April 25, 2026
IMG_8619

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, lançoi sot fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025. Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin Kryeministri Edi Rama, drejtues të partnerëve ndërkombëtarë në fushën e arsimit, mësues dhe përfaqësues të institucioneve arsimore.
Ministrja Manastirliu tha se ky program synon të fuqizojë mësuesit përmes trajnimeve dhe metodave inovative të mësimdhënies.
“Me nisjen e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, brenda këtij viti do të trajnojmë mbi 4000 mësues të arsimit fillor si dhe mësuesit gjuhës shqipe, matematikës dhe shkencat e natyrës, për aftësitë digjitale dhe deri në vitin 2025, mbi 16 mijë mësues do të trajnohen me metodat efektive të mësimdhënies.”, tha Manastirliu
Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi se “ky program nuk është thjesht një nismë më shumë, por një dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur për të mbështetur mësuesit, profesionin e mësuesit”.

Programi gjithashtu përfshin një kornizë të re të kualifikimit për mësuesit, duke u ofruar atyre mundësinë të zhvillohen profesionalisht dhe të përmirësojnë praktikat e tyre mësimore. Ky zhvillim përfshin krijimin e një portofoli digjital për mësues dhe përdorimin e platformave interaktive për trajnimin.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se një nga pikat kyçe të programit është edhe krijimi i Portofolit Digjital të Mësuesit, një inovacion që synon të përfshijë nga kredencialet për çdo mësues, regjistrimin elektronik të krediteve, certifikimin dhe vlerësimin periodik, deri te monitorimi i performancës së mësimdhënies në shkolla.

Gjithashtu, Ministrja, Manastirliu tha se ngritja e një platforme interaktive të trajnimeve, e cila do të përdorë inteligjencën artificiale për të ofruar plane të personalizuara të trajnimit, është një tjetër objektiv kyç. Në aspektin e zhvillimit të karrierës, programi synon të krijojë një model të ri të shkallëve të kualifikimit të mësuesve, të shoqëruar me incentiva financiare dhe për herë të parë ky program do të përfshijë role të reja të mësuesve në shkollë me mësuesin mentor të shkollës, i cili do të udhëheqë kolegët drejt zhvillimit profesional dhe shkollën drejt përmirësimit të performancës me synim krijimin e rrjetit të mentorëve dhe lidershipit të ri profesional të shkollës.

Lini një koment

Discover more from Matura Shtetërore 2026

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading