ATSH/ Arsimi profesional konsiderohet alternativë shumë e mirë për punësim të sigurtë, ndërsa ka marrë prioritet në politikat qeveritare për të mundësuar punonjës të kualifikuar për sektorët në zhvillim të ekonomisë së vendit. Së fundmi, Ministria e Arsimit dhe Sportit po harton edhe një program të posaçëm në mbështetje të fëmijëve që zgjedhin arsimin profesional.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte në shkollën profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, ku studiojnë 430 nxënës, me një staf prej 57 mësuesish dhe ndihmësmësuesish. Bardh Dedgjonaj, drejtori i kësaj shkolle, u shpreh për ATSH-në se 68% e atyre që kanë përfunduar studimet në këtë shkollë vitin e shkuar janë tashmë të punësuar, ndërsa pjesa tjetër mund të ketë hapur biznes vetë ose të jetë duke ndjekur studimet e larta.
Sipas tij, degët më të kërkuara janë “Teknologjia e Informacionit” dhe “Hoteleri Turizëm”, kjo edhe për shkak të orientimit që ka tregu i punës në Lezhë.
“Për vitin shkollor 2023-2024 janë regjistruar 430 nxënës dhe nxënëse. Drejtimet që ofron shkolla jonë janë: Hoteleri Turizëm, IT, Ekonomi Biznes, Teknologji Ushqimore dhe Shërbim Social Shëndetësor. Numri i nxënësve në klasën e dhjetë të regjistruar këtë vit janë 20 më shumë se një vit më parë. Interes më të shtuar në vitet e fundit kanë IT dhe “Hoteleri Turizmi”. Sipas gjurmimit që kemi bërë, 68% e atyre që kanë përfunduar vitin e shkuar studimet tek ne, janë të punësuar. Një pjesë tjetër kanë hapur biznes ose punojnë tek bizneset e tyre familjare dhe një pjesë janë duke ndjekur universitetin”, tha Dedgjonaj.
Sipas tij “në vitet e fundit kategoria e atyre që përfitojnë bursa është shtuar”.
“Çdo vajzë që zgjedh të ndjekë shkollën profesionale ka gjysmë burse menjëherë. Çdo vajzë apo djalë që përfundon klasën e 9 me notën mesatare mbi 9, ka automatikisht bursë të plotë. Çdo nxënës që zgjedh shkollën profesionale që vjen nga familje me ndihmë ekonomike dhe distancë mbi 5 km nga shkolla, po të qëndrojë në konvikt ka bursë të plotë sikundër fëmijët që vijnë nga komuniteti rom e egjiptian, fëmijët që kanë probleme shëndetësore, apo që kanë mungesë të një apo të dy prindërve, apo kur kanë prindër të sëmurë. Romët dhe egjiptianët veç bursës marrin dhe një fond për rroga. Të gjithë ata që përfitojnë bursa marrin edhe librat falas. Vitin e fundit është marrë dhe një vendim i ri, ku çdo nxënës që vjen nga një distancë mbi 5 km, ka të paguar transportin”, tha drejtori i shkollës, Dedgjonaj.
Ai bëri të ditur se shumë shpejt pritet të marrë jetë dhe investimi prej gati 600 mijë euro për një godinë të re të kësaj shkolle.
“Kemi fituar një projekt të “RFC”, Bankës Gjermane, që operon me fondet e BE, dhe janë gati 589 mijë euro për ngrirjen e një godine të re me dy laboratorë moderne, për ITdhe Teknologji ushqimore”, tha Dedgjonaj.
Ardi Muja, mësues i profilit “Hoteleri Turizëm”, u shpreh për ATSH-në se kurrikulat e shkollës i janë bashkëngjitur nevojave të tregut, teksa njoftoi se është çelur dhe dega e guidave dhe udhëtimeve turistike.
“Nxënësit e degës Hoteleri Turizëm përgjithësisht zgjedhin këto dy profile: kuzhinë e pastiçeri, që është dhe me interes pasi e kërkon tregu i punës dhe së dyti, profili i ri është shërbimi i udhëtimeve dhe turizmi. Ky kurs zhvillohet i gjithi në biznes dhe janë në fokus agjencitë e udhëtimit. Nxënësit shkojnë në agjencitë e udhëtimit dhe hartojnë paketa turistike, guida, ture turistike të ndryshime pranë bizneseve të kësaj natyre. Ndërkohë pjesa e kuzhinës dhe pastiçerisë është e fokusuar tek shërbimi dhe formimi i profesionistëve të rinj në kuzhinë dhe pastiçeri. Nxënësit tanë dalin që në vitin e parë të ushtrohen pranë sipërmarrjeve të zonës, që janë të shumta dhe me standarde të larta. Aty njihen me të gjitha pajisjet e punës. Ne kemi pasur nxënës që kanë nisur punë që muajt e parë të praktikës”, tha Muja.
Grisilda Lleshi, nxënëse e degës Hoteleri Turizëm, rrëfeu për ATSH-në se kishte punuar në një prej sipërmarrjeve më në zë të zonës dhe ambicia ishte të kishte një biznes të vetin.
“Unë falë arsimimit në këtë shkollë kam arritur të gjej punë në një prej hoteleve më të mira këtu në Lezhë. Praktika na ka ndihmuar shumë në realizimin e një shumëllojshmërie gatimesh, sallata, makarona të lloje të ndryshme… etj. Më pëlqen të eksperimentoj me recetat, edhe pse normalisht i përmbahem idesë. Kam nisur të gatuaj me mamanë në shtëpi dhe e kuptova që e kisha pasion. Unë kam fituar një gjysmëbursë për shkak se jam vajzë dhe shkolla ofron këtë lehtësi. Ambicia ime është të kem një restorant timin, dhe pse jo, të kem mundësi edhe ta eksportoj përtej kufirit kuzhinën shqiptare”, tha Lleshi.
Jetmir Shtjefni, drejtues i departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, tha për ATSH-në se është trefishuar numri i nxënësve që ndjekin degën e Teknologjisë së Informacionit në arsimin profesional.
“Mbaj mend, që kur kam ardhur para tetë vitesh ishin vetëm 15 nxënës, nga këto 2 vajza. Sot janë 50 nxënës, nga këto 15 vajza, pra kemi trefishim të numrit. Drejtimi TIK ofron dy profile, multimedia dhe zhvillim website-sh. Sot mjafton të kesh kompjuter dhe internet dhe mund të punosh nga e gjithë bota, në çdo orë. Nxënësit e e drejtimit TIK janë në masën 68% të punësuar. Kemi dhe një pjesë tjetër të vetëpunësuar online”, tha ai.
Sipas tij, vendimi i qeverisë që i hap rrugën transferimit të nxënësve nga gjimnazi i përgjithshëm, në atë profesional është një zgjidhje mjaft e mirë për atë që janë ndërgjegjësuar se arsimi profesional është një instrument i rëndësishëm drejt punësimit. Në këtë shkollë, pas hapjes së thirrjes menjëherë u transferuan dy nxënës.
“Transferimi i nxënësve në gjimnaze profesionale është një mundësi shumë e mirë që u jepet qeveria të gjithë të rinjve që janë në gjimnaze të përgjithshme, kjo pasi ndoshta ka qenë një zgjedhje e trendit gjimnazi i përgjithshëm, por me ndërgjegjësimin e tyre, kemi mundur dhe pranimin e nxënësit”, tha Shtjefni.
Silvio Dedgjonaj, nxënës i departamentit “Teknologji Informacioni”, tregoi për ATSH-në se eksperienca e grumbulluar gjatë praktikave mësimore e ka ndihmuar të hapë dhe ai një biznes online në fushën e reklamave.
“Unë në vitin e parë dhe të dytë kam zhvilluar praktika profesionale në agjenci reklamash këtu në Lezhë. Më ka ndihmuar shumë të njihem me tregun e punë dhe të zhvillohem profesionalisht. Në vitin e tretë mendova të angazhohem dhe të ndërmarrë vetë një nismë për hapjen e një biznesi online në fushën e promocionit. Krijoj logo, dizenjime të ndryshme, apo fushata për kompani të ndryshme në Lezhë dhe jashtë saj. I ftoj të gjithë të ndjekin shkollën profesionale për të gjetur sa më shpejt një vend pune, është një lokomotivë drejt punësimit”, tha ai.
Për ATSH prindërit e nxënësve të shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, deklaruan se arsimi profesional u ofron fëmijëve të tyre një zanat dhe mundësi reale punësimi.
Ardiana Kola, prind i një nxënësi në degën e TIK, tha se “Teknologjia e Informacionit ka marrë një zhvillim shumë të madh në mbarë botën. Mësuesit e djalit na thanë se ka prirje dhe ne e mbështetëm dëshirën e tij dhe e motivuam djalin të ndjekë këtë shkollë në degën e TIK. Kjo do t’i mundësojë atij një vend pune. Besoj se kjo është zgjedhja e duhur për të marrë një drejtim të duhur.”
Asim Braja, prind i një nxënëse në profilin Hoteleri Turizëm, rrëfeu se kishte jetuar në Itali, por besonte se Shqipëria ishte një mundësi për të rinjtë për t’u punësuar.
“Unë kam jetuar 15 vite në Itali. Kam dokumente italiane dhe unë, dhe familja ime. Vajza është në vitin e parë Hoteleri Turizëm. Zgjodhëm këtë degë pasi është një mundësi e mirë punësimi. Lezha ka një seri sipërmarrjes të cilat edhe për shkak të rritjes së turizmit kanë gjithnjë e më shumë kërkesë për punonjës. Jam i bindur se ai ose ajo që dëshiron të punojë, në Shqipëri mund t’ia dalë mjaft mirë, pasi mundësitë janë të gjitha”, përfundoi ai.
Projekte madhore si ndërtimi i aeroportit të Vlorës, apo hapja e disa fabrikave që prodhojnë sisteme kabllore apo pjesë të tjera për makinat në vendin tonë, ashtu si dhe investimet e mëdha në sektorin e hidrokarbureve, kërkojnë punonjës të kualifikuar. Në nivel vendor të dhënat tregojnë se 6 në 10 nxënës të arsimit profesional punësohen para diplomimit. Të dhënat tregojnë se mbi 56 % e punëkërkuesve me arsim profesional hyjnë në punë që vitin e parë, pas përfundimit të edukimit. Në 35 shkollat profesionale në të gjithë vendin janë përfshirë 22 drejtime mësimore, 87 profile profesionale kryesisht në hoteleri-turizëm, shkenca kompjuterike, shkenca mekanike, tekstile, etj. Mbi 4200 nxënës janë regjistruar për të ndjekur arsimin e mesëm në 35 shkollat profesionale në të gjithë vendin, ose 5 % me shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Interes kanë pasur edhe vajzat, që përbëjnë 16 % të totalit të të regjistruarve.
