Shpallen fituesit e raundit të dytë, të pranimeve në universitete. Pas vlerësimit të kushteve të përmbushura nga të gjithë aplikuesit, institucionet e arsimit të lartë publik dhe ato private në vend kanë shpallur tashmë listën e re të fituesve që do të mund të vijojnë studimet e larta në programet e fakulteteve të tyre përgjatë vitit të ri akademik 2020-2021.

Sikundër ndodhi në raundin e parë, fituesit që janë pjesë e listave të shpallura duhet të jenë shumë të kujdesshëm në ndjekjen e procedurave të regjistrimit në afatet e përcaktuara, pasi në të kundërt e humbasin degën e fituar. Regjistrimet në Raundin 2 do të zhvillohen në 5 faza 48-orëshe. Kështu, duke nisur nga data 30 shtator dhe deri në datën 9 tetor, lista e fituesve do të ndryshojë pesë herë sipas numrit të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës fazë regjistrimesh.

“Në datat 30 shtator deri 9 tetor do të zhvillohen 5 faza 48-orëshe rgjistrimesh: faza e parë 30 shator-01 tetor, faza e dytë 2 dhe 3 tetor, faza e tretë 4 dhe 5 tetor, faza e katërt 6 dhe 7 tetor, si dh faza e pestë që është edhe e fundit për regjistrimet e fituesve të këtij raundi do të zhvillohet në datat 8 dhe 9 nëntor. Të gjithë aplikantët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e dytë dhe janë shpallur fitues, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit, duke paraqitur dokumentacionin përkatës, në sekretaritë mësimore të universiteteve, në programin ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet sipas afateve të përcaktuara për fazan ku janë shpallur fitues. Kur aplikanti shpallet fitues, ai duhet të regjistrohet brenda 48-orëve nga momenti kur është shpallur fitues. Nëse nuk regjistrohet brenda këtij afati, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në atë raund”, bëjnë me dije ekspertët e dikasterit të arsimit.

Si të shihni ndryshimi e listës së fituesve!

Ekspertët e arsimit bëjnë me dije se ndryshimin e listës së fituesve mund ta shikoni çdo 48 orë online në portalin “U-albania”, në faqen www.ualbania.al. Pasi të hapni këtë faqe, duhet të klikoni në rubrikën “këndi i maturantit”, dhe pasi të hapet faqja përkatëse duhet të vendosni numrin tuaj të identifikimit. Pas këtij veprimi do të shfaqet tabela me të gjitha preferencat e përzgjedhura nga ju për vijimin e garës së studimeve të larta përgjatë raundit të dytë. Secila prej preferencave do të jetë e shënjuar me një ngjyrë të caktuar, e cila tregon mundësitë që keni për të qenë fitues, ose jo në këtë program.

Kështu, çdo preferencë që është shënuar me ngjyrë të gjelbër tregon që ju jeni fitues në këto programe studimi. Në këtë rast duhet të vendosini se në cilën prej tyre doni të ndiqni studimet e larta dhe brenda 48-orëve duhet të paraqiteni për të regjistrimin si fitues. Në të kundërt e humbisni degën e fituar, duke i dhënë kështu mundësinë një tjetër maturanti që të jetë fitues në fazën tjetër të regjistrimit që do të zhvillohet në 48 orët e ardhshme.

Preferencat që janë të listuara me ngjyrë të kuqe tregojnë se nuk jeni fitues në këto programe studimi, por nga procesi i regjistrimeve, si dhe kuotat e mundshme të pranimit mund të ndodhë që të lirohen vende të cilat mund të krijojnë një shans për të qenë ju fitues në fazat e tjera të regjistrimeve, ose dhe në raundin e tretë të aplikimeve që do të zhvillohen përgjatë muajit tetor. Ndaj këshillohet që të shikoni çdo herë ndryshimin e listës pas mbylljes së secilës fazë të regjistrimit të këtij raundi.

Në rastet kur preferenca juaj shfaqet me ngjyrë të verdhë, kjo do të thotë se ju jeni fitues, por që procesin e regjistrimit mund ta kryeni vetëm në fazën pasardhëse të regjistrimit.

Dosja e regjistrimit

Dokumentet e nevojshme për regjistrim që duhet të dorëzoni në afatet e përcaktuara pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës janë: Dokumenti i identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja. Gjithashtu në dosje duhet të dorëzohet edhe fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesa e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MASR, mandati i pagesës së tarifës së regjistrimit, si dhe deklarata, e cila plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të fakultetit përkatëse. Autoritetet e MASR sqarojnë se duhet të kontrolloni me kujdes për saktësinë e programit ku jeni regjistruar në deklaratën që ju firmosni në sekretari.

Ndryshimi i degës së fituar

Fituesit e këtij raundi kanë mundësi që të bëjnë edhe ndryshimin e degës së studimit. Ata që duan të ndërrojnë degën e studimeve duhet që më parë të kryejnë procesin e çregjistrimit në degën ku janë konfirmuar si fitues gjatë raundit të dytë. Procedurat e çregjistrimit mund të zhvillohen vetëm në datën 10-11 tetor. Për këtë, secili kandidat duhet të paraqesë një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është regjistruar si fitues i raundit të dytë, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara.

Nëse nuk e kryeni këtë veprim brenda kësaj date, ju nuk mund të ndryshoni programin e studimeve, çka do të thotë se për këtë vit mund të vijoni studimet e larta vetëm në këtë degë ku jeni regjistruar, duke humbur shansin për të aplikuar sërish në garën e pranimeve për raundin e tretë. Sekretaritë mësimore të secilit fakultet, pas çregjistrimit të aplikantëve dhe dorëzimit të dokumentacionit, i dërgojnë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit listën e kandidatëve të çregjistruar, duke i pasqyruar në sistemin online të dhënat e tyre. Vetëm pasi të kenë ndjekur këtë procedurë, këta kandidatë mund të vijojnë konkurrimin nga e para për garën e raundit të tretë të pranimeve.

Fituesit e Raundit 2 duhet të regjistrohen në këto data:

  • 30 shtator-1 tetor zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së parë.
  • 2-3 tetor do të zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së dytë.
  • 4-5 tetor do të zhvillohen regjiztsrimet për fituesit e fazës së tretë.
  • 6-7 tetor do të zhvillohen regjistrimet e fazës së katërt.
  • 8-9 tetor do të zhvillohen regjistrimet për fituesit e fazës së pestë.

Burimi zyrtar i këtij materiali: Gazeta Dita

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: