
Pezullohet ligjin për studentët e mjekësisë, i cili i ndalon ata që të ikin nga Shqipëria 5 vite pas mbarimit të studimeve. Gjykata Kushtetuese vendosi të martën të pezullojë ligjin, derisa gjykata të shprehet në tërësi për të. Ligji u miratua në Kuvend në muajin korrik.
Ligji në fjalë, parashikonte tarifa më të larta universitare për studentët e Mjekësisë që nuk pranonin pas përfundimit të studimeve, që të punonin për një periudhë të paktën 5-vjeçare në sistemin shëndetësor të vendit.
Çdo student i mjekësisë që nuk përmbushte detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor deri në 5 vite në vendin e tij dhe zgjedh të largohet jashtë Shqipërisë pas studimeve, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi.
Ligji parashikonte mbështetje dhe tarifa më të ulta për studentët e Mjekësisë që pranonin përmes një marrëveshjeje kontraktuale që të punonin në Shqipëri për pesë vite pas studimeve.
Por ligji u kundërshtua nga studentët e Mjekësisë, të cilët zhvilluan edhe protesta. Në mbështetje të tyre ishin edhe një grup deputetësh të opozitës, të cilët e dërguan në Gjykatën Kushtetuese ligjin e miratuar nga Kuvendi.
Sipas njoftimit për shtyp, mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mori në shqyrtim kërkesën, me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit.
Objekti i kërkesës ishte shfuqizimi i nenit 4, të ligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Objekt i kërkesës ishte dhe pezullimi i ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese vendosi, pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.”, thuhet në njoftim.
Sipas ligjit, studentët e vitit të parë do duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve. Studentët nga vitit i dytë deri në vitin e katërt do të punojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit.
/rtsh.al/