
Dorina Rapti, përgjegjëse e Sektorit të Kualifikimit, pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA) tregon për “Shekulli”-n ndryshimet që do ketë në tekstet e lëndëve për Maturën Shtetërore 2018-2019, të cilat do të jenë në përputhje me ndryshimet që parashikohen të bëhen për gjithë sistemin e organizmit të maturës 2019. Konkretisht, do të hartohet udhëzimi për lëndët me zgjedhje dhe trajnimi i mësuesve për klasat e 12-ta që orientojnë maturantët me programet e maturës 2019. Gjithashtu, Rapti tha se një ndryshim tjetër që do ndërmerret nga IZHA ka të bëjë me planin mësimor, ku klasat e 12-ta do të zhvillojnë vetëm 6 lëndë të detyruara dhe pjesën tjetër do ta plotësojnë me lëndët me zgjedhje, që dëshirojnë të studiojnë sipas preferencave të tyre. Ndërsa në lidhje me një shqetësim që kanë ngritur mësuesit dhe nxënësit për zbehjen e teksteve të matematikës, institucioni i IZHA-s, tha për “Shekulli”-n, se do të ndryshojë programi i kësaj lënde dhe për këtë do të angazhohet një grup pune, ku përfshihen edhe pedagogët e institucioneve të arsimit të lartë, që të jetë sa më i përshtatshëm për studentët në universitet.
Znj.Rapti, duke qenë se do bëhen ndryshime për Maturën Shtetërore të vitit të ardhshëm, si do të reflektohet ndryshimi edhe në programet e zhvillimit?
Për maturën e vitit shkollor 2018-2019 është duke u përgatitur e gjithë paketa e dokumentacionit nga Ministria e Arsimit dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit, e cila lidhet me: hartimin e udhëzuesit për mënyrën se si nxënësit do të zgjedhin lëndët me zgjedhje, hartimin e udhëzuesit në ndihmë të shkollave për organizimin e klasave për nxënësit e klasave të 12-ta, sipas lëndëve që ata kanë zgjedhur. Informacionin që nxënësit duhet të kenë në kohën e duhur për kriteret e ofruara nga institucionet e arsimit të lartë, hartimin e programeve orientuese të lëndëve të detyruara dhe provimit me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019, si dhe me materiale të tjera që sigurojnë informacion të mjaftueshëm për nxënësit. Përgatitja e trajnimeve nga IZHA të mësuesve që do të japin mësim në klasat e 12-ta për zbatimin e programeve të lëndëve, si dhe për programet orientuese të provimeve të Maturës Shtetërore 2019.
Pse është menduar vetëm një lëndë me zgjedhje për maturën 2019?
Sipas planit mësimor nxënësit e klasave të 12-ta në vitin shkollor 2018-2019 do të zhvillojnë vetëm 6 lëndë të detyruara njësoj për të gjithë nxënësit, ndërkohë që pjesën tjetër të planit mësimor ata e plotësojnë me lëndët me zgjedhje që dëshirojnë të zhvillojnë sipas interesave të tyre. Në planin mësimor kurrikula me zgjedhje fokusohet në zgjedhjen e lëndëve që nuk zhvillohen në bërthamë. Niveli i një lënde me zgjedhje nënkupton njëherësh; trajtim të lëndës në nivel më të lartë vështirësie, zgjerim të përmbajtjes në krahasim me lëndën bërthamë, por përsëri me nivel më të lartë vështirësie se ai i lëndës bërthamë. Lëndë e re në një fushë të caktuar kurrikulare. Kurrikula me zgjedhje zgjidhet nga nxënësi për të plotësuar formimin e tij të përgjithshëm, të përmbyllë studimet ne arsimin e mesëm të lartë dhe në funksion të ndjekjes së studimeve në institucionet e arsimit të lartë.
Si do të jenë tekstet e provimeve për gjithë sistemin e Maturës Shtetërore për vitin e ardhshëm akademik?
Tekstet për çdo lëndë sipas planit mësimor, do të jenë në përputhje me programet e reja të klasës së 12 të miratuara nga Ministria e Arsimit. Lidhur me testet në maturën e vitit 2019 do të kemi 3 provime të detyruara që janë: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi (të dyja lëndët në një provim) Matematikë (niveli bazë) Gjuhë e huaj e parë, si dhe do të ketë një provim me zgjedhje të cilën nxënësit e zgjedhin nga lista e lëndëve të përcaktuara e Udhëzimin e Maturës Shtetërore 2019.
Konkretisht cilat janë tekstet që do ndryshojnë dhe më çfarë arsyetimi do ta ndërmerrni një nisme të tillë?
Tekstet e klasës 12-të do të ndryshojnë për të gjitha lëndët, për shkak të programeve të reja dhe të ndryshuara që janë hartuar me kurrikulën bazuar në kompetenca. Siç besoj jeni në dijeni, që prej 4 vitesh në sistemin e arsimit para universitar po zbatohet kurrikula bazuar në kompetenca, e cila sjell si domosdoshmëri hartimin e teksteve të reja që ndihmojnë nxënësin për zhvillimin e këtyre kompetencave.
Ka pasur shumë ankesa nga mësuesit dhe nxënësit për tekstet e matematikës, të cilat janë zbehur dhe nuk janë në përputhshmëri me nivelin e nxënësve. Keni menduar të bëni ndryshime në tekstet e kësaj lëndë?
Sipas planit mësimor të gjimnazit me të cilën janë njohur të gjithë mësuesit edhe nxënësit, që në fillim të zbatimit të kësaj kurrikule, në klasën e 12-të nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin për të zhvilluar programin e lëndës së matematikës në nivelin bazë apo të zhvillojnë programin e lëndës së matematikës, e cila përveç nivelit bazë përmban edhe nivelin e avancuar. Ky program është hartuar nga grup pune, ku janë përfshirë edhe pedagogë te institucioneve te arsimit te larte dhe është i përshtatshëm për nxënësit që të vazhdojnë më tej studimet në arsimin e lartë. Sigurisht edhe tekstet në lëndën e matematikës do t’i referohen zbatimit të këtyre programeve. Përpos kësaj për nxënësit që kërkojnë të studiojnë edhe më shumë lëndën e matematikës, IZHA ka përgatitur modul kurrikular e cila përmban zgjerim edhe më shumë të tematikave të tjera në lëndën e matematikës. Nxënësit mund ta zgjedhin këtë modul kurrikular në kuadër të lëndëve me zgjedhje për të zgjeruar më tej dijet e tyre në këtë lëndë.
Nisma “3 në 6 orë”, i detyron nxënësit të keq ushqehen pranë pikave ambulante të shitjes
Ambulantët pranë shkollave janë një zgjidhje e detyruar për një pjesë të nxënësve të Elbasanit për të ngrënë gjatë kohës që qëndrojnë në Shkollë. Shpesh herë, kjo i ekspozon ata përballë rreziqeve shëndetësore, pasi produktet e shpejta që konsumojnë janë të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Rastet e helmimeve kanë qenë të shumta. Qyteti është përzgjedhur për zbatimin e projektit bëjmë detyrat në klasë ku përfshihet edhe ushqimi i kontrolluar, por zbatimi nuk ka nisur ndaj, nxënësit kanë dy alternativa: Buke me vete ose t’i drejtohen ambulantëve që qëndrojë pranë kangjellave