December 6, 2023

BESARTA BASHA/ Ndërkohë që maturantët e këtij viti janë përfshirë nga emocionet e sezonit që po afron, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka bërë publik raportin për maturën e vitit që shkoi.

Një deduksion të dhënash që ndihmojnë institucionin për të mos përsëritur gabimet e vjetra nga hartimi, administrimi e deri te vlerësimi i tezave, por edhe të rinjtë e këtij viti që duan të dinë më tepër se çfarë mund të ndryshojë. Shqetësimi kryesor është hendeku i madh midis ecurisë së nxënësve në tri vitet e shkollës me ato në katër provimet e Maturës Shtetërore. E veç kësaj, handikap i madh qëndron edhe midis shkollave në zonat urbane me ato rurale. Një tjetër gjetje, por që nuk përbën risi, është që vajzat kanë shkëlqyer më shumë se djemtë. Krahasuar me të dhënat e një viti më parë, vihet re një rënie e lehtë e kalueshmërisë dhe, po ashtu, edhe e notës mesatare në provimet e maturës. I vetmi tregues në rritje të çuditshme është nota mesatare vjetore, çka ka thelluar më tej hendekun e rezultateve të nxënësve me vlerësimin në testet kombëtare.

“ARRITJE TË PAQËNDRUESHME”

“Dukuria e pranisë së rezultateve të nxënësve në provimet e Maturës Shtetërore 2021, me një ndryshim prej më shumë ose më pak 2, 3 ose 4 nota kundrejt rezultateve vjetore të tyre, tregon për paqëndrueshmërinë e arritjeve të tyre. Paqëndrueshmëria ndikohet nga shkalla e fiktivitetit në vlerësimin e nxënësve gjatë procesit mësimor, si dhe me administrimin jokorrekt të mjediseve ku zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore”.

Kjo është vetëm një nga gjetjet e analizës së Maturës Shtetërore të vitit 2021, e cila tregon shumë për mënyrën e vlerësimit të mësuesve dhe administrimin e provimeve, që bëhet po nga ana e këtyre të fundit. Pasi dolën në këtë përfundim, ekspertët që kanë hartuar raportin flasin për fiktivitet në vlerësim, që, sipas tyre, lidhet me dy faktorë. Së pari, rritjen e peshës së rezultateve të gjimnazit, që sipas VKM-së është e njëjtë me ato në provimet e Maturës Shtetërore, përkatësisht nga 50% secila. Së dyti, faktin që disa programe studimi, në formulat e përllogaritjes së pikëve iu kanë dhënë më tepër peshë rezultateve në lëndë të caktuara. Pra, një mesatare më e lartë në vitet e shkollimit rrit shansin e nxënësve për t’u pranuar në degën e preferuar. Dhe ata janë investuar me të gjitha mjetet për të rritur notën, e cila shpesh nuk u afrohet rezultateve në provimin kombëtar. Thënë ndryshe, kjo formulë, në shumë raste, ka çuar në universitet nxënës pa meritë, duke hedhur poshtë kështu një sistem të tërë pranimesh meritë-preferencë, i cili aplikohet prej më shumë se 15 vitesh, i modifikuar në vite.

Një tjetër pikë ku cedojnë shkollat, po për “faj” të mësuesve, është diferencat e konsiderueshme midis arritjeve të nxënësve që ndjekin shkollën në qytet, kundrejt atyre në fshat. Po ashtu, është konkluduar se nxënësit që ndjekin sistemin publik kanë një shkallë më të qëndrueshme të arritjeve krahasuar me sistemin privat.

Burimi: Panorama.com.al

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

Discover more from Matura Shtetërore 2024

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue Reading

%d