
Rikthimi në bankat e shkollës, për shumë nxënës por edhe mësues vazhdon të jetë e vështirë, pas gjendjes së rënduar psikologjike ardhur nga tërmeti i datës 26 nëntor, sidomos në zonat e prekura si Durrësi.
Ndërkohë, ministrja e arsimit, znj.Besa Shahini dha urdhër të prerë se mësimi do të niste të hënën e 9 dhjetorit, me ndonjë përjashtim tek-tuk.
Vetëm 11 ditë mësimi për nxënësit, dhe fillojnë pushimet e festave të fundvitit, 11 ditë të cilat fare mirë mund të ishin shfrytëzuar për qetësimin e tyre pranë familjes dhe njëkohësisht për ekzaminime më konkrete për dëmet e shkaktuara në shkolla.
Megjithatë, data e përfundimit të procesit mësimor për vitin 2019 është bërë e ditur nga drejtori i përgjithshëm i arsimit parauniversitar, z.Selman Hodaj.
“Në vijim të Urdhrit të Përbashkët Nr. 220, datë 11.04.2019 “Për miratimin e strukturës së vitit shkollor 2019-2020 në sistemin arsimor parauniversitar. Ju bëjmë me dije se procesi mësimor përfundon më datë 20 dhjetor 2019 dhe fillon në datën 06 janar 2020.”, bën me dije z.Hodaj.
Nga ana tjetër, një problematikë e ngritur nga ana e çdo drejtorie shkolle ka qenë në lidhje me orët e humbura, specifikisht për maturantët, të cilët në fakt, e përfundojnë vitin kalendarik shumë më herët se nxënësit e tjerë, për t’u përgatitur për provimet e maturës.
Në lidhje me zëvendësimin e këtyre orëve të humbura gjatë kësaj periudhe, bëhet me dije nga instancat drejtuese të arsimit parauniversitar, se institucionet arsimore do të njoftohen në muajin Janar 2020.