Site icon Matura Shtetërore 2026

Programi i bursave/ Rama-studentëve: Paga minimale shkon 40 mijë lekë brenda disa javësh, do e marrin edhe ekselentët e kush zgjedh degët prioritare

edi-rama-1

Nga 34 mijë që është aktualisht, paga minimale brenda pak javësh pritet të rritet në 40 mijë lekë, me synimin që brenda dy viteve të arrijë në 45 mijë lekë. Këtë e bëri me dije kreu i qeverisë Edi Rama, gjatë takimit me 160 studentë ekselentë dhe të degëve prioritare që kanë përfituar bursë studimi sa paga minimale për rezultatet e tyre.

Qeveria ka përshpejtuar planin për rritjen e pagës minimale. Ndonëse ishte parashikuar që paga minimale të shkonte në 40 mijë lekë në vitin 2024, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se kjo shifër do të realizohet brenda pak javësh me synimin që brenda 2 viteve të arrijë në 45 mijë lekë. Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.

Në takimin me 160 studentët përfitues të programit të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, kreu i qeverisë tha se kjo rritje do të aplikohet brenda pak javësh.

Përveç punonjësve të sektorit publik e privat, kjo mbështetje do të reflektohet edhe tek pagesa mujore që do të marrin studentët përfitues që kanë arritur rezultate maksimale në shkollë apo në olimpiada ndërkombëtare dhe ata që kanë zgjedhur një nga programet e shpallura prioritet kombëtar (që lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, shërbime, etj.)

Ashtu siç ka njoftuar edhe më parë kryeministri Edi Rama, këta studentë, në momentin që futen në sistemin e financimit do u ndalohet marrja e diplomës për tre vite pasi janë të detyruar të shërbejnë në Shqipëri.

Dua t’ju them një sekret se jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur për të ndarë me ju përpara fjalëve të tjera të rastit që paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë. Kur them shumë shpejt domethënë çështje disa javësh dhe do të aplikohet për të gjithë brenda shumë pak muajsh. Nuk duam të kemi pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë edhe atë privat.

Nëse bëmë një përpjekje për të mbështetur 1 milionë shqiptarë nga pensionistët deri te grupet në nevojë, mbeti pa u adresuar pjesa e atyre që kontribuojnë në sektorin privat dhe besojmë që kjo rritje është e duhura dhe jo vetëm kaq por besojmë po ashtu që duke kontribuar edhe ne, qeveria me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do të rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.

Rama artikuloi edhe krjimin e një piramide pagash të konkurrueshme për ekspertët e teknologjisë që do të punojnë në shtet. Kreu i qeverisë u shpreh se do të ofrojnë punësimin e të rinjve në sektorin publik si inxhiner të teknologjisë së lartë ndërsa synimi do të jetë që pagat e tyre të jenë pranë shifrës që ofrohet në sektorin privat.

Fenomeni i braktisjes së vendit nga të rinjtë, ishte një tjetër moment i diskutimit kur një studente ekselente tregoi rikthimin në Shqipëri, pasi 3 vite më parë ishte larguar drejt Greqisë. Blerta Mema nga Përrenjasi u shpreh se kishte zgjedhur të kthehej në Shqipëri pasi emigrimi “të vidhte ëndrrat” dhe dha mesazh për të gjithë të rinjtë që të punojnë fort e të kontribuojnë në vendin e tyre, jo të marrin rrugët e Evropës për një jetë më të mirë që mbase nuk do arrijnë ta gjejnë dot.

Kujtojmë se pagën minimale, studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin degët prioritare do ta përfitojnë për tre vitet e bachelorit dhe 2 vitet e masterit. Por për të marrë paratë çdo muaj, ata duhet që të ruajnë rezultatet dhe të punojnë në administratë 3 vite pas përfundimit të universitetit. Në të kundërt, do detyrohen që të gjitha paratë e përfituara t’i kthejnë mbrapsht.

Burimi: Shqiptarja.com

Exit mobile version