afatet e regjistrimit. Kjo pasi nëse nuk paraqiteni në afatin e përcaktuar, ju e humbisni të drejtën për të vijuar studimet e larta në programin përkatës, edhe pse jeni pjesë e listës së fituesve.

Për të parë nëse jeni shpallur fitues në programet e studimit me të cilat keni konkuruar në raundin e tretë, ju duhet të aplikoni online në portalin “u-albania”, në adresën www.ualbania.al, dhe të përzgjidhni shërbimin “këndi i maturantit”, ku pasi të keni vendosur kodin tuaj të identifikimit, do të mund të kontrolloni degën në të cilën jeni shpallur fitues për fazën e parë të regjistrimeve, teksa jofituesit mund të shikojnë edhe shnaset për të qenë fitues në një program tjetër deri në mbyllje të fazës së fundit të regjistrimeve të përcaktuara për raundin e tretë.

Pasi të hapni këtë faqe do të vëreni se çdo preferencë që është shënuar me ngjyrë të gjelbër tregon që ju jeni fitues në këto programe studimi. Në këtë rast duhet të vendosini se në cilën prej tyre doni të ndiqni studimet e larta dhe brenda 48-orëve duhet të paraqiteni për të regjistrimin si fitues. Në të kundërt e humbisni degën e fituar, duke i dhënë kështu mundësinë një tjetër maturanti që të jetë fitues në fazën tjetër të regjistrimit që do të zhvillohet në 48 orët e ardhshme.

Preferencat që janë të listuara me ngjyrë të kuqe tregojnë se nuk jeni fitues në këto programe studimi, por nga procesi i regjistrimeve, si dhe kuotat e mundshme të pranimit mund të ndodhë që të lirohen vende të cilat mund të krijojnë një shans për të qenë ju fitues në fazat e tjera të regjistrimeve. Ndaj këshillohet që të shikoni çdo herë ndryshimin e listës pas mbylljes së secilës fazë të regjistrimit të këtij raundi. Në rastet kur preferenca juaj shfaqet me ngjyrë të verdhë, kjo do të thotë se ju jeni fitues, por që procesin e regjistrimit mund ta kryeni vetëm në fazën pasardhëse të regjistrimit.

Afatet e regjistrimit të fituesve

“Njoftohen të gjithë aplikantët fitues të raundit të tretë, të ciklit të parë Bachelor, viti akademik 2020-2021,që të paraqiten në sekretaritë mësimore të fakulteteve, për të kryer regjistrimin në një nga programet e studimit në të cilin janë shpallur fitues. Regjistrimet për fituesit e raundit të tretë fillojnë prej datës 21-26 tetor 2020. Procesi i regjistrimit është i ndarë në 3 faza 48-orëshe. Në rastin e mosregjistrimit brenda 48 orëve në programin ku ju jeni shpallur fitues, humbisni të drejtën e regjistrimit në atë program”, sqarojnë autoritetet e universiteteve.

Në këto kushte, lista e fituesve do të ndryshojë tre herë sipas numrit të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës fazë regjistrimesh të këtij raundi.

Sikundër ka ndodhur edhe në dy raundet e mëparshme, gjatë paraqitjes për regjistrim, kandidati duhet të ketë me vete dokumentin e identifikimit dhe një fotokopje të tij, kopjen  e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesën e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave, ose një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MASR. Po ashtu duhet të keni edhe mandatin e pagesës së regjistrimit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë. Tarifa e regjistrimit si fitues është 1,600 lekë.

Një tjetër dokument i rëndësishëm është edhe deklarata sipas tipit të përcaktuar, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore dhe që nënshkruhet më pas nga të dy. Gjatë nënshkrimit të kësaj deklarate, krahas vërtetësisë së të dhënave, studenti duhet të konfirmojë se nuk po ndjek ndonjë program tjetër studimi në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe se nuk do të ndjekë njëkohësisht një program tjetër studimi, deri në përfundimin e degës në të cilën po regjistrohet në këtë fazë.

Regjistrimet për fituesit e Raundit 3 zhvillohen sipas këtyre datave:

  • 21-22 tetor zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së parë.
  • 23-24 tetor do të zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së dytë.
  • 25-26 tetor do të zhvillohen regjiztsrimet për fituesit e fazës së tretë.

Dosja e regjistrimit duhet të përfshijë:

  • Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja.
  • Fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesa e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose njëdëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MASR.
  • Mandati i pagesës së tarifës së regjistrimit shlyer në një nga bankat e nivelit të dytë në vlerën e 1600 lekëve.
  • Deklarata sipas modelit të përcaktuar, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të institucionit të arsimit të lartë përkatës dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë.

Burimi: Gazeta Dita

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: