Struktura e testit
Nëpërmjet testit të lëndës së matematikës në provimin e Maturës Shtetërore, nxënësi do të vlerësohet për realizimin e kompetencave matematikore sipas peshave të mëposhtme:
| Kompetencat matematikore | Përshkrimi i kompetencave | Pesha |
| Lidhja konceptuale dhe të menduarit matematikor | Nxënësi kupton ndërtimin e koncepteve matematikore për të formuar një të tërë dhe përdor varësitë ndërmjet këtyre koncepteve. Të menduarit matematik zhvillon lidhjen ndërmjet koncepteve duke i ndërtuar dhe zbatuar ato në proceset matematikore përkatëse. Treguesit kryesorë janë: ✓ rikujton faktet me saktësi; ✓ përdor terminologjinë dhe përkufizimet matematikore; ✓ përdor dhe interpreton saktë konceptet dhe simbolet matematikore; ✓ kryen me saktësi procedurat standarde; | 40% |
| Zgjidhja e situatës problemore | Nxënësi përshkruan dhe zgjidh situata problemore, të nivelit praktik të marra nga përvojat e përbashkëta të jetës së përditshme dhe të nivelit abstrakt duke zhvilluar kapacitetin e tij intelektual dhe intuitën krijuese. Nxënësi interpreton rezultate të zgjidhjes në kontekstin e problemit të dhënë. Treguesit kryesorë janë: ✓ përcaktimi i të dhënave të situatës problemore; ✓ interpretimi i një situate problemore; ✓ zbatimi i hapave të ndryshëm për zgjidhjen e situatës problemore; ✓ vlefshmëria e zgjidhjes së situatës problemore; ✓ paraqitja e zgjidhjes së situatës problemore. | 20% |
| Arsyetimi dhe vërtetimi matematik | Nxënësi përdor arsyetimin dhe argumentimin si aspekte themelore të matematikës. Arsyetimi ka të bëjë me organizimin logjik të fakteve, ideve ose koncepteve në mënyrë që të arrijë në një rezultat më të besueshëm se intuita. Nxënësi organizon konkluzione nga një informacion matematikor i dhënë, ndërton zinxhirin e arsyetimit për të arritur në një rezultat, interpreton informacionin me saktësi, vlerëson vlefshmërinë e një argumenti matematikor ose paraqitjen e një informacioni. Treguesit kryesorë janë: ✓ identifikimi i elementeve të situatës matematikore; ✓ përdorimi i koncepteve matematikore dhe proceset e përshtatshme për situatën e dhënë; ✓ arsyetimi për zbatimin e koncepteve dhe proceseve në situatën e dhënë. | 20% |
| Modelimi matematik | Nxënësi përshkruan dhe krijon modele duke përdorur veprimet themelore matematikore në situata të jetës së përditshme. Modelimi është procesi i paraqitjes së situatës nga jeta reale me gjuhën matematikore. Nëpërmjet përdorimit të teknikave përkatëse, gjendet zgjidhja matematikore, e cila më pas interpretohet në jetën reale. Treguesit kryesorë janë: ✓ interpretimi i situatës në jetën reale; ✓ modelimi në gjuhën matematikore; ✓ gjetja e zgjidhjes matematikore; ✓ përkthimi i zgjidhjes matematikore në zgjidhje të situatës në jetën reale. | 20% |
Bazuar në këtë kurrikul, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore: numri; matja; gjeometria; algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin); statistika dhe probabiliteti.
Këto tematika, janë bazë për të ndërtuar njohuri, shkathtësi dhe qëndrime e vlera. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila prej tyre kundrejt orëve totale të lëndës së matematikës në zhvillimin e njohurive dhe rezultate vetë të nxënit që duhet të demonstrojë nxënësi në përmbushjen e kompetencave matematikore.
Tematikat dhe renditja e tyre nuk nënkuptojnë që përmbajtja e testit duhet të zhvillohet në këtë renditje. Në përgatitjen për përmbushjen e këtij programi orientues do të përdoren programet e lëndës së matematikës, klasat 10-12.
| Tematika | Numri | Matjet | Gjeometria | Algjebra dhe funksioni (Derivati dhe Integrali) | Statistika dhe probabiliteti |
| Pesha | 17% | 15% | 13% | 38% | 17% |
Lexoni Programet Orientuese për secilën nga lëndët – Programet Orientuese, Matura 2023
