
Bëjeni Share që të informoni shokët:
Pa dyshim, një nga ngjarjet më të veçanta në jetën social-politike të vendit në fund të vitit 2018, ishte protesta e studentëve për plotësimin e një sërë kërkesave ekonomike, të cilat në fakt nuk kishin të bënin vetëm me studentët në protestë, por me të gjithë sistemin e arsimit tonë të lartë. Kjo ngjarje, në fund të fundit, sintetizoi një gjë: pavarësisht nga sa kishte promovuar politika prej vitesh, arsimi i lartë te ne ishte lënë realisht në harresë, ishte bërë shumë pak për të, madje relativisht duke marrë parasysh kërkesat krejtësisht normale në rritje të shoqërisë, gapi i plotësimit të tyre ishte rritur. Nën presionin e protestës studentore të dhjetorit 2018, ky realitet në arsimin e lartë, ndryshe nga fusha të tjera të jetës ekonomiko-shoqërore të vendit, në një mënyrë apo në një tjetër u evidentua jo vetëm nga opozita politike, por edhe vetë nga maxhoranca e Kryeministri, duke kërkuar edhe të ashtuquajturin “pakt për Universitetin”. Mjaft domethënëse ishte edhe fakti, se, pikërisht këtu, sapo ishte kryer një reformë dhe ishte miratuar një ligj i ri për arsimin e lartë.
Në raport me të gjithë periudhën e tranzicionit pas viteve ’90, minimalisht mund të thuhet se sot arsimi ynë i lartë nuk ndodhet në një situatë të kënaqshme, përkundrazi, problemet që ngriti fundi i vitit të kaluar janë mjaft domethënëse. Çfarë dhe si duhet bërë ndryshe? Edhe kjo është gjithashtu vështirë të argumentohet. Arsyeja është fakti se shumë nga shkaqet e situatës së sotme në arsimin e lartë dalin përtej sferës së “ngushtë” të tij e përtej një ligji specifik, por ato lidhen me mjaft faktorë ekonomikë, socialë, demografikë e politikë.
Politika e “numrave”, përtej mundësive reale që ofron infrastruktura, burimet njerëzore, por edhe nevojave reale të shoqërisë sonë, ka qenë pa dyshim ndër faktorët kryesorë që ka përcaktuar edhe gjendjen në të cilën ndodhet sot arsimi i lartë. Dhe duhet theksuar se kjo politikë numrash e kuotash i ka interesuar jo vetëm klasës politike, por edhe shoqërisë, e cila pavarësisht nga vlerësimet kritike për sistemin arsimor, nuk ka “lejuar” asnjë reflektim në këtë drejtim. Sigurimi i së drejtës për të ndjekur arsimin e lartë përbën sigurisht një objektiv të cilin shoqëria duhet t’ia sigurojë çdo të riu në një sistem demokratik. Por, realizimi i këtij objektivi nuk mund të bëhet thjesht me rritjen e numrit të të drejtave të studimit, apo me licencimin e universiteteve të reja, por ai kërkon një rritje graduale dhe duke u argumentuar domosdoshmërisht si me investimet në infrastrukturë, me përgatitjen në kohë të burimeve njerëzore etj., ashtu edhe me nevojat për punësim sipas profesioneve të veçanta. Si paraqitet situata sot te ne?
Është plotësisht e vërtetë që vendi ynë, në raport me vendet e tjera, trashëgoi nga periudha e moniste një nivel të ulët të popullsisë me arsim të lartë në raport me popullsinë gjithsej. Rreth 7% ishte ky raport në vitin 1990; në fakt edhe aktualisht ky raport vazhdon të mbetet i ulët, rreth 17%, ndërkohë kur për Malin e Zi është 21%, Maqedoninë e Veriut 18%, ndërsa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian është rreth 27%. Në dukje mund të krijohet përshtypja se rritja e kuotave të studimit, është rruga që duhet ndjekur për të kapërcyer prapambetjen e trashëguar: Por realisht, duke qenë se fjala është për një investim specifik, sikurse është ai i kapitalit human, mangësitë e trashëguara në arsimin e lartë janë ndoshta më të vështirat dhe të fundit për t’u tejkaluar, ato kërkojnë kohë, burime financiare dhe njerëzore, e në tërësi një rritje të qenësishme ekonomike.
Në SCCAlbania ne kemi specialistët e duhur për përgatitje në Mininaturë, Maturë dhe Universitet!
📚📖👩💻👨💻
Eja dhe mëso më tepër mbi programin dhe specialistët tanë!
Kontakt: 0692744472
Mail: sccalbania@gmail.com
Po cili është realiteti? Si rezultat i politikave “ekspansive” të ndjekura në arsimin e lartë nga rreth 28 mijë studentë, që kishte vendi në vitin 1994, ky numër në vitin 2014 arriti nivelin maksimal në rreth 173 mijë, ose 6 herë më shumë. Megjithëse në vitet në vazhdim, numri i studentëve ka pësuar rënie, (kryesisht si rezultat i ndryshimeve demografike), përsëri jemi në një situatë mjaft larg normalitetit. Fakti është që përqindja e numrit të studentëve në raport me popullsinë e moshës 20-24 vjeç në vendin tonë është rreth 68-70%, (nga rreth 22% që ka qenë ky tregues në vitin 2004), ose ndryshe sot rreth 7 maturantë në 10 ndjekin shkollën e lartë. Ndërkohë, në vendet europiane, përqindja e popullsisë e moshës 20-24 vjeç, e cila ndjek studimet luhatet nga 46% në 9%, të numrit total të popullsisë së kësaj moshe (përkatësisht, Sllovenia dhe Luksemburgu).
Nga ana tjetër, pak është bërë për të argumentuar financiarisht këtë rritje. Shpenzimet publike për arsimin e lartë zënë prej vitesh rreth 0.7 – 0.8% të prodhimit të brendshëm bruto, ose vetëm 2.4 – 2.6% të shpenzimeve të buxhetit për arsimin në tërësi. Këtu duhet theksuar se këto shifra në vetvete nuk janë “problematike” apo të ulëta, në fakt ato janë relativisht të krahasueshme edhe me mjaft vende të tjera Europiane. Në Itali, për shembull, shpenzimet për arsimin e lartë kapin po ashtu rreth 0.7 – 0.8% të PBB, në Hungarinë 1.3% etj. Problemi është se këta tregues te ne kanë qenë të tillë prej kohësh, ndërsa rritja e vrullshme e numrit të studentëve ka sjellë që shpenzimet për student të reduktohen mjaft. Kështu, numri i studentëve për 100 mijë banorë është rritur nga rreth 2.300 në vitin 2004 në rreth 6.000 studentë në vitet 2013-2015, megjithëse duke rënë në vitet pasuese në rreth 5.000. Si rezultat, sot, te ne, nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 80 milionë euro për arsimin e lartë, afërsisht 500– 550 euro/student, ndërsa vlerësohet se rreth 40 milionë euro shpenzojnë studentët në arsimin privat, (afërsisht 1200 euro/student). Ndërkohë, kur vendet për të cilat folëm më sipër, megjithëse me një strukturë të ngjashme të shpenzimeve publike për arsimin e lartë, kanë shpenzime shumë më të konsiderueshme për student: sektori publik në Itali shpenzon rreth 7 mijë euro për student, ndërsa Hungaria rreth 2.7 mijë euro. Nga ana tjetër, duhet theksuar se edhe pretendimi i dëgjuar në ndonjë rast për rritjen e buxhetit të arsimit të lartë deri në 5% të PBB, është në fakt një kërkesë jashtë çdo racionaliteti. Përvoja edhe në vendet më të zhvilluara tregon se kjo përqindje nuk mund të shkojë më shumë se 1.5 – 2.0% të PBB -së dhe fjala është këtu për vende të tilla si Anglia apo Danimarka me subvencionime të qenësishme për arsimin e lartë.
Këto indikatorë tregojnë një gjë: rritja e numrit të studentëve, megjithëse mjaft e dëshiruar, është larg burimeve financiare të nevojshme. Më tej, jo thjeshtë ana financiare, por edhe mbështetja e këtij zhvillimi me burime njerëzore, në mjaft raste mund të lërë për të dëshiruar, dhe madje departamente në degë të caktuara sot mund ta kenë të vështirë të përmbushin qoftë edhe kriteret minimale ligjore për stafet e tyre akademike.
Politika e “numrave” ka edhe anën tjetër të saj dhe ndoshta kjo madje është më e rëndësishmja. A ka ekonomia jonë nevojë për një numër të tillë profesionistësh me arsim të lartë sa janë edhe kuotat e ofruara në universitetet tona? Sigurisht, në sistemin e lirisë së tregut secili është i lirë të zgjedhë të ardhmen e tij. Por le të mendojmë thjeshtë: nëse 68 -70% e maturantëve i drejtohen universitetit, kjo do të thotë se pas 4-5 vitesh, afërsisht po kaq do të jetë përqindja e grupmoshës përkatëse, e cila do të kërkojë të punësohet në vende pune që kërkojnë arsim të lartë, pra mjekë, jurist, ekonomistë, inxhinierë, agronomë, etj.. A duket kjo si diçka jo reale? Pra që në fazën e parashikimit të kuotave dhe regjistrimeve në arsimin e lartë, ne parashikojmë edhe se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve do të mbetën të pa punë, ose së paku do të punësohen në një vend pune jashtë profilit të studimeve të kryera.
E gjithë kjo tablo krijon përshtypjen se duke filluar nga Qeveria, si dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë, duhet të rishikojnë politikat e tyre në lidhje me kuotat e pranimeve në arsimin e lartë, si dhe duke rritur gradualisht financimin ndaj tij. Në fakt, në opinioni personal është se Qeveria fatkeqësisht e ka të vështirë të tërhiqet nga politika disavjeçare populiste e kuotave të pranimeve në arsimin e lartë; duket sikur shoqëria jonë do të pëlqente më shumë të shpresonte, sesa të pranonte një realitet ndryshe. Atëherë pikërisht mendoj se këtu duhet bërë shumë më tepër, në veçanti në kuadër të të gjithë vendit ne duhet të bëjmë më të qarta dhe transparente se sa do të jenë nevojat tona reale për t’u arsimuar pas 4, 5 ose 6 vitesh, sa do të kemi nevojë për ekonomistë, jurist, mjekë, agronomë, zooteknikë etj. Në këtë këndvështrim duhet thënë se realisht, e vetmja politikë e marrë është ajo e zhvillimit të arsimit profesional nëpërmjet kolegjeve profesionale 2-vjeçare, si dhe masa administrative për rritjen e notës mesatare për pranime në universitete (duke frenuar disi regjistrimet).
Po ligji për arsimin e lartë, a ka vend këtu? Megjithëse si ligj ai nuk mund të përcaktojë shifra apo kuota, mendoj se një mënyrë apo në një tjetër: po. Në fakt duhet thënë se ligji aktual i arsimit të lartë, midis të tjerave, u ofrua në publik si një ligj që synonte të tërhiqte burime financimi në arsim e lartë nga individi privat. Gjithsesi, faktet treguan se kjo frymë nuk u pranua nga grupet e interesit – masa e madhe studentore – dhe si rezultat, qeveria u tërhoq.
Në kontekstin e këtij opinioni, i cili mund të jetë shumë më i gjerë dhe i diskutueshëm, mund të reflektohet edhe rreth disa fakteve interesante të një artikulli të botuar pak ditë më parë në revistën e njohur “The Economist”. Artikulli titullohej “Në kërkim të studentëve: Fituesit dhe humbësit e Universitetit të madh të Anglisë falas për të gjithë” (“Searching for students: The winners and losers of England’s great university free-forall”). Midis të tjerave, artikulli trajtonte edhe faktin se numri i studentëve në universitetet angleze është rritur, madje pritet që kjo rritje të vazhdojë. Njësoj si te ne, por në një mënyrë krejt tjetër. Rritja e numrit në artikull argumentohej me ligjin e arsimit të lartë në Angli të vitit 2017. Ky ligj vendos një kufi maksimal për tarifën e regjistrimit në universitetet publike, 9.250 £, dhe njëkohësisht i njeh të drejtën çdo studenti të marrë kredi për financimin e studimeve, të cilën është i detyruar ta shlyejë vetëm nëse arrin të marrë 25.725 £ në vit. Kjo diferencë përbën padyshim një suport të konsiderueshëm financimi, jo thjesht për studentin, por realisht për universitetin.
*Autori është pedagog në KU “Luarasi”