April 26, 2024

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Universitetet publikojnë kriteret e pranimit për vitin akademik 2020-2021. Kriter kryesor nota mesatare e tre viteve të gjimnazit. Politekniku vazhdon sërish garën me konkurse

Universitetet publike kanë publikuar kriteret e reja të pranimit për vitin 2020-2021 për çdo degë studimi, sipas fakulteteve përkatëse, në studimet e ciklit të parë (bachelor). Gazeta “Shekulli” sjell sot kriteret e reja të miratuara nga Universiteti i Tiranës, i Mjekësisë dhe ai Politeknik për të gjithë maturantët të cilët aspirojnë një degë studimi në institucionet përkatëse. Kriter kryesor edhe për këtë vit studimi do të jetë nota mesatare e tre viteve të gjimnazit, bashkë me rezultatet përfundimtare të grumbulluara nga provimet e maturës.

Universiteti i Mjekësisë

Për miratimin e kritereve të pranimit në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për vitin akademik 2020-2021”, bëhet me dije edhe mesatarja për çdo degë. Përkatësisht, maturantët e interesuar për Mjekësinë e Përgjithshme, Farmacinë apo Stomatologjinë duhet të kenë një mesatare me të lartë se 8.5 gjatë viteve të gjimnazit. Ndërkohë ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta për shëndet Publik duhet të kenë një mesatare mbi notën 8. Sakaq, një mesatare gjimnazi mbi 7.5 kërkohet për degët Infermieri e Përgjithshme, Fizioterapi, Mami, Teknikë Imazherie, Teknikë Laboratori e Logopedi. Ndërsa për të ndjekur studimet për Teknikë Dentare apo Higjenist Dentar, maturantët duhet të kenë një mesatare gjimnazi mbi notën 7.

Nota mesatare

Nota mesatare minimale përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. “Kriteret e pranimit të studentëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë për vitin akademik 2020-2021, përbëhet nga nota mesatare aritmetike e provimeve të Maturës Shtetërore 40% ku nëse një kandidat jep provim me zgjedhje: Kimi, Fizikë, Biologji, nota e provimit shumëzohet me 1.4; nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje, të ndryshme nga lëndët e mësipërme, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1”,-thuhet në vendim. Ndërkohë, nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme për të gjitha vitet ka një peshë prej 30% gjatë përllogaritjes së pikëve për tu pranuar në Universitetin e Mjekësisë. “Nota mesatare aritmetike e lëndëve formuese (Fizikë, Kimi dhe Biologji), të zhvilluara gjatë tri viteve të shkollës së mesme 30%, ku lëndët e mësipërme në vitin e tretë të shkollës së mesme shumëzohen me koeficient 1.25.

Universiteti Politeknik

Për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të ndjekin një degë studimi në këtë universitet, kandidatët duhet të kenë mesataren e shkollës së mesme mbi 6 (gjashtë). Ndërkohë  renditja e aplikantëve do të bëhet referuar pikëve të grumbulluara sipas formulës: [0.7*Mes(VKM) + 0.3(0.5*Mes(Matematike) + 0.4*Mes(Fizike) + 0.1*Mes (Kimi)] * Kkoef. Shkollës*1000. “Mes(VKM), nota mesatare e thjeshtë, e të gjitha viteve të shkollës së mesme, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2020 – 2021, sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë, në Republikën e Shqipërisë” neni 74, pika 1; – Mes(Matematike), nota mesatare e thjeshtë e matematikës në të gjitha vitet e shkollës së mesme, përfshire rezultatin në provimet e Maturës Shtetërore; – Mes(Fizike), nota mesatare e thjeshtë e fizikës, në të gjitha vitet e shkollës së mesme, përfshire rezultatin në Maturën Shtetërore të provimit me zgjedhje; – Mes(Kimi), nota mesatare e thjeshtë e kimisë në të gjitha vitet e shkollës së mesme përfshire rezultatin në Maturën Shtetërore të provimit me zgjedhje; – Kkoef. Shkollës, koefiçenti i shkollës së mesme, për vitin akademik 2020 -2021, sipas tabelës së koeficienteve për vitin akademik 2020 -2021”, sqarohet në këtë vendim.

Universiteti i Tiranës

Universiteti i Tiranës ka miratuar kriteret e pranimit për fakultetet përkatëse për vitin akademik 2020-2021. Për Fakultetin e Shkencave Sociale nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme do të marrë 40% të vlerësimit. Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përbëjë 30%. Ndërkohë për maturantët që kanë dhënë provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji do të aplikohet koeficienti. Ndërsa për maturantë që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje do të aplikohet koeficienti 1.0. Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale do të përbëjë 30% të vlerësimit. a. Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11) b. Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12) – për maturantët që kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2 – maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale (kurrikul bërthamë, Qytetari dhe Filozofi, klasa 10 e 11). Sa i takon koeficientit të shkollave është vendosur:  a) Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4. b) Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2 c) Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficient 1.

Bëjeni Share që të informoni shokët: Share-512.png

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

Discover more from Matura Shtetërore 2024

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading