
Bëjeni Share që të informoni shokët:
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, ka publikuar me datë 8 Maj Udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë
Ky udhëzues vjen në ndihmë të drejtuesve, mësuesve, prindërve dhe nxënësve të institucioneve arsimore parauniversitare.
Në këtë udhëzues përfshihet dhe rruga që do ndiqet për vlerësimin me notë të nxënësve të klasave të 9-ta që nuk do zhvillojnë Provimet Kombëtare.
VLERËSIMI ME NOTË I NXËNËSVE QË NUK DO T’U NËNSHTROHEN PROVIMEVE KOMBËTARE TË ARSIMIT BAZË PËR VITIN SHKOLLOR 2019-2020
Për shkak të pandemisë COVID- 19, provimet kombëtare të arsimit bazë, për vitin shkollor 2019-2020, nuk do të zhvillohen. Vlerësimet e nxënësve me notë për këto provime do të bazohen në rezultatet e nxënësit gjatë të gjitha viteve të arsimit të mesëm të ulët.
Vlerësimet e nxënësve me notë për provimet kombëtare të arsimit bazë do të
bazohen në rezultatet e nxënësit gjatë të gjitha viteve të arsimit të mesëm të ulët.
7.1 Procedura e llogaritjes së notës së provimeve kombëtare të arsimit bazë
7.1.1 Çdo shkollë do të ngrejë Komisionet për Vlerësimet e lëndëve të provimeve kombëtare të arsimit bazë (më poshtë Komisionet e Vlerësimit), me urdhër të drejtorit të shkollës.
7.1.2 Komisionet e Vlerësimit do të jenë për çdo lëndë që është provim kombëtar në arsimin bazë dhe kanë në përbërje 3 (tre) anëtarë:
a) drejtori i shkollës;
b) nëndrejtori që mbulon lëndën përkatëse;
c) mësuesi i lëndës në klasën e nëntë.
7.1.3 Nëse shkolla nuk ka nëndrejtor, atëherë mund të jetë një mësues tjetër i së njëjtës lëndë ose një mësues i një lënde të përafërt me lëndën që është provim kombëtar.
7.1.4 Për të kryer procedurat e vlerësimit të nxënësve me notë në provimet kombëtare të
arsimit bazë, Komisioni i Vlerësimit për lëndën përkatëse do të nxjerrë në një evidencë, notat e përfundimtare si më poshtë:
a) Nota përfundimtare e klasës VI. b) Nota përfundimtare e klasës VII.
c) Nota përfundimtare e klasës VIII. d) Nota përfundimtare e klasës IX.

7.1.5 Nota e lëndës përkatëse të provimit kombëtar të arsimit bazë do të llogaritet si mesatare aritmetike e notave të vlerësimeve të pikës 7.1.4 me formulën:
NPK = [NP klasa 6 + NP klasa 7 + NP klasa 8 + NP klasa 9] : 4, ku NPK është nota e provimit kombëtar në lëndën përkatëse, NP është nota përfundimtare e lëndës për klasën përkatëse.
7.1.6 Procedura e parashikuar në pikën 7.1.5 zbatohet edhe për vlerësimin e nxënësve të
pakicave kombëtare në lëndën “Gjuhë amtare”, të nxënësve të seksioneve dygjuhëshe, të
nxënësve të shkollave speciale si dhe të nxënësve mbetës në provimet kombëtare të arsimit bazë
7.1.7 Komisioni i Vlerësimit mban procesverbal për rezultatet e nxënësve për lëndën përkatëse të arsimit bazë, të cilat dërgohen në Zyrën Vendore e Arsimit Parauniversitar (ZVA).
7.1.8 ZVA monitoron KV-të dhe raporton në DRAP për procedurat e vlerësimit me notë të
nxënësve.
7.1.9 ZVA ruan dhe dërgon në QSHA, DRAP dhe DPAP rezultatet e nxënësve.
Shkarko udhëzuesin zyrtar nga faqja e ASCAP