
Edhe për këtë vit të ri akademik 2020-2021 studentët e strukturave publike të arsimit të lartë do të përfitojnë mbështetje për shlyerjen e tarifës vjetore të shkollimit. Tashmë fakultetet kanë detajuar procedurat që duhet të ndjekin të gjitha kategoritë e studentëve që kanë të drejtë të aplikojnë për përjashtim, apo reduktim të tarifës së studimit.
Për secilën kategori është shpallur edhe dosja e dokumenteve që duhet të dorëzojnë pranë sekretarive mësimore deri në nisje të muajit dhjetor. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara kategoritë e veçanta dhe dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet për studentët e ciklit të parë “Bachelor” dhe ata të ciklit të dytë “Master”, të cilët do të mund të përfitojnë përjashtim, ose reduktim nga tarifa e shkollimit për këtë viti akademik.
Autoritetet e arsimit të lartë sqarojnë se studentët e vitit të parë “Bachelor”, dokumentet për përjashtim nga tarifa e shkollimit duhet t’i paraqesin në fakultetin përkatës pranë Zyrës së Informacionit dhe jo në Bashki, sikundër ka ndodhur në praktikat e viteve të shkuara. Po në të njëjtën formë do të veprojnë edhe studentët e viteve të tjera sa i takon dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar.
Sipas kushteve të përcaktuara, nuk përfitojnë përjashtim nga tarifa e shkollimit vetëm kandidatët që kanë mbaruar studimet në një program studimi dhe vazhdojnë studimet në një program të dytë, si dhe studentët që janë përsëritës për vitin akademik 2020-2021.
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Studimet e nivelit të parë realizohen, si rregull, me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këto programe, mbështetur në kriteret e vendosura për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome.
Reduktimi me 50 për qind i tarifës së studimit
Programet e studimit në ciklin e dytë organizohen në programe studimi “Master i Shkencave” ose “Master Profesional”. Për studimet e nivelit të dytë “Master”, bëhet e ditur se do të përfitojnë rimbursim të tarifës vjetore të shkollmit në masën 50 për qind këto kategori: studentët me aftësi të kufizuara, ata që kanë prindër me aftësi të kufizuara e që trajtohen me ndihmë ekonomike. Gjithashtu rimbursim të tarifës përfitojnë edhe studentët familjet e të cilëve përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, studentët që deri në moshën 25 vjeç kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, studentët që deri në moshën 25 vjeç që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, studentët romë dhe ballkano–egjiptianët. Një tjetër kategori përfituese janë edhe studentët që janë fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.
Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i Shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Studimet në këtë cikël mund të realizohen edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore.
Ndërsa programet e studimit “Master Profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me praktike profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome.
DOKUMENTET PËR KATEGORITË QË PËRFITOJNË:
Studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihme ekonomike
Certifikatë familjare dhe kopje të Kartës së Identitetit.
Vërtetim nga Njesia administrative vendore që familja e studentit trajtohet me ndihmë ekonomike.
Bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë:
Certifikatë familjare dhe kopje të Kartës së Identitetit.
Vërtetim studenti nga institucionet publike të arsimit të lartë.
Studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar;
Kopje karte identiteti.
Vërtetim i pagesës nga DRSHS.
Vendimi i K.M.C.A.P.
Studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar
Çertifikatë familjare, kopje karte identiteti.
Vërtetim i pagesës nga DRSHS.
Vendimi i KMCAP për të dy prindërit.
Studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton
Certifikatë familjare, kopje karte identiteti.
Vërtetim i pagesës së pensionit nga DRSHS.
Studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë
Certifikatë familjare, kopje karte identiteti.
Vërtetimi që të dy fëmijët e parë janë studentë në universitetet publike.
Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç;
Kopje karte identiteti.
Vërtetim të statusit të jetimit.
Studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë,deri në moshën 25 vjeç;
Certifikate familjare dhe kopje karte identiteti.
Vendim gjykate të formës së prerë.
Studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç;
Kopje të Kartës së Identitetit
Vërtetim nga Ministria e Brendshme.
Studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
Dokument origjinal që vërteton se studenti është fëmijë i punonjësve të Policisë së Shtetit, tëGardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, lëshuar nga ministria përgjegjëse.
Fotokopje e dokumentit të identifikimit të studentit dhe çertifikatë familjare.
Studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit
Dokument origjinal që vërteton se studenti i përket komunitetit romë dhe ballkano–egjiptianë lëshuar nga ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale.
Fotokopje e dokumentit të identifikimit të studentit (kartë identiteti, leternjoftim ose pasaporte).
Studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie:
Vërtetim origjinal nga instituti i integrimit të përndjekurve politikë, që vërteton se studenti ka statusin “Fëmijë i ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politik nga sistemi komunist”.
Fotokopje e dokumentit të identifikimit të studentit dhe çertifikatë familjare.
Studentë në vitin e parë me notë mesatare vjetore 9 deri 10 nga sistemi i arsimit të mesëm, si dhe studentët në vitet pas të parit, me notë mesatare të ponderuar 9 deri 10, të cilët kanë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraardhës akademik
Studentët nuk do të sjellin dokumenta, pasi disponohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë.
Burimi i materialit: Gazeta Dita