
Formulari A1 plotësohet online. Të drejtën e plotësimit të këtij formulari e kanë vetëm maturantët e vitit shkollor 2018-2019. Plotësimi i Formularit A1 fillon në Portalin Qeveritar e-albania, dhe përfundon në shkollë në portalin e Maturës. Procesi i plotësimit të formularit A1 në shkollë ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Ky i fundit pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem. Vetëm pasi mbikëqyrësi vendos kodin në sistem, maturanti mund të përfundojë plotësimin e formularit A1 në shkollë. Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, formulari i plotësuar duhet të printohet, si dhe të nënshkruhet nga maturanti dhe mbikëqyrësi, si dhe të vuloset nga drejtori i shkollës ku plotësohet formulari A1. Po sipas udhëzimit, shkolla është e detyruar që të ruajë një kopje të formularëve të printuar deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2019. Numri i lëndëve që do të zgjidhet nga maturantët e këtij viti është vetëm një, dhe jo dy, sikundër ka qenë në maturat e viteve të shkuara. Kandidati përzgjedh nga lista e detajuar në vijim, vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje. Përzgjedhja e kësaj lënde bëhet sipas profilit të shkollës së mesme që maturanti ka kryer. Për shkollat profesionale, Teoria profesionale është e zbërthyer në profile sipas indeksit të shkollave. Maturanti i shkollave profesionale zgjedhjen e lëndës me zgjedhje (që për ta do të konsiderohet provim i detyruar) duhet ta bëjë detyrimisht nga lëndët e listuara në grupin e tretë të specifikuar “Për shkollat e mesme profesionale”.