
Nis faza përgatitore për provimet e Maturës Shtetërore 2018. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka miratuar tashmë rregulloren se si do të zhvillohen provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të maturës së këtij viti.
Maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara, duhet që të kalojnë detyrimisht në këto provime, pasi vetëm në këtë formë mund të pajisen me Diplomën e Maturës, e cila i hap udhë procesit të konkurrimit për vijimin e studimeve të larta në universitetet publike apo private të vendit. Nxënësit që përfundojnë studimet e shkollës së mesme gjatë këtij viti do të japin si provime tre lëndët e detyruara, matematikë, gjuhë letërsi, gjuhë e huaj, si dhe dy lëndët preferenciale që do të përzgjidhen sipas kushtit të përcaktuar për nivelin e krediteve.
Në rregulloren e miratuar nga Ministria e Arsimit, e cila tashmë po shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit, përcaktohet se për të qenë kalues në këto provime, çdo maturant duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi i secilës lëndë.
Maturantët që kanë të drejtë të hyjnë në provime
Sipas kushteve të përcaktuara në rregullore, provimet e maturës i jep çdo maturant, apo kandidat që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin A1 dhe A1Z në afatet e përcaktuara.
Kandidati që ka marrë dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshiron të aplikojë për studime në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend, do t’i njihen provimet e detyruara, ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga drejtoria rajonale e arsimit që mbulon vendbanimin e tij. Ky kandidat, në rastet kur nuk ka dhënë provime me zgjedhje, ose i ka dhënë dhe nuk ka rezultuar kalues, ka të drejtë të japë provime me zgjedhje, kur e ka të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga vetë fakultetet apo universitet ku dëshiron të aplikojë për vijimin e studimeve të larta.
Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe me zgjedhje pajiset me diplomë. Gjithashtu në rregullore saktësohet se për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë pajisur me dëftese pjekurie apo diplomë, nuk e japin gjuhen e huaj si provim të detyruar. Pasi kanë fituar provimet e maturës, marrin diplomë dhe certifikatë të Maturës Shtetërore, model i vitit 2011. Diploma për të gjithë maturantët lëshohet vetëm njëherë. Kandidati që nuk kalon në sezonin e parë të maturës ka të drejtë që t’i japë sërish provimet e mbetura në sezonin e vjeshtës.
Kushtet e aplikimit online për formularin A1 dhe A1Z
Në rregulloren e miratuar përcaktohet se deri në datën 9 mars, MASR-ja miraton formularët A1 dhe A1Z, si dhe udhëzuesit e plotësimit të tyre.
Maturanti bën aplikimin online, fillimisht në Portalin Qeveritar “e-albania” në periudhën 15-30 mars 2018, dhe më pas në portalin “Matura Shtetërore 2018”, në periudhën 26 mars-10 prill 2018, sipas një plani kalendar të publikuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Plotësimi i formularit A1 nga maturantët e këtij viti shkollor bëhet në shkollat ku ata kryejnë arsimin e mesëm.
Ndërsa plotësimi i formularit A1Z nga maturantët e viteve të mëparshme do të bëhet në shkollat ku kandidatët kanë kryer studimet e mesme. Për të bërë plotësimin e këtij formulari, këta kandidatë duhet që të paraqesin një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë dhe vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme me fotografi, certifikatë të maturës me notat gjitha viteve të lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës, apo dokumentin të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
Për shkollat profesionale dhe shkollat e mesme të orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar dëftesën e pjekurisë, si provime të detyruara njihen: Letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë dhe janë fituar, si dhe një ose dy nga provimet në mungesë të letërsisë dhe të matematikës, sipas planit mësimor të shkollës së tyre. Më Pas, drejtoria arsimore përcakton provimet, rezultatet e të cilave do të mbarten në sistem në vend të letërsisë dhe matematikës.
Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marre rezultate jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundit.
Korrigjimi i testeve të maturës
Në rregulloren e miratuar saktësohet se QSHA do të shpallë skemën e vlerësimit të testeve tre orë pas mbarimit të çdo provimi. Vlerësimi edhe për provimet e këtij viti do të bëhet me pikë, të cilat më pas do të ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. Testet do të korrigjohen në gjashtë qendra provimi dhe çdo test do të kalojë nën një vlerësim të dyfishtë.
Në rastet kur ka mospërputhje të vlerësimit, midis dy korrigjues përgjegjësi i vlerësimit aktivizon edhe një mësues të tretë për të bërë rishikimin e skemës së korrigjimit, i cili jep edhe vendimin final në lidhje me pikët që maturanti do të sigurojë me përgjigjen e dhënë. Shpallja e rezultateve do të bëhet jo më vonë se 15 ditë nga momenti i dhënies së provimit.
Për të qenë korrigjues, çdo mësues duhet të plotësojë një sërë kushtesh që janë:
- Të ketë arsimin universitar në lëndën përkatëse.
- Të ketë jo më pak se 5 vite përvojë pune në mësimdhënie në shkollën e mesme në lëndën përkatëse që do të mbulojë në korrigjim.
- Të jetë treguar i saktë në vlerësimet e mëparshme.
- Të ketë rezultatet të kënaqshme në vlerësime për mësimdhënien.
- Të jetë versuar me të paktën “mirë” dhe “shumë mirë” në shkallën e kualifikimit të mësuesve.
- Të jetë i certifikuar si vlerësues i testeve të maturës.
- Të mos ketë konflikte interesi.
Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi kur:
- Ndryshon vendin që i është caktuar.
- Merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë.
- Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit.
- Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit.
- Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.
Maturantit nuk i njihet rezultati:
- Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit.
- Nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin).
- Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
- Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED.
- Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
GAZETA DITA

