Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini tha se  “paralelisht, përveç orëve mësimore që do të ndjekin në shkollë, si dhe qasjes tashmë të konsoliduar ndaj kanalit të dedikuar “RTSH Shkollë”, nxënësit tanë do të kenë akses edhe në platformën shkollore “Akademi.al”, e cila do të jetë një shtyllë ekstra dhe e rëndësishme për t’u ardhur në ndihmë atyre të mos humbasin mësimet e tyre në çdo situatë sipas ecurisë së pandemisë”.“Me mikun tonë Roberto, përfaqësues i UNICEF Albania, ndoqëm nga afër se si do të funksionojë kjo platformë shkollore, e cila do të lançohet më datë 14 shtator”- u shpreh Shahini.

Shahini theksoi se, “pjesa që është e rëndësishme të nënvizojmë është se ka shkolla në zona urbane apo të prekura nga tërmeti, që kanë një numër shumë të madh të nxënësve dhe patjetër të gjithë do të rikthehen në shkollë, por nuk do të mund t’i bëjnë të gjitha lëndët në kushtet e shkollës, sepse duhet të sigurohemi të ruhet distanca sociale dhe të zvogëlohet numri i nxënësve në klasë”.“Rrjedhimisht, theksoi ajo, paralelisht me të gjithë punën që kemi bërë për të filluar vitin e ri shkollor në objektet shkollore, kemi punuar që të sigurojmë një platformë ku nxënësit të bëjnë mësim në kushte shtëpie dhe mësuesit kanë xhiruar leksionet për kanalin TVSH (RTSH Shkolla) dhe paralelisht të gjitha leksionet që zhvillohen në shkollë do të jetë të transmetuara edhe në TVSH, por edhe në platformën që do të prezantojmë “Akademi.al” dhe nxënësit do të kenë mundësi ta eksplorojnë më thellësisht dhe gjatë në fillim të vitit të ri shkollor por edhe gjatë tetor nëntorit ashtu siç do të jetë nevoja”.“Nëse në një shkollë do të kemi infektim me COVID dhe duhet ta mbyllim ose një klasë specifike ose të gjithë shkollën nxënësit nuk  do te humbasin mësimin, ata do të vazhdojnë të bëjnë mësim në kushte shtëpie duke përdorur platformën online dhe duke ndjekur leksionet në TVSH”- theksoi Shahini.

Deani, krijuesi i platformës “Akademia.al”, tha se, “platforma është gati dhe kemi planifikuar ta lançojmë në 14 shtator. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që nxënësit të kenë parasysh si ta përdorin platformën ndaj dhe demostroi përdorimin saj.

“Hapi i parë, tha ai është regjistrimi në platformë. Kemi dy profile të nxënësit dhe të mësuesit. Për nxënësit nën 13 vjeç është shumë e rëndësishme të monitorohen nga prindërit që ata të regjistrohen me e-mailin e prindërve. Pasi mbaron regjistrimi kemi një proces “Onboarding” që është personalizimi profilit të nxënësit. Pastaj vazhdojmë me ciklin, kemi 4 cikle kryesore: Parashkollor, fillor, 9-vjeçar dhe cikli i mesëm. Nxënësi zgjedh klasën dhe pastaj ka mundësi të zgjedhë lëndën. Për çdo lëndë kemi video leksionet e xhiruara nga ne dhe TVSH. Për momentin kemi 3.500 video, por deri në fund të vitit do të kemi 5 mijë ose 10 mijë video. Po xhirojmë përditë leksione të reja”.

Ministrja tha se, ne jemi përpjekur ashtu sikurse dhe vendet e tjera, që ta shfrytëzojmë këtë moment kur po ballafaqohemi me një situatë shumë të vështirë të pandemisë globale, të bëjmë kapërcim në një fushë qe për ne ishte shumë i rëndësishëm siç është digjitalizimi i arsimit. Pra të kalojmë një pjesë të arsimit në sferën digjitale që nxënësit të kenë akses për leksione edhe më të mira në kushte shtëpie.

Përfaqësues i UNICEF, falenderoi kolegët dhe miqtë për platformën “Akademia.al” dhe ka qenë një kënaqësi bashkëpunimi i UNICEF për këtë platformë.Ai përgëzoj ministren e Arsimit që ka bërë gjithëçka për tu përshtatur kaq shpejtë me situatën e fillimin të pandemisë, nga mënyra tradicionale e mësimdhënies dhe të mësuarit tek “normaliteti i ri” siç njerëzit e quajnë vazhdimisht.Ajo që është e rëndësishme tha ai, është fakti se ne e kishim filluar atë që quhet “mësimin e kombinuar” dhe është shumë e rëndësishme që mësimdhënia dhe nxënësit të përdorim sa më mirë teknologjitë e reja. /a.a/

Burimi: ata.gov.al

Shpërndaje tek shokët që të informohen

Lini një koment

%d bloggers like this: