Shpërndaje tek shokët që të informohen

Ministrja Kushi: Testi i automatizuar i mjekësisë do të këtë 30% të pikëve totale

Matura shtetërore, do të ketë një sërë risish. Ministrja e Arsimit Evis Kushi gjatë takimit me maturantët e Elbasanit ka thënë disa prej tyre.

“Do heqim fletë-përgjigjen, për të mos i ngatërruar as nxënësit, as ata që bëjnë korrigjimet. Këtë vit kemi menduar që të zgjedhim salla të mëdha, hapësira të mëdha ku të jetë vendosur një numër më i madh maturantësh dhe natyrisht një numër më i madh mësuesish, monitoruesish, administruesish ku rreziku për të patur problematika që lidhen me komunikimin me njëri-tjetrin, komunikimin me mësuesin, apo ndonjë parregullsi tjetër që është e ndaluar në rregullore, është më i ulët”, ka thënë Kushi.

Ministrja Kushi ka sqaruar edhe mënyrën se si do bëhet rivlerësimi i testit.

“Do të jetë shkolla, mësuesit që nëse konstatojnë që provimi është korrigjuar gabim, do të jenë mësuesit dhe drejtoresha e shkollës që do ta zyrtarizojë këtë kërkesë animimi që më pas do i dërgohet Qendrës së Shërbimeve Arsimore për të bërë rivlerësimin e testit. Të gjithë ata që kërkojnë rivlerësim të testit mund të ndodhë që të marrin edhe një vlerësim më të ulët pastaj. Nëse do të bëhet rivlerësim, në fuqi do të mbetet nota pas rivlerësimit”, është shprehur Kushi.

Për futjen e provimit të automatizuar në degën e mjekësisë së përgjithshme Kushi tha se si do jetë ndarja e pikëve.

“Kemi menduar t’i japim 30% peshë në vlerësim. Pra 70% do të jetë nga notat e tre viteve dhe provimeve të maturës, sipas formulës që është sot në fuqi, ndërsa 30% do ta ketë provimi i automatizuar. Fondi i pyetjeve tashmë është duke u përgatitur. Pyetjet do të jenë për lëndët biologji, kimi dhe fizikë, të cilat lidhen më shumë programin “Mjekësi e Përgjithshme”, është shprehur ministrja.

Këto ndryshime kanë të bëjnë me maturantët që do të hyjnë në provimet e maturës shtetërore 2023.

Klan News

Na ndiqni në Instagram: http://instagram.com/matura.shteterore. Aty do të gjeni të rejat më të fundit rreth Maturës Shtetërore.

Leave a Reply