
Bëjeni Share që të informoni shokët:
Rreth 24 mijë maturantë në mbarë vendin, kanë edhe 5 ditë afat për të plotësuar online formularin A2 në portalin ualbania. Në një njoftim në faqen zyrtare, Rrjeti Akademik Shqiptar jep të gjitha udhëzimet e nevojshme për ata që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në një prej IAL-ve publike apo private në Shqipëri. “Informim për të gjithë maturantët se si të plotësojnë online formularin A2 të aplikimit për studime universitare në portalin ualbania. Periudha e aplikimit është nga data 31 korrik deri në 5 gusht. Portali është i hapur 24 orë për 6 ditë pa asnjë kufizim rajonal. Rrjeti Akademik Shqiptar ju uron sukses të gjithë maturantëve”,-thekson RASH.
Procedura për aplikim
Për të aplikuar në formularin A2, maturantët duhet të kenë akses në portalin http://www.ualbania.al, e pas kësaj duhet të klikojnë mbi dritaren “Aplikimi A2/A3”, për të vijuar më tej mbi ikonën e maturantit. “Vendosni ID-në tuaj të maturës dhe numrin personal të letërnjoftimit. Më pas klikoni “Identifikohuni”. Në seksionin “Fatura” klikoni mbi butonin “Shkarko”. Fatura përmban dy pjesë: Pjesa e sipërme duhet të dorëzohet në bankë për të kryer pagesën. Pjesa e poshtme është kopja juaj që do t’ia tregoni mbikëqyrësit të shkollës suaj”,-bën me dije Rrjeti Akademik Shqiptar. Më tej ky i fundit i bën thirrje maturantëve që të kenë kujdes e të ruajnë kodin e aplikimit, pasi do t’iu duhet për të konfirmuar pagesën dhe përzgjedhjet. Maturantët që nuk kanë bërë pagesën brenda afateve të paracaktuara nuk mund të aplikojnë për formularin A2. Ndërkohë maturantët të cilëve u është konfirmuar pagesa mund të vijojnë me përzgjedhjen e degëve për aplikimin në universitete. “Lexoni me kujdes rregullat e degëve për mesataren. Ju keni mundësi të zgjidhni deri në 10 preferenca. Përzgjidhni preferencat tuaja. Fillimisht zgjidhni universitetin dhe më pas, programin e studimit. Pasi të plotësoni preferencat dhe të jeni të sigurtë për zgjedhjet tuaja, klikoni mbi butonin “Konfirmo”. Për të përmbyllur në mënyrë përfundimtare aplikimin duhet të vendosni kodin tuaj të aplikimit të cilin e gjeni te fatura e kryerjes së pagesës. Në këtë moment, aplikimi juaj është përfundimtar dhe ju mund të shkarkoni kopjen e aplikimit.
Në profilin tuaj, aplikimi ka ndryshuar dhe ka marrë statusin “Aplikimi është konfirmuar”,-thekson në njoftim RASH. E gjithë procedura dhe datat përkatëse që duhet të respektojnë maturantët janë pasqyruar edhe në udhëzimin e përbashkët të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar që mban firmën e dy titullarëve të këtyre institucioneve. “Urdhëroj miratimin e kalendarit “Për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2019-2020. Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri Qendra e Shërbimeve Arsimore, Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar, Drejtoritë Rajonale dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe IAL-të publike dhe jopublike”,-theksohet në udhëzimin e përbashkët.