December 6, 2023

Nga dita e sotme do të nisë zyrtarisht edhe aplikimi për Maturën Shtetërore 2023. Maturantët që gjatë këtij viti shkollor përfundojnë vitin e fundit të studimeve të shkollës së mesme, si dhe kandidatët që e kanë mbaruar gjimnazin më herët do të duhet të plotësojnë në afatet e përcaktuara dy formularët e rëndësishëm A1 dhe A1Z.

Plotësimi i këtyre formularëve u jep mundësinë maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që të regjistrohen për të dhënë provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023. Të gjithë ata që do të rezultojnë kalues në këto provime, do të mund të pajisen me Diplomën e Maturës Shtetërore, duke gëzuar kështu edhe të drejtën që të aplikojnë për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Në zbatim të Urdhrit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, aplikimet dhe konfirmimet për Maturën Shtetërore 2023 nëpërmjet formularit A1 për maturantët e 2023, mund të kryhen nga data 17 nëntor 2022, ora 08:00 deri në datën 7 dhjetor 2022, ora 16:00, ndërsa aplikimet e formularit A1Z mund të kryhen nga data 12 dhjetor deri në datën 15 dhjetor 2022 po në të njëjtat orare. Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit “e-Albania” dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti/kandidati. Pas plotësimit të formularit bëhet korrigjimi i pasaktësive, sipas një formulari të dërguar në shkollë nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit”, bëjnë me dije autoritetet e dikasterit të Arsimit.

Sipas tyre, hapi i parë për të nisur zyrtarisht Maturën Shtetërore 2023 është plotësimi i formularit A1/A1Z në të cilin ruhen të dhënat personale, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me provimet që do të zhvillojnë për këtë vit shkollor maturantët. Ndërkohë që provimet e detyruara dhe lënda me zgjedhje do të zhvillohen gjatë muajit qershor të vitit të ardhshëm, sipas datave që do të përcaktohen me udhëzim të posaçëm nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

MAS dhe QSHA kanë shpallur edhe kalendarin me datat se si do të bëhet plotësimi i formularit A1 dhe A1Z nga maturantët e gjitha qarqeve të vendit, të cilin e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Krahas grafikut të aplikimit, është përcaktuar edhe lista zyrtare e lëndëve që do të jepen si provim me zgjedhje për të gjitha profilet e shkollave të mesme.

Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2023, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale. Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 8 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, 3 lëndë për shkollat artistike, si dhe 41 lëndë për maturantët e shkollave profesionale. Listën e lëndëve që mund të jepen si provim me zgjedhje e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Plotësimi i Formularit A1

Formulari A1 duhet të plotësohet nga të gjithë maturantët që mbyllin studimet e shkollës së mesme përgjatë vitit 2023. Aplikimi do të bëhet online në portalin e Maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mësues mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij. Nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara, maturanti ka të drejtë që të zgjedhë vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.

Plotësimi i Formularit A1Z

Formularin A1Z duhet ta plotësojnë të gjithë kandidatët që kanë kryer studimet e shkollës së mesme nga viti 2022 dhe më herët.  Specialistët e arsimit thonë se formularin A1Z mund ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme që nga ky vit dhe më parë, dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës, po ashtu mund ta plotësojnë kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të maturës 2023, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik.

Edhe në këtë rast, plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mësues mbikëqyrës. Këta maturantë do të bëhen pjesë e maturës duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet përkatëse, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe lëndën me zgjedhje. Për të bërë plotësimin e formularit A1Z, kandidati duhet të paraqesë tek mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore dhe Zyrës Vendore të Arsimit, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë, si dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi krahas gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: provimet e detyruara dhe notat e përshkallëzuar të marrë në secilin prej tyre, si dhe notën e përshkallëzuar të marrë në provimin lëndës me zgjedhje.

Për maturantët që në maturat e shkuara kanë dhënë provime me zgjedhje dhe rezultojnë kalues në to, bëhet e ditur se nuk kanë më detyrim që të japin provim me zgjedhje. Ata mund të mbartin rezultatin e kësaj lëndë sipas preferencës së tyre.

Procedura e aplikimit online në portalin “e-albania”

  • Identifikohuni si qytetar në portalin “e-albania”.
  • Zgjidhni shërbimin “Matura Shtetërore”.
  • Klikoni butonin “Përdor”.
  • Zgjidhni llojin e formularit të aplikimit (maturantët e 2023 duhet të zgjedhin A1, ndërsa kandidatët e viteve të shkuara A1Z) dhe plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular.
  • Klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.
  • Pasi përfundon me sukses aplikimin në portalin e-albania.al, maturanti/kandidati paraqitet pranë shkollës për të përfunduar dhe konfirmuar aplikimin.

Për gjimnazet e përgjithshme: Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje

  • Kimi
  • Fizikë
  • Biologji
  • Histori
  • Gjeografi
  • Qytetari dhe Psikologji
  • Filozofi dhe Sociologji
  • Ekonomi

Vetëm për shkollat artistike: Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje

  • Histori Baleti
  • Histori Arti
  • Histori Muzike

Vetëm për shkollat profesionale: Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje

  • Hoteleri-turizëm
  • Shërbime mjetesh transporti
  • Mekanikë
  • Elektroteknike
  • Elektronikë
  • Përpunim Druri
  • Ndërtim
  • Tekstil Konfeksione
  • Tekstil Konfeksione (NABER-ADA)
  • Teknologji Ushqimore
  • Bujqësi
  • Shërbime sociale dhe shëndetësore.
  • Instalues i sistemeve termohidraulike
  • Teknologji Kimike
  • Peshkim
  • Detari
  • Gjeologji-miniera
  • Llogari
  • Shërbime Bankare
  • Sipërmarrje e agjencisë turistike
  • Sigurime
  • Tregti
  • Administrim biznesi
  • Rrjete të dhënash
  • Mbështetje të përdoruesve të TIK
  • Zhvillim Website
  • Rrjete të dhënash (pilot-giz)
  • Inxhinieri informatike softweresh
  • Silvikulturë
  • Agrobiznes
  • Gjeodezi
  • Veterinari
  • Biznes Harry Fultz
  • Elektronikë Harry Fultz
  • Automekanik Harry Fultz
  • Shërbime Kujdesi për të moshuar, pilot Giz
  • Kërkim shpim dhe shfrytëzim gazi, nafte dhe uji
  • Shërbime të udhëtimit dhe turizmit
  • Riparime të pajisjeve elektronike
  • Telekomunikacion
  • Teknologji Bujqësore

Afatet e plotësimit të Formularit A1Z nga maturantët e viteve të shkuara:

  • Në datën 12 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës.
  • Në datën 13 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Fier.
  • Në datën 14 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë.
  • Në datën 11 dhjetor do të aplikojnë në sistem për plotësimin e formularit A1Z maturantët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë.

Burimi: Gazeta Dita

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

Discover more from Matura Shtetërore 2024

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue Reading

%d