Shpërndaje tek shokët që të informohen

*Shkruar nga Armira Plaku, kontributore

Të gjithë po shkollohemi, por zanatet kush do i bëjë?

Pasiguria ekonomike dhe e së ardhmes po çon çdo të ri drejt dyerve të universiteteve, në mënyrë që ata të kenë një diplomë dhe më pas të punësohen në një punë të mirë, për të pasur të ardhura më të  mira. Deri këtu jemi në rregull.

Një pjesë e mirë e maturanteve kërkojnë të vazhdojnë universitetet për të marrë një profesion dhe mbi të gjitha statusin “i shkolluar”, pavarësisht nëse e duan atë degë që zgjedhin apo jo.

Duke u dyndur të gjithë drejt kësaj rruge po lihen mënjanë formimet profesionale, zanate të ndryshme, kjo për shkak të mungesës së vlerësimit dhe të ardhurave të ulëta që ato sjellin.

Na ndodh në jetën e përditshme, në ambjentet ku jetojmë të kemi nevojë për një elektriçist, hidraulik, një biçiklist, një orëndreqës, një këpucar, një përpunues druri, etj. dhe pyetja që i bëjmë vetes është, a kam ndonjë rrotull?

Patjetër që ka, janë zanatlinjtë e vjetër dhe mjaft të dobishëm. Shumica prej tyre, janë nga ata individë që i kanë ndenjur besnikë zanatit të tyre, duke i kushtuar jetën. Përveçse si një mënyrë jetese, kanë vendosur aty edhe pasionin.

Por duke qenë se me vitet ato nuk do munden më ta ushtrojnë, lind pyetja, a po përgatisin një brez të ri me këto zanate? A ka të rinj që interesohen për t’i mësuar?

Padyshim që ka shumë të rinj, të cilët janë të prirur për të mësuar, ama duke parë se sa pak paguhen, të  gjithë vendosin të zgjedhin universitetin ose emigrimin, këtë të fundit si një mënyrë për të ushtruar zanatin përkatës.

Kohët e fundit, numri i njerëzve në moshë të re që emigrojnë është rritur shumë dhe disa vende të BE po kërkojnë punonjës të rinj në zanate të ndryshme.

Të rinjtë, në përgjithësi meshkujt, po emigrojnë për të ushtruar zanatin e hidraulikut,  elektriçistit etj, në këto vende, kjo sepse kanë të ardhura më të larta dhe profesionit të tyre u jepet vlerë.

E gjithë kjo situatë po sjell një efekt negativ në vendin tonë, si fillim për krahun e punës dhe si rredhojë mungesë të atyre që ne i quajmë, zanatlinjë. Fshatrat dhe zonat rurale po braktisen dhe zejtaria, blegtoria nuk po trashëgohet, aq më tepër në një vend bujqësor siç është Shqipëria.

Pas pak vitesh do të kemi nevojë për këpucar, orëndreqës, një zejtar, një kopshtar etj, dhe mos ta gjejmë?

Është shumë e rëndësishme që të krijohen programe mbështetëse për shumë të rinj që duan të marrin një zanat dhe ta ushtrojnë në vendin e tyre. Disa mendojnë punët artizanale, disa duan të risjellin traditën e familjeve të tyre, etj. Janë zanate në dukje jo të rëndësishme, por po t’u jepet vlerësimi që i duhet do krijohej një treg i mirëfilltë pune për të mos i lënë në harresë dhe të mos kemi kemi mangësi mes brezave të ardhshëm. Çdo mjeshtëri duhet të përcillet tek brezat e rinj, në këtë mënyrë përcillet një pjesë e traditës, përcillet dëshira për të qenë të dobishëm, dhe mbi të gjtiha një vlerësim dhe koncept ndryshe të fjalës punë.

Nuk është e nevojshme që të gjithë të marrin një diplomë për t’u punësuar.Duke i dhënë jetë profesioneve të tjera, do balancojë kërkesën për punësim në sektorë të ndryshëm të vendit tonë. Çdo zanat ka rëndësinë e tij, qoftë në ekonomi qoftë në kulturën e një vendi dhe si i tillë duhet të vlerësohet dhe zhvillohet.

Burimi zyrtar i këtij materiali: Businessmag.al

Leave a Reply