
/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me rektorin e Universiteti të Arteve, prof. Kastriot Çaushi, dekanë, drejtues të departamenteve të këtij Universiteti, profesorë e artistë të shquar.
Gjatë takimit u bisedua për sfidat me të cilat po përballet aktualisht Universiteti i Arteve dhe për atë çfarë duhet përmirësuar për të forcuar zinxhirin e shkëmbimit të dijes dhe rritjes së kapaciteteve në shkollat me drejtim artistik.
Ministrja Manastriliu shprehu mbështetjen e saj për të çuar përpara aktin për gradat dhe titujt shkencor, mbi bazën e propozimeve të bëra nga vetë pedagogët si dhe angazhimin për t’u dhënë status të veçantë shkollave artistike, që janë burimi i identifikimit të talenteve.
“Ne po punojmë që t’iu mbështesim edhe në aspektin e gradave dhe titujve shkencorë bazuar në specifikat tuaja, mbi punimet dhe krijimtarinë e artistëve”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu vuri në dukje se “kemi vendosur që në kuadër të ndryshimeve për ligjin parauniversitar të kemi status të veçanta të shkollave artistike dhe ky status i veçantë do të shoqërohet edhe me buxhete specifike në mënyrë që të furnizohen me bazën materiale në mënyrë të vazhdueshme”.
Rektori Çaushi u shpreh se “në universitetin tonë bëhen rreth 100 masterklas në vit. Me reformën e ndërkombëtarizimit të universitetit, pedagogët dhe studentët shkojnë jashtë dhe vijnë këtu pedagogë dhe studentë nga vende të botës”.
Pedagogët kërkuan nga ministrja Manastirliu inkurajim për kërkimin shkencor me një buxhet specifik.
/k.s/