
Testimi i maturës shtetërore do të jetë pyetësor me alternativa dhe korrigjimi i rezultatit do të jetë digjital. Këtë ka bërë të ditur Drejtorja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), Rezana Vrapi duke folur për Maturën Shtetërore 2020.
“Nxënësit, pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave”, ka deklaruar znj. Vrapi.
Kjo pritet të sjellë publikimin në një kohë të shpejtë të rezultatit duke mos u bërë pengesë për studentët që kërkojnë të studiojnë jashtë vendit.
“Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar”, ka shtuar drejtorja e QSHA-së.
Pasi të gjitha rezultatet të jenë publikuar, znj. Vrapi thotë se me datë 1 korrik 2020 QSHA do të fillojë procesi i printimit të diplomave të Maturës Shtetërore, i cili do të jetë në dy faza. Në fazën e parë, do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve. “Më datë 1 korrik, maturantët të cilët do të studiojnë jashtë, do të kenë në dorë diplomën e Maturës Shtetërore”, ka përfunduar znj. Vrapi.
Burimi: euronews.al