Përcaktohen datat e Maturës së Vjeshtës. Në udhëzimin e fundit të miratuar nga Ministria e Arsimit e Sportit, si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bëhet e ditur se testimet e sezonit të dytë të Maturës 2023 do të nisin gjatë javës së ardhshme. Provimet do të zhvillohen sipas të njëjtave rregulla sikundër ndodhi edhe gjatë muajit qershor.
Kështu, të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që nuk kanë arritur dot të marrin nota kaluese në 3 provimet e detyruara apo lëndën me zgjedhje të zhvilluara gjatë muajit qershor, do të mund t’i japin ato gjatë sezonit të dytë, sipas datave të përcaktuara tashmë.
Konkretisht, në udhëzim saktësohet se provimi i detyruar në lëndën e gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 21 gusht, për të vijuar më pas në datën 25 gusht, ku do të zhvillohet testi i detyruar i lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë. Maturantët do të japin më tej provimin e tretë të detyruar në lëndën e matematikës për sezonin e vjeshtës në datën 30 gusht. Ndërsa testi i fundit që duhet të kalojnë i përket lëndës me zgjedhje, i cili do të plotësohet përkatësisht në datën 4 shtator. Po në të njëjtat afate do të zhvillohen edhe provimet e maturës së vjeshtës për nxënësit që kanë ndjekur studimet në shkollat e mesme profesionale.
Nëse maturantët do të vlerësohen kalues në provimet e sesionit të vjeshtës, do të mund konkurrojnë edhe për vijimin e studimeve të larta nëpërmjet aplikimeve për kuotat e Raundit të dytë të pranimeve që do të zhvillohen gjatë muajit shtator si për kuotat e universiteteve publike, ashtu edhe në ato private.
Hyrja në provimet e vjeshtës
Autoritetet e arsimit sqarojnë nëpërmjet udhëzimit se në provimet e detyruara dhe me zgjedhje të vjeshtës, do të mund të hyjnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që plotësojnë këto kushte: rezultojnë mbetës në një ose më shumë provime të Maturës të zhvilluara në sezonin e qershorit, maturantët që rezultojnë mbetës në një ose dy lëndë në vitin shkollor 2022–2023 dhe që i kanë shlyer provimet shkollore brenda afatit të caktuar, kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2023, por që nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore, si dhe të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, të cilët kanë të njësuar dokumentet shkollore nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit dhe që kanë detyrime për të dhënë provime të Maturës Shtetërore.
Kandidatët që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme në vitet e mëparëshme, por që do të rikthehen për të dhënë provime në sezonin e vjeshtës duhet që të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën, që u cakton drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar apo zyra vendore e arsimit parauniversitar në vendbanimet e tyre. Këta maturantë duhet që të kenë plotësuar formularin A1Z, për dhënien e provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore dhe të Maturës Shtetërore Profesionale 2023, nëse nuk e kanë plotësuar atë në sesionin e parë.
Rregullat e provimeve të vjeshtës
Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023 dhe provimet e detyruara të Maturës Shtetërore profesionale për sezonin e vjeshtës do të fillojnë në orën 10:00, ndërkohë që maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit të secilës lëndë që do të japin si provim të detyruar, apo me zgjedhje.
Edhe për këtë sezon bëhet e ditur se testet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje do të hartohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Autoritetet e dikasterit të arsimit bëjnë me dije se provimet do të të zhvillohen të përqendruara në ZVAP, të cilat do të duhet të përcaktojnë qendrat dhe mjediset ku maturantët/kandidatët do të zhvillojnë provimin, duke mundësuar përqendrimin e tyre, sipas kushteve dhe numrit të maturantëve që kanë aplikuar për të dhënë provime në këtë sezon.
Testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje, do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Për të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 25 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi i secilës lëndë.
Në ditën e provimit, maturanti do të përjashtohet kur thyen këto rregulla: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
Rezultatet pozitive të këtyre provimeve i hapin udhë rikthimit në garë për studimet e larta mijëra maturantëve, të cilët do të mund të aplikojnë në raundin e dytë të pranimeve të reja në universitete që do të zhvillohen gjatë muajit shtator.
Sipas kushteve të përcaktuara nga strukturat e arsimit të lartë, të drejtën për të konkuruar për studimet e larta gjatë këtij raundi të ri pranimesh e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurrojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer”.
Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: “mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2023”.
DATAT E PROVIMEVE TË MATURËS SHTETËRORE PËR GJIMNAZET :
Provimi i Gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 21 gusht.
Provimi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 25 gusht.
Provimi i Matematikës do të zhvillohet në datën 30 gusht.
Provimi i lëndës me me zgjedhje do të zhvillohet në datën 4 shtator.
DATAT E PROVIMEVE TË MATURËS SHTETORE PËR SHKOLLAT E MESME PROFESIONALE :
Provimi i Gjuhës së huaj do të zhvillohet me 21 gusht.
Provimi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 25 gusht.
Provimi i Matematikës do të zhvillohet në datën 30 gusht.
Provim i teorisë profesionale të integruar do të zhvillohet në datën 4 shtator
Burimi: Gazeta Dita
