Site icon Matura Shtetërore 2026

Matura Shtetërore, 7 kushtet për mësuesit që do korrigjojnë provimet e 2023

auto_testi_i_matures_-_14_qershor_2017-driton_bublaku_51503663533

Në procesin e vlerësimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2023 do të përfshihen mësuesit më të kualifikuar të profilit lëndor të secilit provim. Përparësi në përzgjedhjen e mësuesve që do të vlerësojnë provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të maturës së këtij viti, do të kenë të gjithë kandidatët që plotësojnë shtatë kriteret e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, të cilat janë evidentuar edhe në Rregulloren e Provimeve.

Kështu, për të qenë pjesë e skemës së korrigjimit të testeve, mësuesit duhet detyrimisht të plotësojnë këto kritere: të kenë arsimin e lartë përkatës, të kenë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie në një institucion të arsimit të mesëm të lartë në lëndën përkatëse (ku preferohen mësuesit me mbi 10 vjet përvojë pune), të jenë i vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie, të jenë i vlerësuar me të paktën “Mirë” dhe “Shumë mirë” në kualifikimin e fundit të mësuesve. Gjithashtu mësuesi duhet të jetë i certifikuar edhe si vlerësues, të mos ketë konflikt interesi, si dhe të jetë treguar i saktë dhe i përpiktë në vlerësimet e provimeve të maturës të zhvilluara në vitet e shkuara.

“Qendra e Shërbimit të Arsimit (QSHA), brenda muajit maj do të përfundojë edhe përzgjedhjen e mësuesve që do të jenë pjesë e procesit të korrigjimit për provimet e këtij viti. Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit të testeve i QSHA-së orienton vlerësuesit e testeve në përputhje me kërkesat e testit dhe sipas skemës përkatëse të vlerësimit. Procesi i korrigjimit do të realizohet në qendra vlerësimi me mjedise të përshtatshme dhe të sigurta, të përzgjedhura nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit”, përcaktohet në rregulloren e provimeve të mirtuara nga Ministria e Arsimit.

Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit do të bëhet me pikë, të cilat konvertohen në notë të shkallëzuar. Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga grupe pune, të ngritura me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Për të qenë kalues në këto provime maturanti dhe kandidatët e viteve të shkuara do të duhet që të marrin detyrimisht 25 për qind të 60 pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Rezultatet e provimeve paraprake të Maturës shpallen jo më vonë se data 30 qershor

Në rregullore gjithashtu përcaktohet se MAS do të ngrejë edhe komisione të posaçme (Kopoted) që do të shqyrtojnë të gjitha testet që raportohen nga vlerësuesit e testeve si të dyshimta për kopjim dhe testet me parregullsi. Vlerësuesit e testeve i dorëzojnë përgjegjësit përkatës të vlerësimit, testet me parregullsi apo që dyshohen për kopje. Përgjegjësi i vlerësimit, nga ana e tij, ia përcjell ato Kopotedit, duke i shoqëruar me një përshkrim të detajuar mbi parregullsitë dhe pyetjet, përgjigjet e të cilave dyshohen për kopje. Ky komision për parregullsitë që konstaton informon me shkrim Komitetin e Maturës Shtetërore.

Detyrat dhe të drejtat e maturantëve

Sipas rregullave të përcaktuara, në ditën e testimit, maturantët dhe kandidatët e tjerë do të duhet të paraqitent në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit dhe duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe mjetet e nevojshme: stilolaps, vizore, kompas, makinë llogaritëse të thjeshtë. Maturanti pasi merr testin nga administratori i provimit, kontrollon gjendjen fizike të testit (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe, etj), si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar në formularin A1/A1Z. Nëse vërehen parregullsi kërkon test tjetër, duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit.

Maturanti duhet të plotësojë testin me stilolaps me një ngjyrë (të zezë ose blu). Në pyetjet me alternativa, maturanti rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë. Autoritetet e arsimit sqarojnë se maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore vendosen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit në një mjedis, për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe. Ndërsa maturantëve dhe kandidatëve me aftësi të kufizuar, vërtetuar me dokumentin përkatës me kërkesën e prindit ose të përfaqësuesit ligjor, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë,  autorizohen personatë caktuar për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti. Maturantëve të paraburgosur u sigurohen kushtet për zhvillimin normal të provimeve, në mjedise të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të autorizuar të policisë, pa uniformë dhe pa armë.

Kur e dorëzojnë testin maturantët duhet të nënshkruajnë për dorëzimin e tij në listën që disponon administratori i provimit. Për ata që që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, bëhet e ditur se nuk do të mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Nëse maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë administratroin e provimit. Po sipas rregullores, kandidati, i cili paraqitet në qendrën e provimit, ose konstatohet gjatë provimit me celular përjashtohet nga ai provim, por ka të drejtë ta japë atë në sesionin pasardhës.

Në korrigjimin e provimeve të Maturës 2023 do të përfshihen mësuesit që:

  1. Kanë arsimin e lartë përkatës.
  2. Kanë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie në një institucion të arsimit të mesëm të lartë në lëndën përkatëse (preferohen mësuesit me mbi 10 vjet përvojë pune).
  3. Janë vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie.
  4. Janë vlerësuar me të paktën “Mirë” dhe “Shumë mirë” në kualifikimin e fundit të mësuesve;
  5. Janë certifikuar si vlerësues.
  6. Nuk kanë konflikt interesi.
  7. Janë treguar të saktë dhe të përpiktë në vlerësimet e mëparshme të provimeve të Maturës.


Forma e provimeve dhe kriteri i kalueshmërisë

Përgatitja e testeve të Maturës

E drejta për dhënien e provimeve të Maturës

E drejta për dhënien e provimeve për maturantët e viteve të shkuara:  

 

Burimi i këtij artikulli: Gazeta Dita

Exit mobile version