Në degët e gjuhëve të huaja përzgjedhja e fituesve të rinj që do të ndjekin studimet e ciklit të parë “Bachelor” do të përcaktohet sërish vetëm nga treguesi i mesatares së shkollës së mesme. Senati Akademik i UT-së ka shpallur tashmë kriteret për pranimet në ciklin e parë dhe një program të integruar të ciklit të dytë, për vitin akademik 2021-2022, ku sqaron se : “Në degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë këtu dhe notat e provimeve të Maturës Shtetërore përbën 100 për qind të ndikimit në renditjen e fituesve të rinj”.

Sa i takon pranimeve të reja në këtë fakultet, maturantët dhe kandidatët që i kanë kryer studimet e shkollës së mesme në vitet e shkuara, do të mund të garojnë për tetë programe të ndryshme studimi, që janë: Gjuhë frënge, italiane, gjermane, spanjolle, turke,  greke, ruse, si dhe gjuha angleze.

Në vendimin e miratuar pak më herët nga qeveria është përcaktuar se mesatarja minimale që duhet të kenë maturantët për t’u bërë pjesë e konkurimeve për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2021-2022 është nota 6.5. Për degët e mësuesise mesatarja që kërkohet për të hyrë në konkurim nis nga nota 7.5 dhe më lart, ndërsa në degët e profileve shëndetësore do të mund të konkurojnë vetëm maturantët apo kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8, notë kjo që ndryshon në varësi të programit në të cilin do të aplikohet. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Aktualisht maturantët po vijojnë me përgatitjet finale për provimet e Maturës Shtetërore 2021. Për të orientuar nxënësit në lidhje me strukturën që do të kenë provimet e detyruara dhe lënda me zgjedhje, në të gjitha gjitha shkollat e mesme tashmë po zhvillohen edhe testet e paramaturës. Ndërkohë që paralelisht po vijohet edhe me zhvillimin e konsultimeve në çdo lëndë, ku nxënësit orientohen në lidhje me temat që kanë të paqarta ose mangësi të caktuara.  Matura Shtetërore 2021 nis zyrtarisht në datën 3 qershor, ku maturantët do të zhvillojnë testin e parë në lëndën e gjuhës së huaj, për të vijuar katër ditë më pas, në datën 7 qershor me provimin e dytë në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 11 qershor, ndërsa lënda me zgjedhje është edhe prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët për të përmbyllur me sukses Maturën Shtetërore të këtij viti. Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 15 qershor. Janë po të njëjtat data në të cilat do të organizohen edhe testimet për maturantët që ndjekin shkollat e mesme profesionale. Në provimet e këtij viti rikthehet struktura e vjetër e testeve, në përmbajtje të të cilave do të rikthehen pyetjet me zhvillim dhe eseja. Ndërkohë që një vit më parë, për shkak të pandemisë, testet e maturës janë zhvilluar vetëm me pyetje me alternativa. Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Maturanti do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të totalit të pikëve, me të cilat vlerësohet testi

Programet e ciklit të parë të studimit “Bachelor”, organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Formula për fituesit tek Gjuhët e Huaja

Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore përbën 100%, për programet e studimit:

  • Gjuhë Frënge
  • Gjuhë Italiane
  • Gjuhë Gjermane
  • Gjuhë Spanjolle
  • Gjuhë Turke
  • Gjuhë Greke
  • Gjuhë Ruse
  • Gjuhë Angleze

Burimi zyrtar: Gazeta Dita

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.