December 1, 2023

Rinisin sot aplikimet me formularin A1 dhe A1Z për të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që duan të rikthehen në garë për studimet e larta në universitetet publike dhe private përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023. Në urdhrin më të fundit të Ministrisë së Arsimit dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore përcaktohet se përgjatë kësaj jave maturantët do të mund të aplikojnë online për plotësimin e formularëve, ku do të përcaktojnë lëndën me zgjedhje që kanë për të dhënë si provim së bashku me tre provimet e detyruara, ose thjesht hedhjen e të dhënave për rastet kur provimet i kanë dhënë gjatë viteve të shkuara. Procedura për plotësimin e secilit formular do të jetë e njëjta sikundër ka ndodhur edhe në sezonin e aplikimeve të zhvilluara më herët.

“Miratohet periudha e aplikimeve me Formularin A1 dhe A1Z në datat 7 deri në 11 shkurt nga ora 08:00-16:00”, përcaktohet në urdhrin e Ministrisë së Arsimit dhe Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2022, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MASR për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale. Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 8 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, 3 lëndë për shkollat artistike, si dhe 41 lëndë për maturantët e shkollave profesionale. Sipas autoriteteve të MAS, provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë, ndërkohë që do të ketë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje me zhvillim. Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Maturantët dhe kandidatët që rezultojnë mbetës i rijapin ato në sesionin e dytë që do të zhvillohet në periudhën gusht-shtator.

Na ndiqni në Instagram: http://instagram.com/matura.shteterore

Aplikimi për maturantët e këtij viti

Formulari A1 duhet të plotësohet nga të gjithë maturantët që mbyllin studimet e shkollës së mesme përgjatë këtij viti. Sikundër ka ndodhur edhe në sezonin e parë, aplikimi do të bëhet online në portalin e maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mësues mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij. Nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara, maturanti ka të drejtë që të zgjedhë vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.

Aplikimi për maturantët e viteve të shkuara

Formulari A1Z duhet të plotësohet nga të gjithë kandidatët që kanë mbaruar Maturën Shtetërore në vitet e mëparshme dhe që dëshirojnë të aplikojnë për vijimin e studimeve të larta në garën që do të zhvillohet përgjatë muajve korrik dhe gusht. Sipas udhëzimeve, formularin A1Z mund ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme nga viti i shkuar e më herët, dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës (provim të detyruar apo me zgjedhje). Më tej, këtë formular mund ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës. Gjithashtu formularin A1Z duhet ta plotësojnë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit dhe që nuk kanë detyrim për të dhënë provime gjatë maturës së këtij viti, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023. Këta kandidatë do të bëhen pjesë e maturës së këtij viti duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet përkatëse, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe lëndën me zgjedhje në rastet kur në to kanë rezultuar kalues.

Kushtet për maturantët e viteve të shkuara

Çdo kandidat që ka marrë rezultate kaluese në testet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje përgjatë maturave të zhvilluara më parë, nuk do të japë më provime në Maturën 2022. Këta kandidatë do të rikthehen në garë për studimet e larta duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet e mëparshme, sipas kushteve të përcaktuara. Kur kandidati është pajisur me diplomë dhe ka dhënë dy lëndë me zgjedhje në vitet e mëparshme bëhet e ditur se: “Nga këto dy lëndë që ka dhënë duhet të zgjedhë njërën prej tyre që mund të jetë ajo me notë më të lartë, ose lënda që i jep më shumë përparësi në degën e universitetit ku dhe do të konkurrojë për studimet e larta”.

Për kandidatët që janë pajisur me diplomë të shkollës së mesme dhe kanë tre provime me zgjedhje në Maturën Shtetërore të vitit 2012, përcaktohet se: “Nga këto tre lëndë që ka dhënë mund të zgjedhë njërën prej tyre, që mund të jetë ajo me notën më të lartë, ose lënda që i jep më shumë përparësi për të fituar universitetin”.

Ndërsa në rastet kur kandidati nuk është pajisur me diplomë sepse ka dhënë dy provime me zgjedhje, por ka mbetur në njërën prej tyre, ose kur ka dhënë tre provime me zgjedhje dhe ka mbetur në dy prej tyre, bëhet e ditur se në këto raste ai zgjedh të mbartë lëndën në të cilën ka notë kaluese dhe pret që të pajiset me diplomë në përfundim të procedurave të Maturës Shtetërore 2022.

Për kandidatin që është ish-maturant i shkollave profesionale dhe ka dhënë dy apo tri provime me zgjedhje, ku ndër këto lëndë njëra është teori profesionale, atëherë ai mund të mbartë notën e teorisë profesionale, kur ajo është notë kaluese dhe pret të pajiset me diplomë, edhe pse mund të ketë nota jokaluese në lëndët e tjera me zgjedhje që ka dhënë në vitet e mëparshme. Për të gjitha këto raste duhet të bëni kujdes që gjatë plotësimit të formularit A1Z, teksa duhet të plotësoni saktë vitin kur është dhënë lënda me zgjedhje.

Provimet e Maturës Shtetërore 2022

Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 9 qershor.
Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 11 qershor.
Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 17 qershor.
Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 24 qershor.

Burimi: Focus Albania

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

Discover more from Matura Shtetërore

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue Reading

%d bloggers like this: