

Alarmi të Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, gjysma e kuotave nuk plotësohen, për shkak të mesatares së lartë, të vendosur si kriter. Dekani, Artur Sula kërkon ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit, për të zgjidhur të situatës
Enida Vërça
Vendimi mbi rritjen e mesatares në 7.5 për të vazhduar studimet e larta në degën e mësuesi ka penalizuar një numër të lartë maturantësh, të cilët nuk kanë arritur të jenë pjesë e listave ftuese, duke krijuar kështu një boshllëk të madh në kuotat e mbetura për raundin e tretë. Situata më problematike mbetet në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës, ku disa degë rrezikojnë të mbyllen. I ndodhur në këto kushte, dekani i këtij fakulteti, Artur Sula kërkon ndërgjegjësim dhe ndërhyrje të menjëhershme të Ministrisë së Arsimit. “Ne nuk jemi një fakultet i mirëfilltë mësuesie, ne jemi një fakultet i cili i jep një formim të gjerë studentëve, të cilët nuk dalin vetëm mësues. Kemi një kontingjent me 1/3 që vazhdojnë masterin për mësuesi më pas kemi drejtime të tjera si: Komunikim turistik kulturor, Përkthim, Interpretim që në këtë rast ministria duhet të kishte marrë masa. Në këtë rast Ministria e Arsimit mund të japi një shans në raundin e tret ku të ndryshojë qasja ndaj fakultetit të Gjuhëve të Huaja, duke e konsideruar jo fakultet i mirëfilltë mësuesi, pra të aplikohen mesataret siç janë në fakultet e tjera teknike apo profesionalizuese”, u shpreh ndër të tjera Sula.
Situata
Pas rezultateve të raundin të parë, ku aplikimet u zhvilluan në datat 2 deri 15 shtator 2019 (7 faza 48-orëshe; 02-03; 04-05; 06-07; 08-09; 10-11; 12-13 dhe 14-15), në këtë fakultet ka një numër të lartë të kuotave të cilat kanë mbetur bosh. Nga 810 kuota të lira, vetëm 405 kanë arritur të plotësohen. Më 30 shtator kanë nisur të regjistrohen në Universitete studentët që janë shpallur fitues në raundin e dytë të aplikimeve, por dhe me përfundimin e kësaj faze Dekani Sula shpjegon se disa prej degëve do të kenë numër minimal studentësh. “Gjuha e parë e preferuar mbetet anglishtja, më pas gjermanishtja dhe ajo italiane. Ndryshe nga vitet e tjera, është dobët gjuha frënge. Për spanjisht kanë shprehur një interes shumë të vogël, ndërkohë rusishtja është gati e papërfillshme në preferencat e maturantëve” shpjegon ai. Ndërkohë në gjuhën ruse nuk ka asnjë student të regjistruar. Për greqisht kanë shprehur interesin të studiojnë vetëm katër persona, ndërsa për turqisht vetëm shtatë maturantë kanë shprehur dëshirën për të nisur studimet e larta në ambientet e këtij fakulteti.
Vendimi
Ndryshe nga sa ndodh me programet e tjera universitare, në degët e mësuesisë me një Vendim të Këshillit të Ministrave u vendos që maturantët mund të konkurrojnë nëse kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7.5, e më lart. Kjo është mesatarja minimale që kërkohet për të qenë pjesë e garës për studimet e larta në këto degë, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private që funksionojnë në vendin tonë. Këshilli i Ministrave ka rishikuar listën e degëve të mësuesisë të cilat do të jenë në garë për pranimet e vitit të ri akademik 2019-2020. Sipas këtij vendimi, nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Qëllimi i këtij vendimi tha ajo është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies si dhe kthimi i dinjitetit të mësuesit. “Kemi një numër të mësuesve në sistem që nuk janë të nivelit që duhet të jetë një mësues. Problemi i mësuesve në sistem është se nuk ka një mekanizëm që ata pastaj të dalin nga sistemi. Vitin akademik 2018-2019 rritëm notën mesatare për pranim në programet e mësuesisë nga 6 në 7. Sivjet e çuam në 7.5 me idenë që vitin tjetër do ta çojmë në 8”, u shpreh ministrja e Arsimit, Besa Shahini pas këtij vendimi. Ndërkohë për për të gjitha degët e tjera (përjashtuar ato të mjekësisë), qeveria ka vendosur se në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim. Ndërsa në degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8. Kjo mesatare ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur.
Universiteti i Elbasanit
Mesatarja mbi 7.5 e vendosur për maturantët që duan të aplikojnë në degën e mësuesisë ka sjellë pasoja të rënda edhe në Universitetit te Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Pas afishimit të fituesve të këtij viti në raundin e parë, shifrat janë tepër shqetësuese. Me vështirësi u mbushen kuotat minimale të vitit të kaluar ku mesatarja ishte mbi 7, dhe listat e këtij viti, kur mesatarja është 7.5, kanë rezultuar me 30-50 % rënie të numrit të aplikantëve, duke rrezikuar mbylljen e disa degëve si: Matematikë-Fizikë, Matematikë – Informatike, Fizikë Kompjuterike, Histori- Gjeografi, Gjuhë-Letërsisë, Gjuhe Italiane, Gjuhe shqipe dhe Frënge, Histori dhe Gjuhe Gjermane, Arsimi Parashkollor, Administrim Biznesi dhe Inxhinieri, Ekonomi Turizëm. Nga parashikimet e këtij viti pritet te mbyllen thuajse të gjitha degët e mësuesisë të cilat zënë rreth 50% të numrit total të degëve në këtë universitet.
Bëjeni Share që të informoni shokët:
