
FILOZOFI-SOCIOLOGJI
Shpërndajeni me shokët që të informohen:
Më poshtë kemi publikuar nje material orientues për Maturantët rreth përmbajtjes së Provimit të Filozofi-Socilogjise, Matura 2020
Shkarkoje këtu – Përmbajtja e Tezës së Filozofi-Sociologjise, Matura 2020
Filozofia dhe Sociologjia si lëndë i ofrojnë nxënësit mundësi që të zhvillojë të kuptuarit e realitetit përmes përdorimit të arsyetimit; të përdorë mënyra të ndryshme hulumtimi për zgjidhjen e problemeve te jetës së përditshme; të njohë më mirë veçoritë e zhvillimeve shoqërore, ekonomike, politike, kulturore të vendit tonë dhe vendeve të tjera, si dhe të nxisë zhvillimin e mendimit kritik.
Hartimi i testit për lëndët filozofi dhe sociologji mbështetet tërësisht në programin orientues të Maturës Shtetërore. Programi orientues për përgatitjen e provimit të lëndëve filozofi dhe sociologji bazohet në:
- programin e lëndës së filozofisë bërthamë për klasën e 11-të;
- programin e lëndës së sociologjisë me zgjedhje për klasën e 12-të.
Bazuar në programin orientues, përmbushja e kompetencave te lëndës dhe kompetencave kyçe që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës, arrihet nëpërmjet këtyre tematikave:
1. Filozofi
- Periudha helene
- Periudha romake
- Drejtimet filozofike në shekujt e parë të erës sonë
- Mesjeta dhe Rilindja
- Shekulli i XVII
- Shekulli i XVIII
- Shekulli i XIX dhe XX
2. Sociologji
- Kultura, individi, shoqëria
- Shoqërizimi
- Devianca
- Shtresimi gjinor dhe familja
- Raca dhe etniciteti
- Analiza sociologjike e besimeve fetare
- Urbanizimi dhe karakteristikat e punës në shoqëritë më të urbanizuara
- Shtresimi i shoqërisë dhe lëvizjet shoqërore
- Shoqëria tradicionale, moderne, pasmoderne
- Metodat e kërkimit sociologjik
Programi orientues i Maturës Shtetërore zbatohet me korrektësi nga specialistët dhe mësuesit e përfshirë në hartimin e pyetjeve të provimit të filozofi-sociologjisë. Specialistët e përfshirë në hartimin e pyetjeve të provimit të këtyre lëndëve, nuk mund të përfshijnë në testim çështje mësimore të cilat nuk janë parashikuar në programin orientues të Maturës Shtetërore.
Gjatë punës për përgatitjen e nxënësve për provimet e Maturës Shtetërore, është e rëndësishme që herë pas here mësuesi të zhvillojë testime me nxënësit, me teste që mund t’i hartojë vetë duke u bazuar në modelet e testeve që publikon QSHA-ja. Në përgatitjen për përmbushjen e rezultateve të të nxënit të programit orientues, mund të përdoren tekstet mësimore të miratuara nga MASR-ja, si edhe materiale të tjera, që sigurojnë përmbushjen e rezultateve të të nxënit të programit orientues.
Kompetencat që janë testuar në provimin e filozofi-sociologjisë për Maturën Shtetërore 2019, të ndara sipas niveleve të vështirësisë, janë:
Rezultatet e të nxënit për nivelin e parë të vështirësisë:
- identifikon përbërësit e sistemeve kulturore
- përshkruan ndikimin e mjediseve dhe faktorëve ne procesin e shoqërizimit
- identifikon funksionet e familjes
- përshkruan marrëdhëniet mes shumicës dhe pakicave etnike ne vendin tonë dhe vende te tjera
- identifikon veçoritë e punës ne shoqëritë më të industrializuara
- përshkruan rrethanat dhe faktorët që lidhen me zhvillimin e filozofisë në periudha të ndryshme
- identifikon drejtimet kryesore filozofike të shfaqura në periudha të ndryshme
Rezultatet e të nxënit për nivelin e dytë të vështirësisë:
- dallon format e lidhjeve martesore
- analizon tipat e ndryshme të krimeve
- analizon funksionet kryesore te besimeve fetare
- klasifikon tipat e lëvizjeve shoqërore
- analizon pikëpamjet e filozofëve të ndryshëm në periudha kohore të ndryshme
- analizon shkaqet dhe mënyrat e evoluimit të mendimit filozofik nga antikiteti në periudhën moderne
Rezultatet e të nxënit për nivelin e tretë të vështirësisë:
- interpreton situata të jetës së përditshme përmes refleksionit filozofik
- vlerëson ndikimin e elementëve të kulturës shqiptare dhe kulturave të tjera në formimin e personalitetit dhe procesin e shoqërizimit
Struktura e testit
Ky test përfshin pyetje nga dy lëndët përkatëse, prandaj ai do të jetë i ndarë në dy pjesë. Secila prej tyre zë 50% te pikëve totale të testit.
Pjesa i Sociologji
Kjo pjesë e testit përmban 10 pyetje me alternativa dhe disa pyetje të hapura të cilat synojnë të vlerësojnë atë çfarë nxënësi di dhe është në gjendje të bëjë në përfundim të shkollës së mesme në lëndën e sociologjisë.
Pjesa II Filozofi
Edhe në këtë pjesë të testit do të jenë 10 pyetje me alternativa dhe disa pyetje të hapura që do të testojnë njohuritë dhe aftësitë e nxënësve ne këtë lëndë.
Testi për lëndën e filozofi-sociologjisë ndërtohet në mënyrë të tillë që të jenë të përfshira të tri nivelet e vështirësisë: niveli bazë (40%), niveli mesatar (40%) dhe niveli i lartë (20%). Njëkohësisht, edhe shpërndarja e pikëve në test bëhet në varësi të përqindjeve që zë çdo nivel vështirësie.
Më poshtë paraqitet tabela e specifikimeve të testit, e cila tregon shpërndarjen e pikëve në bazë të përqindjes së tematikave në programin orientues dhe niveleve të vështirësisë.
FILOZOFI
I–40% | II–40 % | III–20% | ||||
1 | Periudha helenike | 17 | 5 | 1 | 1 | 3 |
2 | Periudha romake | 13 | 4 | 4 | ||
3 | Drejtimet filozofike në
shekujt e pare të erës sonë |
3 | 1 | 1 | ||
4 | Mesjeta dhe Rilindja | 13 | 4 | 1 | 3 | |
5 | Shekulli XVII | 10 | 3 | 3 | ||
6 | Shekulli XVIII | 17 | 5 | 4 | 1 | |
7 | Shekulli XIX dhe XX | 27 | 8 | 2 | 3 | 3 |
SOCIOLOGJI
I–40% | II–40 % | III–20% | ||||
1 | Kultura, individi, shoqëria | 13 | 4 | 1 | 3 | |
2 | Shoqërizimi | 10 | 3 | 3 | ||
3 | Devianca | 10 | 3 | 3 | ||
4 | Shtresimi gjinor dhe
familja |
17 | 5 | 5 | ||
5 | Raca dhe etniciteti | 10 | 3 | 3 | ||
6 | Analiza sociologjike e besimeve fetare | 13 | 4 | 1 | 3 | |
7 | Urbanizimi dhe karakteristikat e punës në shoqëritë më të
urbanizuara |
10 | 3 | 1 | 2 | |
8 | Shtresimi I shoqërisë
dhe lëvizjet shoqërore |
3 | 1 | 1 | ||
9 | Shoqëria tradicionale,
moderne, pasmoderne |
7 | 2 | 2 | ||
10 | Metodat e kërkimit
sociologjik |
7 | 2 | 2 |
Nxënësit duhet të kenë parasysh se tematika e cila ka numrin më të madh të orëve (peshën më të madhe) në programin orientues të Maturës Shtetërore, në test do të përfaqësohet nga një numër më i madh pikësh.
Llojet e pyetjeve
Pyetjet e testit të filozofi-sociologjisë hartohen mbi bazën e rezultateve të të nxënit dhe testojnë njohuritë dhe aftësitë e nxënësve në tematikat e paraqitura në programin orientues. Pyetjet që përdoren janë objektive dhe subjektive, të cilat testojnë njohuritë dhe aftësitë e nxënësve pothuajse në të gjitha tematikat.
Në pyetjet subjektive përfshihen pyetjet e strukturuara, të cilat janë pyetje të hapura, por që e kërkojnë përgjigjen në formë të strukturuar, pasi dhe kërkesat e pyetjes janë të tilla.
Shpërndajeni me shokët që të informohen:
KUJDES: Ndalohet kopjimi pa përmendur më parë burimin !