
Teksa maturantët i kanë dhënë tashmë të gjitha provimet e Maturës Shtetërore 2021 dhe janë në pritje të shpalljes së notave, institucionet e arsimit të lartë nga ana tjetër po rikonfirmojnë kuotat dhe kriteret e pranimeve për çdo program studimi që ofrojnë. Konkurimi për pranimet e reja në universitete për maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që do të rikthehen sërish në garë për studimet e larta, do të nisë përgjatë muajit korrik.
Sipas vendimit të marrë, për vitin e ri akademik 2021-2022 Universiteti i Tiranës bën me dije se do të pranojë 5133 studentë të rinj në të gjitha fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë.
Programet e këtij universiteti rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat në radhët e maturantëve. Konkretisht, në Universitetin e Tiranës, maturantët dhe kandidatët e tjerë do të garojnë për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta në një nga degët e 6 fakulteteve që janë pjesë e këtij institucioni: Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, si dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë.
Referuar kuotave të miratuara, Fakulteti Ekonomik ka edhe numrin më të lartë të pranimeve të reja me 1200 kuota, për të vijuar me Fakultetin e Shkencave të Natyrës ku do të pranohen në ciklin e parë “Bachelor” 1080 studentë të rinj. Studimet në programin e Drejtësisë do të mund t’i vijojnë për herë të parë gjatë këtij viti 640 maturantë, në degët e Gjuhëve të Huja 580 kandidatë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë 673 kandidatë, tek Shkencat Sociale 580 kandidatë, si dhe në Filialin e Sarandës 110 kandidatë. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave për të gjithë degët e këtyre fakulteteve.
Krahas kuotave të pranimit për maturantët brenda vendit, në vijim të shkrimit gjeni edhe ndarjen e kuotave të miratuara për studentët e trojeve, kuotat për shtetasit e huaj, pranimet për kategoritë e veçanta siç janë personat me statusin e jetimit, ata me aftësi të kufizuara, romët-egjiptianët, programet e dyta të studimit, si dhe kuotat e transferimit.
“Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë, të programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë është i mundur për çdo kandidat, i cili ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm, ose zotëron një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar nga ministria përgjegjëse për arsimin e lartë, si ekuivalente me të, dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuara nga qeveria, si dhe kriteret shtesë të konfirmuara nga vetë institucionet e arsimit të lartë”, bëjnë me dije autoritetet e këtij universiteti.
Për të garuar për studimet e larta çdo maturant fillimisht duhet të përmbushë kriterin e mesatares së konkurimit. Kështu, sipas vendimit të marrë më herët nga Këshilli i Ministrave, saktësohet se kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2021–2022, përkatësisht: Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5, për programet e studimit të gjuhëve të huaja duhet mesatare duke nisur nga nota 7, si dhe në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë kërkohet mesatare e shkollës së mesme duke nisur nga nota 7.5 dhe më lart. Ndërsa për degët e mjekësisë do të aplikohet një mesatare edhe më e lartë, e cila ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur.
Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.
Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2021, si dhe të maturave në vijim.
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Si rregull këto programe realizohen, me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë, mbështetur edhe në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome.Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Universiteti i Tiranës\Kuotat e pranimit në ciklin “Bachelor” për vitin 2021
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë brenda vendit 5133
- Kuotat e pranimit për kandidatët student nga trojet shqiptare 249
- Kuotat e pranimit për kandidatët student shtetas të huaj 48
- Kuotat për kategoritë e veçanta (aftësi të kufizuar, jetimët, romët-egjiptianët 160
- Kuotat e pranimit për kandidatët student që aplikojnë për transferim studimesh 206
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë në një program të dytë studimi 95

Burimi zyrtar: Gazeta Dita