
Shpërndajeni me shokët që të informohen:
Zv/minsitrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nina Guga, në një intervistë për “Shekulli”-n tregon se në çfarë faze ndodhen maturantët. Mënyrat se si po ndjekin orët mësimore në rrugën online, si dhe lëndët ku ata kanë shfaqur më shumë probleme. Sakaq, Guga tregon edhe mbi procesin se si do të zhvillohet provimi i Maturës Shtetërore, nëse situata e krijuar nga Covid-19 zgjat deri në Qershor.
Enida Vërça
Zv/minsitrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nina Guga tregon për “Shekulli”-n se janë përcaktuar të gjitha variantet e mundshme të zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, duke patur si prioritet thelbësor mbrojtjen e shëndetit të maturantëve dhe respektimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shtetërore, të cilat janë marrë si pasojë e Covid-19. Zv/ministrja thotë se po punohet për të garantuar distacimin e nevojshëm fizik gjatë zhvillimit të provimeve. Sakaq, Guga tregon edhe për numrin e maturantëve që kanë aplikuar. Ajo thotë se me formularin A1 kanë aplikuar 30762 maturantë, ndërsa me formularin A1Z, 2276. Më tej, thotë se maturantët janë duke ndjekur mësimin në metodën online, teksa thekson se lëndët ku kanë shfaqur më shumë probleme, janë ato të detyrueshmet, si: Gjuhë e huaj, Gjuhë-Letërsi, Matematikë. E pyetur nëse ka maturantë të cilët nuk kanë patur mundësi të ndjekin orët mësimore, për shkak të mungesës së mjeteve, Guga thotë se janë në masën 1.4%.
Intervista:
Znj. Guga, sa është numri i maturantëve që pritet të zhvillojnë provimin këtë vit dhe në çfarë faze ndodhen ata?
Në bazë të Rregullores së MSH, maturantët/kandidatë kanë kryer procesin e plotësimit të formularëve A1/A1Z në periudhën 18 nëntor deri më 13 dhjetor 2019. Sipas databazës së MSH 2020, rezulton se kanë aplikuar në portalin Matura Shtetërore, me formularin A1, 30762 maturantë, ndërsa me formularin A1Z, 2276 kandidatë. Aktualisht, maturantët po punojnë në kushtet e shtëpisë për t’u përgatitur me provimet e MSH 2020. Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) ka publikuar në faqen e saj të internetit dy botime, të cilat maturantët i gjejnë në linkun më poshtë: Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia;
http://ww.qsha.gov.al/infos/gjuhe shqipe.pdf
Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje (për gjimnazin)”.
http://www.qsha.gov.al/infos/matematike_lende_zgjedhje_gjuhe_huaj.pdf
Libri “Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia” është një përmbledhje e testeve të Maturës Shtetërore për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë për vitet 2011-2019. Përmes këtij botimi, QSHA synon t’iu vijë në ndihmë maturantëve dhe mësuesve për t’u familjarizuar me natyrën e testeve dhe të pyetjeve që përdoren në testin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore. Në material do të paraqiten edhe disa orientime mbi natyrën e testeve.

Libri “Matura Shtetërore 2019”, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje (për gjimnazin)” përmban testet e provimeve të Maturës Shtetërore 2019, për gjuhën e huaj, matematikën, dhe lëndët me zgjedhje, të shoqëruara bashkë me skemat e vlerësimit. Në material do të paraqiten edhe disa orientime mbi natyrën e testeve. Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor, sugjerohet që maturantët të punojnë me materialet e mësipërme, për t’u orientuar mbi natyrën e testeve.
Në mësimin online a marrin pjesë të gjithë maturantët, apo ka edhe prej atyre që nuk mund të ndjekin orët për shkak të mungesës së mjeteve të domosdoshme? Nëse po, sa është numri?
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) merr informacion të përditësuar nga të gjitha institucionet e Arsimit Parauniversitar (DPAP, DRAP, ZVA) mbi pjesëmarrjen e maturantëve në mësimin online dhe mënyrën e zhvillimit të mësimit. Është një numër maturantësh që zënë gati 1,4 % kundrejt numrit total të maturantëve që nuk e kanë në mënyrë të vazhdueshme komunikimin online me mësuesit e tyre. Kjo për arsye të ndryshme si: mungesës së mjeteve, internetit e cilësisë së tij.
Në cilat lëndë po shfaqin më shumë probleme maturantët gjatë kësaj periudhe?
Gjatë periudhës së ndërprerjes së procesit mësimor për maturantët kanë shqetësim lëndët që do të japin provim, ato të detyruara si Gjuhë e huaj, Gjuhë-Letërsi, Matematikë dhe lënda me zgjedhje. Në ndihmë të maturantëve po punohet në disa drejtime, nëpërmjet botimeve të QSHA që citova pak më lartë, transmetimeve të mësimeve të xhiruara në RTSH, kanalit të YouTube të MASR dhe punës së përqëndruar të mësuesve për këto lëndë, në konsultime të vazhdueshme online me nxënësit.
Cili është plani juaj për kryerjen e provimeve të Maturës Shtetërore, nëse pandemia zgjat deri në Qershor?
MASR dhe QSHA, menjëherë sapo është shfaqur pandemia, kanë ngritur grupe punë të përbashkëta, të cilat kanë analizuar situatën e krijuar dhe kanë përgatitur të gjitha variantet e mundshme të zhvillimit të provimeve të MSH. Nga ana tjetër, janë marrë në konsideratë edhe praktikat e vendeve të tjera në lidhje me zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Këto grupe pune kanë përcaktuar të gjitha variantet e mundshme të zhvillimit të provimeve të MSH, duke pasur si prioritet thelbësor mbrojtjen e shëndetit të maturantëve dhe respektimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shtetërore. Skenarët e parashikuar, lidhur mbi zhvillimin e provimeve të MSH, janë të detajuara dhe janë të lidhura ngushtësisht me masat e marra nga qeveria mbi zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Nga ana tjetër, Ministria po bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha Zyrat Vendore Arsimore për marrjen e masave për të garantuar distancimin fizik të nevojshëm të kërkuar nga autoritetet shtetërore gjatë zhvillimit të provimeve të MSH.
Nëse rikthimi në bankat e shkollës nuk mund të bëhet pa u garantuar nga ekspertët, ka gjasa që edhe provimet të zhvillohen online, nga shtëpia?
Matura Shtetërore është një provim kombëtar, i standardizuar, i cili duhet të garantojë besueshmërinë e rezultateve të çdo maturanti. Në këto kushte, MASR po shqyrton të gjitha mundësitë që nga njëra anë të mos cënojë shëndetin e nxënësve (dhe kjo është kryesorja), por nga ana tjetër po përpiqet, brenda të gjitha mundësive, të sigurojë edhe një testim sa më të besueshëm. Vendimi do të bëhet i ditur në varësi të zhvillimit të situatës së pandemisë në vend.
Burimi i informacionit: Shekulli.com.al
Shpërndajeni me shokët që të informohen: