
Shpërndaje me shokët që të informohen
Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, rishikohen edhe masat e administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2020. Në urdhrin e përbashkët MASR dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë kanë përcaktuar rregullat e reja se si do të zhvillohen provimet e këtij viti për maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, si dhe atyre profesionale. Sipas ndryshimeve të bëra, testet e këtij viti do të jenë të personalizuara me emrin e çdo maturanti. Këta të fundit do të kryejnë tre kontrolle para hyrjes në testim, që kanë të bëjnë me matjen e temperaturës, pajisjen me doreza dhe maska, si dhe dezinfektimin”. Rregullorja e re parashikon edhe penalitete për drejtuesit e shkollave nëse do të konstatohen parregullsi për kushtet e higjienës në ambientet e përcaktuara të provimeve.
Zhvillimi i provimeve
Nuk do të ketë ndryshime në datat e provimeve, çka do të thotë se testimet e detyruara dhe lënda me zgjedhje do të zhvillohen në periudhën 8 qershor-18 qershor sikundër ishte përcaktuar edhe në udhëzimin e mëparshëm të dikasterit të Arsimit. Ndryshimet do të bëhen në procesin e administrimit dhe zhvillimit të testimeve, të cilat do të jenë në përputhje me rregullat dhe kushtet e diktuara për parandalimin e Covid-19. Sipas rregullores së re, maturanti duhet detyrimisht të respektojë rregullat e distancimit fizik dhe të higjienës në ditën e paraqitjes dhe hyrjes në ambientet e përcaktuara të testimeve. Ndërkohë që të gjithë personat që do të përfshihen në procesin e administrimit të procesit të Maturës Shtetërore duhet të kenë detyrimisht me vete maska dhe doreza gjatë gjithë procesit, teksa duhet të kujdesen që të ruajnë edhe distancën fizike.
Koha për plotësimin e testit
Provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Maturantët, si në shkollat e mesme të përgjithshme, po ashte edhe në ato profesionale do kenë dy orë në dispozicion për plotësimin e testit, i cili këtë vit do të jetë vetëm me alternativa. Qendra e Shërbimeve të Arsimit është udhëzuar që të hartojë testet duke u mbështetur në ndryshimet e bëra në programet orientuese, çka do të thotë se në teste nuk do të përfshihen temat e zhvilluara gjatë procesit mësimor online në kushtet e shtëpisë. Edhe drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar kanë nisur tashmë punën online për trajnimin e personave që do të përfshihen në procesin e administrimit të maturës së këtij viti. Administratorët e provimit dhe Përgjegjësit e Kateve do të duhet të nënshkruajnë një deklaratë, ku konfirmojnë marrjen detyrave dhe përgjegjësive të administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2020.
Kontrollet që duhet të kalojnë maturantët
Maturantët do të hyjnë në qendrën e provimit në radhë një e nga një duke mbajtur distancën deri në dy metra. Deri në gjysmë ore para nisjes së testimit maturantët duhet të jenë të sistemuar të gjithë nëpër klasa dhe tavolinat e tyre personale.
Në çdo shkollë do të ketë staf mjekësor që do të bëjë monitorimin e maturantëve gjatë hyrjes në ambientet e provimit. Ky personel do të kryejë për çdo maturant këto tre kontrolle: “Matjen e temperaturës në ballë me termometër digjital, të spërkasë me solucion dezinfektues me përmbajtje 70 për qind alkooli duart e çdo nxënësi, si dhe të kontrollojë ata që të jenë të pajisur me maska dhe doreza”. Në rastet kur nuk do të kenë maska apo doreza, maturantët do pajisen nga shkolla me to, pastaj do të hyjnë në sallën e provimit.
Verifikimi i testeve para plotësimet
Ndryshe nga vitet e shkuara testet në Maturën 2020 do të jenë të personalizuara për çdo maturant dhe jo me barkode. Administratori i provimit shpërndan dhe administron vetëm një test dhe fletë përgjigje të personalizuar për çdo maturant, bazuar në listën e pjesëmarrjes së dërguar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Administratori gjithashtu sigurohet që çdo maturant të ketë dorëzuar një test të firmosur. Një këshillë që jepet për maturantët në këtë rast, është që të shikojnë me kujdes testin që marrin dhe të bëjnë në kohë verifikimet e përmbajtjes së tij.
“Maturanti dhe kandidati pasi merr testin dhe fletë-përgjigjen kontrollon që ato janë me emrin e tij dhe i nënshkruan. Gjithashtu kontrollon edhe gjendjen fizike të testit nëse ka probleme dhe është i palexueshëm apo mungon ndonjë faqe. Nëse vërehen parregullsi kërkon një test tjetër nga administratori i provimit, ku dhe duhet të plotësojë një deklaratë për marrjen e një testi të ri, duke shënuar edhe emrin në test me shkrimin e tij”, përcaktohet në rregulloren e re të miratuar nga dy ministritë përkatëse.
Ambientet ku do zhvillohen provimet
Në rregullore përcaktohet se Komisioni i Maturës Shtetërore në zyrën Arsimore të secilit rreth dërgon në njësitë e pushtetit vendor listën e shkollave ku do të zhvillohen përgjatë këtij viti provimet. Njësitë vendore janë përgjegjëse për dezinfektimin e këtyre ambienteve ku do të zhvillohen provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje. Komisioni Shkollor i Maturës do të përgatisë dhe kontrollojë ambientet e provimit 24-orë përpara, duke u kujdesur vecanërisht për rregullat e higjienës.
Penalitetet për drejtuesit e shkollave
Drejtori i shkollës konfirmon në Zyrën Vendore Arsimore një ditë para ditës së provimit se mjedisi përmbush kushtet higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik. Nëse mjedisi i provimit është në kundërshtime me rregulloren e maturës, për drejtorin e shkollës do të merren masa administrative. Mjediset ku do të zhvillohen testimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara mirë, si dhe të dezinfektuara sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
KUJDES!
Maturanti dhe kandidati pasi merr testin dhe fletë-përgjigjen kontrollon që ato janë me emrin e tij dhe i nënshkruan. Gjithashtu duhet të kontrolloni me kujdes edhe gjendjen fizike të testit nëse ka probleme dhe është i palexueshëm, apo mungon ndonjë faqe. Nëse vërehen parregullsi ju duhet të kërkoni një test tjetër nga administruesit e provimit. Pasi të merrni testin e ri duhet që të firmosni një deklarate që konfirmon këtë veprim, teksa në testin e ri duhet të shkruani sërish emrin tuaj.
Rregullat e plotësimit të testit nga maturanti, janë:
- Duhet të përdorë stilolaps blu ose të zi.
- Duhet të mbushë me stilolaps për secilën pyetje rrethin që përfaqëson alternativën që e mendon të saktë.
- Nëse për një pyetje ka mbushur dy rrathë përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do vlerësohet me 0 pikë.
- Nëse për një pyetje ka plotësuar alternativën e saktë në test, por nuk e ka shënuar në fletën e përgjigjeve, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë.
- Nëse për një pyetje nuk ka mbushur asnjë rreth, sërish do të vlerësohet me 0 pikë. Nuk duhet të përdoret korrektor për ndryshimin e përgjigjeve., pasi këto pyetje do të jenë të palexueshme nga sistemi digjital.
- Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në 12:00. Me vete duhet të keni detyrimisht krahas maskës dhe dorezave edhe mjetin e identifikimit, pa të cilin nuk do të mund të hyni në ambientet e testimit.
- Vlerësimi i testeve do të realizohet në qendra vlerësimi të përzgjedhura nga QSHA. Sistemi i korrigjimit për këtë vit do të bëhet nëpërmjet sistemit digjital.
Burimi: Gazeta Dita