Dr. Aida Zhupa

Çdo vit, mijëra maturantë në të gjithë Shqipërinë përballen me provimet e Maturës Shtetërore, si një hap i rëndësishëm drejt të ardhmes së tyre. Për pasojë, periudha e fundvitit kthehet në stres jo vetëm për nxënësit, por edhe për prindërit dhe mësuesit. Menaxhimi i mirë i kësaj situate do i ndihmonte maturantët të kishin rezultate më të larta në këto testime. Si duhet kuptuar ky proces?

Është diçka krejt normale që çdo lloj testimi të krijojë stres, por niveli i lartë i tij mund të shndërrohet në një pengesë serioze, që e bën nxënësin të ndihet konfuz, të kenë nivel të ulët përqendrimi dhe deri pasoja për shëndetin mendor e fizik të tij, si pagjumësi, nervozizëm, ankth etj.

Çfarë i streson më shumë maturantët gjatë kësaj periudhe? Një ndër faktorët kryesor është pasiguria, e cila vjen të paktën për dy arsye: Së pari, ndryshimi i shpeshtë i procedurave të këtij testimi, duke krijuar një terren të panjohur për të gjithë—nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Së dyti, dhe pasojë e së parës, mungesa e një organizimi dhe pune efikase nga ana e shkollës dhe mësuesve të lëndëve përkatëse, për konsultimin e maturantëve.

Përballja me të panjohurën, sigurisht shton ankthin dhe kthehet në pengesë për përqëndrimin gjatë sezonit të provimeve. Ndryshimet e shpeshta të kurrikulës së shkollës së mesme, të teksteve dhe programeve lëndore i kanë çorientuar si mësuesit, ashtu dhe nxënësit. Rezultat i këtyre ndryshimeve janë përmbajtja dhe formati i testeve, që do të zhvillohen këtë vit, si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje. Ky ndryshim ka krijuar konfuzion dhe pasiguri te maturantët e këtij viti shkollor, të cilët përballen për herë të parë me to. Për ta bërë terrenin më të njohur dhe situatën më pak stresuese, mësuesit, në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave, nevojitet të jenë të kujdesshëm në sqarimin e detajuar e të vazhdueshëm të programeve të maturës për secilën lëndë, duke u bazuar në objektivat e hartuara nga specialistë të fushës.

Megjithë vështirësitë, siç janë ngarkesa e mësuesve në fund të vitit dhe numri i madh i nxënësve në shkollat publike, nuk është i pamundur organizimi i konsultimeve me maturantët. Kjo është rruga më e mirë, sepse janë mësuesit e lëndëve ata që mund t’i orientojnë drejt nxënësit e tyre, pasi i njohin më mirë vështirësitë dhe problemet që ata kanë pasur në të gjithë nivelet e shkollimit. Në këtë mënyrë mund të shmangen edhe probleme të tjerë, që lidhen me konsultimet private që zhvillohen gjatë kësaj periudhe nga një pjesë e mirë e nxënësve dhe që sjellin rrezikun e humbjes së kohës dhe shpenzimeve të tepërta financiare për familjet e tyre. Nga ana tjetër, konsultimet ezhvilluara privatisht nga individë të ndryshëm, shpesh jo profesionistë, nuk rezultojnë të suksesshëm, pasi “konsultuesit” nuk janë në kontakt me programet orientues të maturës dhe ndryshimet e tyre.

Faktori tjetër, burimi i pasigurisë së nxënësve dhe që ka pasoja afatgjata për të ardhmen e tyre ka të bëjë me nivelin e njohurive që ata kanë marrë në vazhdimësi, gjatë të gjithë cikleve të arsimimit. Njihen tashmë vështirësitë e të nxënit në ditët e sotme, kur gjithmonë e më shumë krijohet bindja se fëmijët dhe të rinjtë kanë humbur interesin për shkollën. Kjo dukuri është e pranuar kudo në botë, edhe në vendet e zhvilluar, për pasojë e bumit të informacionit që fëmijët e të rinjtë marrin çdo ditë në rrugë dhe forma të ndryshme informale, ndër të cilat, pa dyshim, më i rëndësishmi është përdorimi i internetit. Për këtë arsye, shkolla nuk mund të vazhdojë më me metodat tradicionale, ku rolin qendror vazhdon ta luaj mësuesi dhe të mësuarit teorik riprodhues. Përfshirja aktive e nxënësve në procesin e të nxënit ndodh atëhere kur mësimi dhe njohuritë që ata marrin në shkollë iu përshtaten interesave të tyre për jetën dhe nevojave të kohës sonë. Kjo pjesëmarrje dhe puna krijuese e tyre në lëndë të ndryshme rrisin vetëvlerësimin dhe interesimin e nxënësve për shkollën, çka mundëson që maturantët të dinë të përballen me sfidat që ndeshur, me besimin se do t’ia dalin me sukses.

Në përfundim, mund të themi se menaxhimi sa më i mirë i kohës që ka mbetur deri në provimet e matures do të ishte rruga për mbylljen me sukses të kësaj prove. Në kuadrin e sfidave të shumta, matura shtetërore duhet të shihet si një përvojë që mobilizon forcën e vullnetit dhe rrit dëshirën e të rinjve për sukses.

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: