Kandidatët që kanë kryer shkollën e mesme gjatë viteve të shkuara mund të rikthehen në garë për studimet e larta gjatë vitit të ri akademik 2020-2021. Për të marrë pjesë në këtë garë, këta kandidatë duhet të plotësojnë formularin A1Z, sipas afateve të përcaktuara nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Autoritetet e kësaj qendre bëjnë me dije se plotësimi i këtij formulari online nis zyrtarisht ditën e hënë me datën 9 dhjetor. Aplikimi me formularin A1Z do të vijojë në datën 9 dhjetor me kandidatët e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës, për të vijuar një ditë më pas me ata të Fierit, në datën 11 me të Korçës, si dhe në datën 12 dhjetor me kandidatët e Lezhës.

Në udhëzimin e shpallur më herët nga dikasteret përgjegjëse të arsimit të lartë, janë përcaktuar edhe kushtet se si duhet të plotësohet ky formular nga kjo kategori maturantësh, në të cilin do të hedhin të dhënat përkatëse në lidhje me rezultatet e marra në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të viteve të shkuara.

Shkollat ku duhet të plotësoni formularin!

Plotësimi i formularit A1Z nga maturantët e viteve të mëparshme do të bëhet online. Maturantët duhet të paraqiten në institucionet ku kanë kryer studimet e shkollës së mesme për të ndjekur procedurat e aplikimit.

Për të bërë plotësimin e këtij formulari, këta kandidatë duhet që të paraqesin një kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë dhe vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme me fotografi, certifikatë të maturës me notat gjitha viteve të lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës, apo dokumentin të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.

Për shkollat profesionale dhe shkollat e mesme të orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar Dëftesën e pjekurisë, si provime të detyruara njihen: Letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë dhe janë fituar, si dhe një ose dy nga provimet në mungesë të letërsisë dhe të matematikës, sipas planit mësimor të shkollës së tyre. Më pas, drejtoria arsimore përcakton provimet, rezultatet e të cilave do të mbarten në sistem në vend të letërsisë dhe matematikës.

Ja kush mund të plotësojë formularin A1Z!

Sipas udhëzimeve të shpallura nga MASR saktësohet se kandidatët nuk lejohen të rijapin provim me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marre rezultate jo më të ulëta se sa nota 4.50. Në rastet kur kandidati e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundi. Çka do të thotë se këta kandidatë hyjnë në garë duke mbartur rezultatet e fituara në këto provime gjatë maturave të shkuara. Zgjedhja e lëndës që do të mbartin bëhet sipas preferencave individuale.

“Këtë formular mund ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2020-s dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës. Po ashtu mund ta plotësojnë kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së dhe rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës. Plotësimi i formularit mund të bëhet edhe nga kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri, ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të Maturës 2020, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik. Plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mësues mbikëqyrës, i cili do t’ju ndihmojë në kryerjen e procedurave për plotësimin korrekt të të dhënave të kërkuara.

Dokumentet që duhet të paraqisni

Për të bërë plotësimin e formularit A1Z, kandidati duhet të paraqesë ke mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore dhe Zyrës Vendore të Arsimit, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë, si dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi krahas gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: provimet e detyruara dhe notat e përshkallëzuar të marrë në secilin prej tyre, si dhe notën e përshkallëzuar të marrë në provimin lëndës me zgjedhje. Sipas kushteve të përcaktuara, maturantët që në maturat e shkuara kanë dhënë provime me zgjedhje dhe rezultojnë kalues në të nuk kanë më detyrim që të japin provim me zgjedhje.

Ata mund të mbartin rezultatin e kësaj lëndë sipas preferencës së tyre. Ndërsa maturantët që në maturat para 2011-s nuk kanë dhënë provim me zgjedhje nuk kanë detyrim që të japin më këtë lëndë, me përjashtim vetëm të rasteve, në të cilat kjo përcaktohet nga shkollat e larta si detyrim për konkurrim. Ndërsa kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale duhet të mbartin lëndën e teorisë profesionale të integruar nëse e kanë dhënë dhe kanë rezultuar kalues në të, ose duhet që të rihapin këtë lëndë në përputhje me indeksin e profilit të degës nëse nuk kanë dhënë më parë, ose kanë rezultuar mbetës.

Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2014-s, por që nuk janë pajisur me Dëftesë pjekurie, apo Diplomë mature nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Pasi kanë fituar provimet e maturës, ata marrin diplomë dhe certifikatën përkatëse. Çdo maturant që nuk rezulton kalues në provimet e maturës në sezonin e muajit qershor ka të drejtë që t’i japë sërish po sipas të njëjtave kushte në sezonin e vjeshtës. Në maturat e para 2020-s, kur maturanti ka dhënë më shumë se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundit.

Kushtet për mbartjen e notës së provimit me zgjedhje:

  • Kandidatët e Maturës Shtetërore 2014-2019 duhet të kenë dhënë edhe provimin e gjuhës së huaj. Nëse janë vlerësuar kalues nuk do të japin më këtë provim, por mbartin rezultatin e saj. Në formular ata do të deklarojnë edhe notën e shkallëzuar të këtij provimi D3.
  • Kandidati zgjedh nga lista lëndën me zgjedhje që do të mbartë dhe shënon vitin kur e ka dhënë, si dhe notën e shkallëzuar që ka marrë në të dhe që i njihet, apo i është konvertuar nga komisionet përkatëse për këtë lëndë.
  • Nëse lënda me zgjedhje e mbartur është dhënë disa herë provim, do të mbartet nota e marrë në vitin e fundit.
  • Kandidati që mbart nga maturat 2006-2019 një lëndë me zgjedhje nuk do të japë më provime të tjera me zgjedhje.
  • Kandidati që në maturat 2012-2018 ka dhënë dy lëndë me zgjedhje dhe është shpallur kalues në njërën prej tyre e mbart atë, çka do të thotë se nuk ka pse jep më provim me zgjedhje në Maturën 2020.
  • Kandidati që në Maturën Shtetërore 2012 ka dhënë tre lëndë me zgjedhje dhe është shpallur kalues në të paktën një lëndë mund të mbartë atë sipas dëshirës.
  • Kandidati që ka marrë Dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshiron të aplikojë për studime në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë, por nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat 2006-2019 nuk ka detyrim për të dhënë provim të tillë. Këtë lëndë kanë të drejtë ta japin vetëm në rastet kur është e nevojshme për të plotësuar kriteret e pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.
  • Kandidati që ka mbaruar shkollën e mesme profesionale mbartin lëndën e Teorisë Profesionale të Integruar nëse e ka dhënë dhe ka rezultuar kalues. Mund të duhet që të rijapë një lëndë të Teorisë Profesionale të Integruar në përputhje me indeksin e profilit të degës që ata kanë kryer shkollën e mesme, nëse nuk e kanë dhënë ose kanë rezultuar jo kalues.
Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: