Duke nisur nga ky vit akademik, studentët e shkëlqyer, si dhe ata që janë pranuar në degët e konsideruara prioritet kombëtar, do tëfinancohen nga shteti me bursë, vlera mujore e të cilës do të jetë në nivelin e pagës minimale që aplikohet aktualisht në shkallë vendi. E ndërsa pranimi i aplikimeve për të siguruar këtë mbështetje financiare tashmë ka nisur, autoritetet e strukturave të arsimit të lartë bëjnë me dije se të gjithë kandidatët që do të marrin këtë financim duhet të përmbushin detyrimisht kushtin e punësimit për të paktën tre vite në strukturat publike, sipas profilit përkatës. E nëse kjo nuk ndodh, ata do të duhet të kthejnë shumën e marrë si bursë përgjatë viteve të studimeve universitare të ciklit të parë. Deri në përmbushjen e detyrimit të punësimit, diplomat e këtyre studentëve do të mbahen pranë strukturave të arsimit të lartë.

Mbështetjen financiare në nivelin e pagës minimale e përfiton kandidati që përmbush këto tre kushte: pranon të nënshkruajë marrëveshjen tre palëshe student-universitet-MAS, pranon të punojë në profesion për studimet e të cilit përfiton financim për të paktën tre vite në sektorin shtetëror sipas legjislacionit përkatës, teksa duhet tëkalojë zyrtarisht diplomën origjinale përkatëse të arsimit të lartë për të cilën përfiton financim, nga universiteti përkatës tek institucioni që do të punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve të marrëveshjes së lidhur për përfitimin e kësaj burse. Në rast mospunësimi deri në 6 vite kalendarike, studenti ka të drejtë që të tërheqë diplomën origjinale nga universiteti ku ka përfunduar studimet e ciklit të parë.

Kategoritë që përfitojnë      

Mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit për vitin akademik 2022-2023 dhe në vijim, do ta sigurojnë të gjithë studentët e pranuar në vitin e parë të ciklit “Bachelor”, apo programet e integruara të nivelit të dytë që plotësojnë këto kritere: nuk janë njëkohësisht përfitues të ndonjë financimi tjetër nga shteti shqiptar, kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notën mesatare 10,00, në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të Maturës Shtetërore janë vlerësuar me jo më pak se sa nota e shkallëzuar 9.5 deri në 10,00.

Këtë bursë e sigurojnë edhe studentët që janë fitues të njërit prej tre çmimeve të para në olimpiadat ndërkombëtare të arsimit parauniversitar, si dhe studentët që kanë zgjedhur degët që përbëjnë prioritet kombëtar dhe që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare jo më pak se sa 8.5, përfshirë edhe notën e përshkallëzuar të provimeve kombëtare të detyruara të Maturës Shtetërore.

Për të siguruar këtë bursë, studentët që plotësojnë kushtet e përmendura më lart duhet të aplikojnë duke depozituar dokumentet provuese origjinale ose kopje të njehsuara me origjinalin për secilin nga kriteret e përfitimit të përmendura më lart. Gjatë aplikimit në dosjen e dokumenteve të kërkuara, duhet që të përfshini kërkesën për aplikim, dokument identifikimi, diplomat dhe certifikatat e Maturës Shtetërore, vërtetim nga institucioni publik i arsimit të lartë që aplikanti është pranuar në një program studimi, si dhe certifikatën e fitimit të olimpiadës sipas kërkesave të përcaktuara për këtë kriter. Dorëzimi i këtyre dokumenteve duhet të bëhet pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë brenda muajit janar 2023.

Pas përfundimit të afateve të aplikimit Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë bën verifikimin e informacionit të paraqitur në aplikim nga çdo student, duke mbledhur informacionet e duhura nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar mbi vërtetësinë e tyre dhe përmbushjen e kritereve. Me vlerësimin e të gjitha kritereve përfituese që përmbush secili kandidat, kjo agjenci shpall listën finale të studentëve përfitues, të cilët mund të sigurojnë këtë mbështetje, listë të cilën e përcjell më pas në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Bazuar në këtë listë dikasteri i Arsimit akordon fondet për çdo institucion publik të arsimit të lartë sipas numrit të studentëve që përfitojnë. Në vijim lidhet marrëveshja trepalëshe mes dikasterit të Arsimit, universitetit dhe studentit përfitues.

Çdo muaj struktura publike e arsimit të lartë do të duhet të kryejë pagesën në llogarinë bankare të përfituesit. Masa e financimit që do të marrë studenti në këtë rast nuk duhet që të tejkalojë nivelin e pagës minimale në shkallë vendi. Për studentët të cilët mund të kenë kryer pagesën e tarifës së shkollimit, pas lidhjes së marrëveshjes për këto kushte përfitimi, do të bëhet edhe rimbursimi i tarifës së paguar si kosto vjetore e ndjekjes së studimeve në programin përkatës.

Për vitet në vijim, studentët që plotësojnë kushtet për të përfituar këto pagesa, do të duhet të depozitojnë aplikimet më herët, brenda muajit tetor, duke dorëzuar listën e notave dhe vërtetimin për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të vitit paraardhës. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të lartë pasi të bëjë verifikimet përkatëse do të shpallë edhe listën e studentëve përfitues (brenda muajit nëntor). Në rast të mosplotësimit të kriterit të notës mesatare të përcaktuar, studenti e humbet të drejtën e përfitimit të mbështetjes financiare për vitin akademik pasardhës. Në këtë rast Agjencia e Financimit të Arsimit të Lartë njofton studentin dhe fakultetin për ndërprerjen e pagesës.

Për vitin akademik 2022-2023 përfitues i bursës është studenti që:

  • Nuk është njëkohësisht përfitues i ndonjë financimi tjetër nga shteti shqiptar.
  • Ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notën mesatare 10,00, ku në secilin prej provimeve kombëtare tëdetyruara të Maturës Shtetërote është vlerësuar me jo më pak se sa nota e shkallëzuar 9.5 deri në 10:00
  • Është fitues i njërit prej tre çmimeve të para nëolimpiadat ndërkombëtare të arsimit parauniversitar.
  • Studentët që kanë zgjedhur të ndjekin studimet në degët që përbëjnë prioritet kombëtar dhe që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare jo më pak se sa 8.5, përfshirë edhe notën e përshkallëzuar të provimeve kombëtare të detyruara të Maturës Shtetërore.

Aplikimibëhet pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë duke dorëzuar:

  • Kërkesën për aplikim sipas formatit të përcaktuar.
  • Dokumentin e identifikimit (fotokopje).
  • Diplomat dhe certifikata e Maturës Shtetërore.
  • Vërtetimi nga institucioni publik i arsimit të lartë që aplikanti është pranuar në një program studimi të strukturave publike.
  • Certifikatën e fitimit të olimpiadës sipas kërkesave të përcaktuara.
  • Pranimi i aplikimeve për të siguruar këtë bursëdo të vijojë deri në përfundim të muajit janar të vitit 2023.

Studimet e ciklit të parë

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë, si rregull, me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e universitetit përkatës për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer

Në fusha të veçanta, strukturat publike të arsimit të lartë ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku, të cilat realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite akademike.

Gazeta Dita

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: