Shpërndaje tek shokët që të informohen

Viti akademik 2021-2022 ka nisur dhe vazhdon të zhvillohet në auditore, por studentët nuk ndihen gati të mbyllin ciklin e parë apo të dytë të studimeve.

Të rinj që mësojnë në degë të ndryshme në universitetin e Tiranës tregojnë se përgjatë këtij viti kanë përjetuar stres dhe kanë pasur mungesë motivimi dhe përqendrimi. Ndikimin e këtyre faktorëve ata e shohin edhe në rezultatet gjatë sezonit të parë.

“Në fakt nuk jam shumë gati akoma se kam atë frikën e provimeve, atë frikën e stresit. Jo nuk ndihem gati për shkak të mangësive qe kemi pasur ne gjimnaz. Ka qenë një vit shumë i vështirë. Sezoni i parë ka qenë shumë i vështirë, ngaqë ka qenë edhe ajo periudha që u shkëputëm nga mësimi online. Kemi pasur goxha luhatje, jo pak. Nga 10-ta ne 6.”

Sipas pedagogëve, mungesat janë të konsiderueshme kryesisht në praktikë. Por ata kanë zgjedhur metoda të ndryshme në mënyrë që të gjitha boshllëqet e krijuara të merren dhe studentët të jenë gati për tregun e punës.

ESMERALDA THOMA
PEDAGOGE, FAKULTETI I SHKENCAVE MJEKESORE TEKNIKE

“Një pjesë e mirë e tyre kanë disa defiçite që janë instaluar tashmë. këto defiçite vijnë më së shumti për shkak të mungesës së kryerjes së praktikave profesionale. Gjatë gjithë kohës ka qenë një angazhimi madh nga universiteti dhe nga dekanatet e fakulteteve në mënyrë që të lejoheshin studentët që të kryejnë praktikat dhe në rrethet ku ata jetojnë. Studentët me grupe grupe janë lejuar që të kryejnë praktikë në QSUT se në qendra të tjera terciare.”

ZEF GJETA
PEDAGOG NE UBT

“Duhet më shumë të punojmë ne stafi akademik, por kjo kërkon edhe investime, që të orientohen më mirë ndaj tregut të punës. Ne organizojmë praktika, përpiqemi që ti lidhim me atë që do të përballen në jetë, por përsëri jemi goxha larg. I nxisim që të lexojmë literatura jashtë universitetit. Kjo bëhet si në google që është “burrë i fortë”, ashtu dhe me bibliotekën dhe burime të tjera duke i dhënë libra që ne më përpara i kemi përdorur në fusha përkatëse. “

Pedagogu Edvaldo Begotaraj tregon se vazhdon të ndihet ndikimi i mësimit online, gjë qe e lidh edhe me aspektin psikologjik.

EDVALDO BEGOTARAJ
PEDAGOG, FAKULTETI I SHKENCAVE SOCIALE

“Mund të themi se vjen më shumë nga ana psikologjike, nga një bllokim emocional apo impakti i barimit të vitit universitar, janë ato frikërat e momentit. Dija është bllokuar përkohësisht për shkak të mësimit online, nëse ka pasur mangësi sërish janë të rikuperueshme. “

Studentët në të gjitha fakultetet e vendit vijojnë të ndjekin leksionet dhe seminaret në auditor që nga tetori i vitit të kaluar, ndryshe nga dy vite më parë kur mësimi u zhvillua online për shkak të kushteve të krijuara nga Covid-19.

Burimi: Vizion Plus

Leave a Reply