Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Maturantët e shkollave profesionale do të japin si provim me zgjedhje në Maturën Shtetërore 2020 lëndën e Teorisë profesionale të integruar, të përzgjedhur sipas profilit të shkollës që kanë frekuentuar. Në udhëzimin e miratuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, janë përcaktuar kriteret se si do të zhvillohen provimet e maturës për nxënësit që kryejnë gjatë këtij viti studimet e shkollës së mesme, si dhe maturantët e viteve të shkuara. Sipas udhëzimit, provimet e Maturës Shtetërore Profesionale 2020, janë: tre provime të detyruara në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës, gjuhës së huaj, si dhe lënda me zgjedhje e teorisë profesionale të integruar, sipas drejtimit apo profilit që maturanti ka ndjekur në shkollë.  Sipas afateve të përcaktuara, maturantët në datën 8 qershor 2020 do të zhvillojnë provimin e gjuhës së huaj, në datën 11 qershor provimin e gjuhë shqipe dhe letërsisë, për të vijuar më tej në datën 15 qershor me testimin e matematikës,teksa në datën 18 qershor do të zhvillojnë provimin e fundit në lëndën teori profesionale e integruar. Edhe për këtë kategori maturantësh, administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore Profesionale 2020 do të bazohet në rregulloren e miratuar pak më herët nga dikasteri i arsimit.

Kriteret për testimin e gjuhës së huaj

Në udhëzim saktësohet se testi i gjuhës së huaj (D3) edhe për shkollat profesionale do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm profesional trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm profesional. Për kandidatët e viteve të kaluara (kryesisht të të Maturave Shtetërore 2014, 2015, 2016, 2017, 2018 dhe 2019) që kanë rezultuar jokalues në provimin e gjuhës së huaj, duhet ta rijapin sërish këtë provim përgjatë sezonit të provimeve të 2020-s këtë provim. Ndërsa kandidatët e tjerë (të Maturave Shtetërore para vitit 2014) që aplikojnë me A1Z, nuk do ta rijapin provimin e detyruar të gjuhës së huaj.

Programet orientuese

Provimet e detyruara gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, gjuhë e huaj e parë dhe programet orientuese të tyre do të të mbështeten në programet ekzistuese të kulturës së përgjithshme të arsimit profesional. Ndërsa provimet e detyruara të teorisë profesionale të integruar, mbështeten në programet orientuese të publikuara në faqen e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Formimit Profesional dhe Kualifikimeve. Kandidati, i cili rezulton mbetës në të paktën njërin prej provimeve të detyruara të maturës së vitit 2020, duhet ta rijapë atë sërish në sezonin e vjeshtës që të pajiset më pas me diplomë të përfundimit të shkollës së mesme, çka më pas i hap udhë edhe garës për studimet e larta në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në vend.

Kushtet për maturantët e viteve 2013-2016

Autoritetet e arsimit kanë sqaruar edhe kushtet e dhënies së provimit me zgjedhje për maturantët që kanë kryer studimet e shkollës së mesme në maturat e viteve të shkuara. Konkretisht, kandidati që në Maturën Shtetërore 2013- 2016 ka zgjedhur teorinë profesionale të integruar dhe është kalues, do të pajiset me diplomën e Maturës Shtetërore Profesionale, pavarësisht se mund të rezultojë jokalues në një apo dy provimet e tjera me zgjedhje. Ndërsa në rastet kur ka zgjedhur teorinë profesionale të integruar dhe rezulton mbetës, duhet të rijapë provimin e detyruar të teorisë profesionale të integruar gjatë Maturës 2020, pavarësisht rezultateve të provimeve të tjera me zgjedhje. Gjithashtu bëhet e ditur se kur këta kandidatë kanë zgjedhur dy apo tri lëndë me zgjedhje përgjatë maturave 2013-2016, te të cilat nuk përfshihet Teoria profesionale e integruar, duhet të japë provimin e detyruar të teorisë profesionale të integruar, pavarësisht rezultateve të provimeve të tjera me zgjedhje.

Kushtet për maturantët e para 2011-s

Për kandidatët që kanë marrë Dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë,  bëhet e ditur se do t’u njihen provimet e detyruara ose provimet e njëvleftshme me to, të njësuara nga njësitë arsimore vendore. Këta kandidatë, në rastet kur nuk ka dhënë provimin e Teorisë profesionale të integruar ose e kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin këtë provim, kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.

Hartimi i testeve dhe skema e vlerësimit

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2020 do të fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe të provimit me zgjedhje vlerësohet me 60 pikë maksimale. Ndërkohë që për të qenë kalues, maturantët duhet të grumbullojnë detyrimisht 25 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi. Maturantët apo kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2020, i rijapin provimet në sesionin e dytë. Institucionet e arsimit të mesëm të lartë  do të organizojnë konsultimet në ndihmë të nxënësve maturantë për provimet e Maturës Shtetërore, sipas një kalendari të miratuar nga zyrat vendore të arsimit parauniversitar. Këto konsultime do të jenë objekt monitorimi nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar.

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: