Shpërndaje tek shokët që të informohen

Pas dështimit të Fondit të ekselencës që mbështeste financiarisht studentët shqiptarë për t’u arsimuar në 15 universitetet më të mira të botës, projekt i cili ka nisur që prej vitit 2007, Ministria e Arsimit ka vendosur që buxhetin e këtij fondi në vlerën e 200 mln lekë në vit t’ua kalojë të rinjve më të mirë që zgjedhin të arsimohen në vendin e tyre.

Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, maturantët me mesatare mbi 8.5 dhe nxënësit fitues të 3 vendeve të para në olimpiada ndërkombëtare, jo vetëm që do të përjashtohen nga tarifa e studimit, por edhe do të marrin një bursë sa paga minimale, nëse zgjedhin një nga degët prioritare.

“Kostoja e një student përmes kësaj ndihme shkon diku te 15 mln lekë në 5 vite dhe investimi duhet të kthehet mbrapsht. Kam frikë mos përfundon si fondi i ekselencës që nuk u kthyen studentët në institucionet shtetërore, ndaj këtë herë tregu i punës për ta duhet të jetë i sigurt…”, thotë Valbona Nathanaili.

Këto 35 programe studimi në fushat e bujqësisë, turizmit apo shkencave të natyrës, të shpallura nga Ministria e Arsimit si prioritet kombëtar, a shihen të tilla edhe nga vetë të rinjtë?

“Nuk tundohem fare nga lekët, sepse në ato degë unë nuk kam prirje. Dua të vazhdoj për infermieri, nesër në punë të shkoj me dëshirë”, thotë një maturante.

A do të mbushen auditorët plot në këto degë prioritare vitin e ardhshëm akademik, apo do të vijojnë drejt boshatisjes?

Në një kërkesë për informacion, Ministria e Arsimit i tha Top Channel se nuk ka ende një parashikim të numrit të përfituesve, pasi janë në pritje të notës mesatare të provimeve të maturës shtetërore; por bazuar nga të dhënat e maturës së shkuar Top Channel llogarit që numri i përfituesve është më shumë se 10 mijë maturantë nga 32 mijë që janë në total, megjithatë edhe pse maturantët e mirë janë në total rreth 40% , disa prej tyre largohen për studime jashtë Shqipërisë e të tjerë janë të lirë në përzgjedhjen e degëve që do të ndjekin dhe nuk vlerësojnë prioritet për të ardhmen e tyre, degët prioritare të Ministrisë së Arsimit.

Top Channel

Leave a Reply