
Shpërndaje me shokët këtë njoftim që informohen:
Matura e vjeshtës do të zhvillohet ndërmjet datave 27 gusht dhe 6 shtator 2019.
Në udhëzimin më të fundit të miratuar nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, janë përcaktuar datat kur maturantët duhet të paraqiten për të zhvilluar provimet e detyruara dhe atë me zgjedhje të vjeshtës, rezultatet pozitive të të cilave janë vendimtare për vijimin e garës për studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020.
“Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore, sesioni i dytë janë: gjuha e huaj që do të zhvillohet në datën 27 gusht, provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë që do të zhvillohet në datën 30 gusht. Ndërkohë që në datën 3 shtator maturantët duhet të paraqiten për të dhënë provimin e matematikës. Matura e vjeshtës do të përfundojë në datën 6 shtator me provën e fundit të provimit me zgjedhje”, saktësohet në udhëzimin e miratuar nga ministrja, Besa Shahini.
Kanë të drejtë të hyjnë në provime:
Sipas kushteve të përcaktuara në këtë udhëzim, në sezonin e vjeshtës kanë të drejtë që të japin provimet:
Të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që rezultojnë të jenë mbetës në sezonin e qershorit, maturantët që rezultojnë mbetës në një, ose dy lëndë të këtij viti shkollor, detyrime të cilave duhet t’i shlyejnë brenda datës 22 gusht, kandidatët që kanë mbaruar maturën shtetërore para 2018-s, por që nuk kanë shlyer provimet e detyruara apo lëndën me zgjedhje, si dhe kandidatët që kanë kryer studimet e shkollës së mesme jashtë vendit dhe që kanë njehsuar dokumentet shkollore nga QSHA, por që kanë detyrime për të dhënë provime të maturës.
Po sipas udhëzimit, maturantët e viteve të shkuara, si dhe ata që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit për të bërë regjistrimin për provimet e sezonit të vjeshtës duhet të paraqiten në shkollat ku kanë ndjekur arsimin e mesëm, ose në ato që ju caktojnë komisionet e maturës shtetërore të vendbanimit të tyre.
Këta kandidatë duhet që të plotësojnë formularin A1 dhe A1Z në datat 21 dhe 23 gusht. Drejtuesit e shkollave duhet që brenda datës 23 gusht të dërgojnë në institucionin arsimor vendor listën zyrtare të maturantëve që do të marrin pjesë në provimet e sezonit të vjeshtës.
Ambientet ku do zhvillohen provimet
Provimet do të zhvillohen të përqendruara në institucionin arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar.
Këto institucione duhet që të përcaktojnë mjediset ku maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme do të paraqiten për të zhvilluar provimet e detyruara ose lëndën me zgjedhje, duke mundësuar përqendrimin e tyre sipas kushteve dhe numrit të pjesëmarrësve në testime. Në institucionin arsimor vendor përgjegjës, në të cilin numri i nxënësve është më i madh se 500 do të përdoren 2 mjedise. Lëndët e provimeve të vjeshtës për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato artistike, teksa është detajuar edhe lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale.
Pikët që duhen për të qenë kalues
Edhe për provimet e vjeshtës, mbetet në fuqi rregulli për pragun minimum kalues. Në këto kushte, për të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të maturës sërish do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. “Kandidatët e viteve të shkuara nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marrë rezultate jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundi”, detajohet në rregulloren e provimeve. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.
Ndëshkimet
Sipas rregullores së miratuar më herët nga MASR, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se:
“Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
Gjithashtu, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
Testi i gjuhës së huaj
Testi i gjuhës së huaj do të jetë i strukturuar në tre pjesë që janë: Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar që do ketë në përmbajtje rreth 50 për qind të pyetjeve, përdorimin e drejtë i gjuhës (gramatika dhe leksiku) që do ketë rreth 28 për qind të pyetjeve, si dhe të shkruarit me 22 për qind të pyetjeve. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës.
Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë
Edhe testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do të ketë në përmbajtje një tekst joletrar dhe njohuritë e aftësitë gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit. Teksti joletrar (mund të jetë përshkrues, rrëfyes, informues paraqitës dhe argumentues) do të jetë i panjohur për nxënësit.
Pyetjet për njohuritë dhe aftësitë gramatikore, drejtshkrimore e të pikësimit do të integrohen me tekstin joletrar. Pjesa e dytë do të ketë në përmbajtje një tekst letrar, fragmentet e të cilit do të merren nga veprat letrare që janë përcaktuar në programin orientues. Ndërsa pjesa e tretë e testit përfshin esenë.
Testi i matematikës
Testi i matematikës ka në përmbajtje 20 pyetje me zgjedhje (alternativa) dhe pyetjet e tjera janë me zhvillim dhe arsyetim.
Bazuar në kurrikulën që nxënësit kanë zhvilluar në shkollë, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin), statistika dhe probabiliteti.
Konkretisht pyetjet rreth tematikës së numrit zënë 17 për qind të tezës, pyetjet rreth matjes 15 për qind, pyetjet gjeometrisë rreth 13 për qind, pyetjet rreth algjebrës dhe funksionit 38 për qind, ndërsa pyetjet rreth statistikës dhe probabilitetit rreth 17 për qind të përmbajtjes së testit.
Rregullat për provimet e vjeshtës!
- Provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00.
- Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta.
- Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit.
- Testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.
- Maturanti përjashtohet nga provimi kur: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
Provimet e maturës së vjeshtës do zhvillohen në këto data:
- Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet më 27 gusht.
- Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 30 gusht.
- Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 3 shtator .
- Testet e i provimit me zgjedhje do të zhvillohet me 6 shtator.
Shkarko udhëzimin zyrtar
Shpërndaje me shokët këtë njoftim që informohen: